Kanceri në rritje te kosovarët, janë të prekura të gjitha moshat
Foto: Laura Hasani

Kanceri në rritje te kosovarët, janë të prekura të gjitha moshat

Aktuale December 20, 2019 - 08:02
Detajet
Image

Sëmundja e kancerit edhe më tej po vazhdon të jetë mjaft e përhapur në Kosovë. Për dallim nga vitet tjera, thuhet se ky vit do të përmbyllet me rreth 1 mijë e 600 persona të prekur me kancer. Kanceri i gjirit dhe ai i mushkërive vazhdojnë të prijnë me numrin më të madh të të prekurve, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Specialja mbyll vitin me gati 200 ftesa, aktakuzat të pritshme më 2020-n

Sëmundja e kancerit gjatë viteve të fundit ka prekur shumë kosovarë. Mbi 1 mijë e 500 persona me kancer thuhet se janë lajmëruar gjatë këtij viti në Kosovë, derisa kanceri i gjirit, ai i mushkërive dhe i zorrës së trashë vlerësohet të jenë llojet më të përhapura në vend.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti kanë shënuar numër rekord të shërbimeve që kanë dhënë për personat e prekur me kancer. Ai ka thënë se gjatë një jave në Shërbimin e Kimioterapisë kryhen rreth 900 vizita specialistike. “Klinika e Onkologjisë, si njëra ndër klinikat me më së shumti shërbime në QKUK, këtë vit ka realizuar numër rekord të shërbimeve për pacientët me kancer. Gjatë një jave në këtë klinikë në Shërbimin e Kimioterapisë kryhen rreth 900 vizita specialistike dhe rreth 600 pacientë marrin mjekim me citostatikë, terapi të cakut, terapi me antitrupa monoklonalë, terapi hormonale dhe terapi sportive”, ka thënë ai.

Numër të madh të pacientëve ka pasur edhe në shërbimet tjera që jepen në këtë klinikë.

Kurtishi ka treguar se vetëm në Shërbimin e Radiologjisë brenda një dite rreth 100 persona marrin mjekim. “Në Shërbimin e Radioterapisë rreth 100 pacientë marrin mjekim me rreze brenda 1 dite, edhe atë 80 bëjnë rrezatim kurativ dhe 20 rrezatim paliativ. Në Shërbimin Spitalor të Kujdestarisë gjatë 24 orëve marrin trajtim të gjitha rastet, të cilat janë me mjekim kurativ me ilaçe ose me rreze”, ka treguar ai.

Me qëllimi të ngritjes së cilësisë dhe shtimit të shërbimeve Kurtishi ka thënë se kanë kërkuar edhe staf të ri, specializantë dhe staf infermieror shtesë për vitin tjetër.

Ndërsa sa i përket furnizimit me barna, ai ka thënë se muajve të fundit gati të gjitha barnat që ata i përdorim në Klinikë kanë qenë prezente, përjashtim bëjnë disa mungesa të vogla.

Kanceri i mushkërive po prek edhe 17-vjeçarët, numri i të prekurve në rritje

Kanceri i mushkërive vlerësohet të jetë nga sëmundjet më të shpeshta në vend.

Pulmologu Bahri Thaçi ka thënë për “Zërin” se kjo sëmundje u atribuohet shumë faktorëve, kryesisht duhanpirjes dhe ndotjes së ajrit.

Sipas tij, fatkeqësisht viteve të fundit kjo sëmundje po prek edhe moshat e reja, duke përfshirë këtu edhe të miturit. “Kanceri i mushkërive është bërë sëmundje shumë e shpeshtë në Kosovë dhe kjo u atribuohet shumë faktorëve, faktor kyç është pirja e duhanit dhe ndotja e ajrit. Ne jemi dëshmitarë që kanceri fatkeqësisht po prek edhe moshat e reja. Një kohë ka qenë e rrallë që në Kosovë t’i bjerë kanceri i mushkërive dikujt në atë moshë. Sot kemi kancer të mushkërive edhe te personat në moshën 25 e 27-vjeçare e po ashtu edhe te mosha 17-vjeçare”.

Derisa ka treguar edhe se si duhet të mbrohemi nga kjo sëmundje, Thaçi ka bërë të ditur se gati çdo ditë ka rritje të numrit të të prekurve me sëmundjen e kancerit të mushkërive. “Kjo sëmundje duhet të trajtohet në mënyrë multidisiplinore, do të thotë duke filluar nga ligjëratat në masën e gjerë të qytetarëve, ligjërata që duhet t’u jepen edhe adoleshenteve, të cilëve duhet t’u flitet për dëmet e duhanit, për rreziqet që shkaktohen dhe për atë se duhani është shkaktar kryesor për sëmundjen e kancerit të mushkërive. Pastaj duhet të ruhet ambienti ku ne jetojmë, duke u nisur nga ambienti i brendshëm e pastaj edhe ai i jashtëm”, ka shtuar ai.

Kërkohen kontrolle të shpeshta për kancerin e gjirit

Një lloj tjetër i kancerit që po prek një numër të madh të qytetarëve është edhe ai i gjirit, ku vetëm deri në muajin tetor të këtij viti janë evidentuar 315 raste me këtë sëmundje.

Nafije Latifi, kryetare në qendrën kosovare për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta Vita”, ka thënë për “Zërin” se suksesi më i madh i çdo gruaje është zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje, zbulim që nënkupton edhe mbijetesë.

Ajo ka thënë se në mënyra të ndryshme vazhdimisht i informojnë gratë të bëjnë kontrolle të shpeshta. “Për t’i vetëdijesuar gratë ne bëjmë takime të përditshme me to e po ashtu edhe paraqitje mediale, që kanë të bëjnë me shëndetin e gruas. Këto gra përveç informatës kanë nevojë edhe të kenë kërkesa prej vetë personelit mjekësor, që sa herë të paraqiten për kontrolle t’u thuhet të bëjnë kontrolle edhe të gjirit. Zbulimi i hershëm i sëmundjes është mbijetesë, është trajtim më i lehtë e me më pak shpenzime”.

Përndryshe Latifi është shprehur e pakënaqur për mungesën e barnave për të prekurit me kancer e po ashtu edhe për mungesën e disa aparaturave të nevojshme për to. “Unë mendoj që Klinika e Onkologjisë ofron shërbime profesionale, por mundësitë aty janë mjaft të kufizuara, sepse së pari e gjithë ajo ndërtesë nuk mjafton për gjithë këtë fluks të pacientëve. Pastaj nuk ka as aparaturë të mjaftueshme e nuk ka barna çdoherë”, ka theksuar ajo. //ZERI