![Sivjet Komuna e Skenderajt pagoi katër portale, asnjëri lokal](/uploads/zeri.info/images/2019/December/17/auto_auto_auto_auto_Skenderaj-komuna1498718808155974291715680104801576567063.jpg)
Sivjet Komuna e Skenderajt pagoi katër portale, asnjëri lokal
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2019/October/17/auto_Kajtaz_Gecaj1571292523.png)
Gjatë vitit 2019 Komuna e Skenderajt ka paguar 85.000 euro për subvencionimin e klubeve sportive, të OJQ-ve dhe për mediume të caktuara, kryesish portale, por asnjëra nga këto nuk janë lokale. Disa nga portalet që kanë marrë para nga buxheti i Komunës së Skenderajt në vitin 2019 nuk dihet fare se nga janë, por është konstatuar se asnjë nga ato nuk janë të komunës së Skenderajt.
Gjatë vitit 2019 Komuna e Skenderajt ia ka paguar portalit “Veriu.Info” 1200 euro, për portalin “Fakte Plus” ka paguar 150 euro, për “Dielli Media” 80 euro dhe për “Kosovapress”-in 1400 euro. Kjo Komunë ia ka paguar 400 euro radios “Kosova e Lirë” më 6 dhjetor pa ndonjë sqarim se për çfarë aktiviteti janë paguar. Në anën tjetër, radioja lokale “Radio Drenica” në mungesë të mjeteve financiare është detyruar të mbyllet.
Murat Musliu, drejtor i “Radio Drenica”, i ka thënë “Zërit” se Komuna ia ka ndërprerë kontratën për financim nga buxheti i Komunës si kompensim për transmetimin e seancave të Kuvendit. “Në mungesë të mjeteve financiare jemi detyruar ta mbyllim radion, e cila ka funksionuar prej përfundimit të luftës. Komuna ka ndërprerë kontratën që kemi pasur me arsyetim se nuk ka buxhet.
Kam kërkuar disa herë nga Komuna ta rishqyrtojë vendimin e vet për ndërprerjen e financimit për radion e vetme lokale në komunën e Skenderajt, por nuk më kanë përfillur, kështu që jemi detyruar të mbyllim”, tha Musliu për “Zërin” të dielën.
“SkenderajLive”, më e privilegjuara financiarisht nga Komuna e Skenderajt
Komuna e Skenderajt ka financuar edhe disa OJQ, por ka rënë në sy një uebfaqe ose OJQ (nuk dihet saktësisht se çfarë është) “SkenderajLive”, e cila nga buxheti i Komunës ka marrë në vitin 2019 hiç më pak se 13.830 euro. “SkenderajLive”, e cila nuk dihet se nga kush menaxhohet (autoritetet komunale nuk tregojnë) ka marrë 1.250 euro më 27 maj, 1.130 euro më 5 qershor, 9500 euro më 23 korrik dhe 1.950 euro më 26 gusht.
Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Komunën e Skenderajt, Kastriot Gashi, në një pyetje të “Zërit” se kush janë menaxhuesit e “Skenderaj Live” dhe për çfarë punësh i janë paguar gati 14.000 euro, është përgjigjur se “Skenderaj Live” është në fakt Qendra Rinore dhe se paratë janë paguar për aktivitete rinore. “Zëri” ka kërkuar përgjigje me shkrim lidhur me menaxherët ose me pronarët e “Skenderaj Live”, “Sfera KB”, “Dielli Media”, “Fakte Plus”, GVL “Perspektiva” dhe Nora Kelmendi sh.a., por edhe për punën që kanë bërë ato, për të cilat janë paguar paratë, por drejtori për Ekonomi, Financa e Zhvillim, Kastriot Gashi, ka thënë se ai nuk mund të japë përgjigje. Posaçërisht interesimi ka qenë për “Skenderaj Live”, pasi përveç Arben Veliut, i cili udhëheq me Qendrën Rinore Publike, si menaxherë ose pronarë përmenden edhe dy zyrtarë të tjerë komunalë. “Pyetjet ia kam dërguar drejtorit të Kulturës (Ramiz Shalës), ai të përgjigjet”, ka qenë i shkurtër Gashi.
Gazeta “Zëri” ka pritur mbi një javë përgjigjen në pyetjet e shtruara për drejtorin e EFZH-it, Kastriot Shala, respektivisht të Ramiz Shalës, i cili mban edhe postin e drejtorit të Kadastrës, por ata nuk kanë dhënë shpjegime.
Nuk dihet se e kujt dhe ç’është “Skenderaj Live”, uebfaqe apo OJQ?
Milazim Mustafaj, drejtor ekzekutiv i OJQ “IQ Skenderaj”, njëra prej OJQ-ve më aktive në komunën e Skenderajt, i tha “Zërit” se drejtori Gashi nuk ka treguar drejt kur ka thënë se “Skenderaj Live” është Qendra Rinore Publike. “Nuk është e saktë kjo, nuk mund të jetë, sepse Qendra Rinore ka tjetër numër fiskal e tjetër ka ‘Skenderaj Live’. As menaxheri nuk mund të jetë ai që udhëheq me Qendrën Rinore (Arben Veliu)”, tha Mustafaj, i cili ka shtuar se nëse kjo uebfaqe “Skenderaj Live” ose OJQ, sido që të jetë, udhëhiqet nga dikush që punon në Komunë, atëherë është bërë shkelje, sepse bëhet fjalë për konflikt të pastër interesi.
Mustafaj tha se kishte bërë një kërkesë në Komunën e Skenderajt për mbështetje financiare për OJQ-në e tij, porse kishte marrë përgjigje të prerë: “Në këtë vit (2019) nuk kemi mjete për OJQ-të”. Komuna e Skenderajt ka paguar 662 euro për GVL “Perspektiva” për të cilën drejtori i EFZH-it, Kastriot Gashi, ka thënë se është OJQ e karakterit bujqësor dhe e cila ka organizuar Panairin e Mjaltit dhe të Artizanaleve, ndërsa Nora Kelmendi sh.a., Komuna ia ka paguar 480 euro. Drejtori Gashi nuk ka ditur të shpjegojë se kush mund të jetë Nora Kelmendi dhe për ç’arsye i janë paguar 480 euro.
Në anën tjetër Komuna e Skenderajt i ka paguar 22.500 euro për ansamblin “Drenica”, 5.500 euro më 6 maj, 10.500 euro më 17 qershor dhe 6.500 euro më 30 tetor. Komuna u ka dhënë mjete edhe klubeve sportive, më së shumti Klubit të Futbollit Drenica, gjithsej 36.000 euro, ndërsa KF Drenica (Futsall) 1.000 euro. Sfera KB ka marrë gjatë këtij viti nga Komuna 2.650 euro, Klubi i Shahut 850 euro, KV Skenderaj (femrat) 2000 euro, KV Drenica (meshkujt) 1.750 euro./ ZERI