Prokuroria nis hetimet ndaj ministrit Shala për sulmin ndaj gazetarit

Prokuroria nis hetimet ndaj ministrit Shala për sulmin ndaj gazetarit

Aktuale December 19, 2019 - 07:53
Detajet
Image

Ministri në detyrë, Endrit Shala, së shpejti do të përballet me organet e drejtësisë pas sulmit fizik që ia ka shkaktuar të martën një gazetarit. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se i ka hapur hetimet për këtë rast, përderisa nga gazetarët dhe nga mediet në përgjithësi sulmet e tilla po konsiderohen të rrezikshme për demokracinë dhe për fjalën e lirë, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: LDK-ja, e gatshme ta sakrifikojë edhe një ministri për presidentin

Gjatë mbrëmjes të së martës, derisa po raportonte nga vendi i ngjarjes, gazetari Ensar Ramadani është sulmuar fizikisht nga ministri në detyrë i Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, Endrit Shala. Rasti ka ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nga ku Ramadani po raportonte për gjendjen e këshilltarit të Fatmir Limajt Luan Malokut, i cili po atë ditë është plagosur me armë zjarri në lagjen “Veternik” të Prishtinës. Sipas gazetarit, sulmi nga ministri në detyrë, i cili po qëndronte afër bashkëpartiakut të tij në spital, ka ndodhur pa asnjë arsye, si dhe në prani të Policisë së Kosovës, e cila, siç ka deklaruar ai, nuk ka reaguar. Mirëpo Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar dje se ka hapur rast ndaj ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Këtë lajm e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj. “Me urdhër të prokurorit është hapur rasti për veprën penale ‘Sulm’. Prokurori ka autorizuar Policinë për dhënien e deklaratave të personave të përfshirë në rast”, ka thënë Ulaj.

Punë me Prokurorinë dhe me gjykatat Shala ka pasur edhe më herët. Në mars të këtij viti ai është dënuar me 2400 euro gjobë nga Gjykata Themelore e Gjakovës për “Gjuajtje”, për “Mbajtje nën kontroll e posedim të paautorizuar të armëve”. Në lidhje me rrahjen e gazetarit gjatë ditës së djeshme gazeta ka provuar të kontaktojë me ministrin Shala, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Mirëpo distancim nga kjo sjellje nuk ka pasur as nga Qeveria e Kosovës. Qeveritarët janë shprehur për “Zërin” se do ta dënojnë rastin në fjalë, por që për shkak të angazhimeve ka qenë e pamundur të reagojnë. Rastet e tilla ndaj gazetarëve po konsiderohen të papranueshme dhe të rënda. Sipas gazetarëve, sulmet ndaj tyre janë rrezik për fjalën e lirë dhe për demokracinë në vend, sidomos kur vijnë nga njerëz që udhëheqin me shtetin.

AGK: Do të kërkojmë drejtësi për secilin gazetar të sulmuar

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në një prononcim për “Zërin” është shprehur se do të qëndrojë përkrah gazetarëve dhe do të kërkojë drejtësi nga institucionet e vendit, që rastet kur gazetarët sulmohen të mos kalojnë pa ndëshkim. “AGK-ja, përveç reagimeve që i bën publike në të gjitha platformat online, tashmë ka kërkuar edhe nga Platforma Rajonale për Avokimin e Lirisë së Medieve dhe Mbrojtjen e Gazetarëve (SEWP) që përmes një reagimi ta dënojë këtë rast. AGK-ja me të gjitha kapacitetet e saj do t’u qëndrojë në krahë gazetarëve, duke kërkuar me ngulm nga institucionet të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për zbardhjen e secilit rast veç e veç”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tutje nga AGK-ja kanë thënë se janë duke qëndruar afër dhe në kontakt të plotë me Policinë dhe me Prokurorinë për hetimin e rastit të gazetarit Ensar Ramadani, të sulmuar nga ministri në detyrë, Endrit Shala. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përveçqë ka marrë me shqetësimin rastin e kolegut tonë Ensar Ramadani, që nga e marta është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë dhe me Prokurorinë, me ç’rast sot kemi kërkuar informacione të detajuara dhe përfshirjen e tyre të menjëhershme për të zbardhur rastin. Sapo të kemi ndonjë raport zyrtar do t’ju njoftojmë”, bëhet e ditur në përgjigjen e AGK-së dhënë “Zërit”.

Inspektorati Policor kërkon suspendimin e dy policëve, që soditën rrahjen e gazetarit

Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar nga Policia e Kosovës suspendimin e dy policëve, që ishin të pranishëm në rrahjen e gazetarit nga ministri në largim Endrit Shala, por që nuk kanë reaguar. Pas ankesës së gazetarit IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë për zyrtarët policorë në këtë rast. “Inspektorati Policor ka kërkuar suspendimin e dy policëve, pasi ka pranuar ankesën e qytetarit (gazetarit) për incidentin që është raportuar të ketë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Duke u bazuar në autorizimet ligjore, hetuesit e IPK-së me të pranuar ankesë kanë dalë në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Në vazhdën e veprimeve hetimore IPK-ja e ka njoftuar prokurorin kompetent dhe në koordinim me të njëjtin janë ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë, që kanë qenë prezentë kur ka ndodhur incidenti. “Hetimet e IPK-së janë duke u zhvilluar me dyshimin se zyrtarët policorë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale ‘Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar’”, thuhet më tutje në njoftim.

OSCE-ja dhe SEWP-i kërkojnë siguri për gazetarët

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve (SEWP), e cila përfaqëson më shumë se tetë mijë anëtarë, ka reaguar dje për sulmin fizik që i është bërë gazetarit Ensar Ramadani nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Të njëjtën e ka bërë edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili ka kërkuar më shumë siguri për gazetarët.

Sulmet ndaj gazetarëve, rrezik për demokracinë

Shkelqim Osmanaj, kryeredaktor në portalin e lajmeve “Indeksonline”, në një prononcim për “Zërin” ka shprehur shqetësimin pas sulmit ndaj Ensar Ramadanit nga një person, i cili mban pozitë udhëheqëse në Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, sulmet ndaj gazetarëve janë të shpeshta dhe nuk e marrin trajtimin e duhur nga organet e rendit dhe të drejtësisë, gjë e cila, siç thotë ai, është shqetësuese. “Në ‘Indeksonline’ ky nuk është rasti i parë, kanë ndodhur edhe raste tjera në të kaluarën, ku disa gazetarë dhe fotoreporterë janë sulmuar dhe janë rrahur. Kjo është e papranueshme dhe fatkeqësisht askush nuk vuan dënime për to. Por edhe më i papritshëm ka qenë rasti i së martës mbrëma, kur një ministër në detyrë, pa asnjë arsye të vetme, e ka sulmuar një gazetar tonin, i cili ka qenë duke e kryer punën e tij”.

Osmanaj deklaron se institucionet e drejtësisë duhet ta kryejnë detyrën e tyre pa ndikime politike dhe ministri Shala duhet të marrë dënimin e merituar, sepse në të kundërtën ai thotë se mediet do të jenë të kërcënuara që në të ardhmen një ministër tjetër të marrë guximin dhe të kryejë vepër të njëjtë ndaj gazetarëve. Kësisoj ai shton se me veprimet e tilla, sidomos kur vijnë nga politikanët, rrezikohet demokracia e vendit. “Ky rast e ka goditur demokracinë dhe frymën e gazetarisë së lirë. Kjo është diçka e rëndë dhe e papranueshme, jo vetëm për një gazetar të redaksisë sonë, por për secilin gazetar. Një rast i tillë në vendet demokratike do të ishte skandaloz përderisa ka kaluar pa reagim as prej Qeverisë së Kosovës”, ka përfunduar ai. /ZERI