Fati i të pagjeturve u diskutua në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut
Me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Kosovë dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (OBPZH) ka organizuar një diskutim e për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me temë “Çështja e personave të zhdukur në udhëkryq”. Paneli ishte i përbërë: nga Jahja Lluka, Prenk Gjetaj, Ibrahim Makolli, Shqipe Ibraj-Mala nga institucioni i avokatit të populli dhe Valentina Demolli-Koliqi nga KMDLNJ.
Vet organizatori i kësaj tryeze, Bajram Qerkinaj e bëri hapjen së bashku me Milorad Trifunovic, duke iu falënderuar në mënyrë të veçantë ambasadës amerikane dhe asaj britanike për mbështetjen e vazhdueshme dhe po ashtu të gjithë përkrahësit dhe pjesëmarrësit e diskutimit.
“Është një ditë të cilën e gjithë bota e shënon, dita për të drejtat e njeriut që ne sot si temë diskutimi e kemi përzgjedhur të jetë “Çështja e personave të zhdukur në udhëkryq”. Arsyeja se pse pikërisht e kemi përzgjedhur këtë temë është zbardhja e personave të zhdukur gjatë luftës dhe dëmet e shkaktuara nga serbët e cila ka mbetur në udhëkryq” theksoi duke shtuar se nuk do të ndalen duke punuar në këtë drejtim.
“Nuk do të ndalemi duke punuar në këtë drejtim, e dimë që ka shumë familje që vuajnë për trupat e pagjetur të anëtarëve të tyre dhe pikërisht kjo do të jetë arsyeja që ne do të punojmë për të gjitha të drejtat e çdo personi pa asnjë lloj ndasie”, tha ai.
Njëri ndër panelistët e diskutimit ishte edhe Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, i cili tha se ndihet i respektuar që është pjesë e një organizimit me kaq vlerë sepse dita ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sipas tij është një ndër ditët më të rëndësishme për të cilën nuk duhet heshtur për asnjë padrejtësi e sidomos për të drejtat të cilat i meritojmë.
“Si Qeveri e Kosovës kemi bërë të pamundurën, që të jemi të barabartë në të gjitha takimet rajonale, kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen e drejtësisë së Kosovës. Edhe pse Serbia ende nuk e pranon faktin që ne jemi shtet sovran dhe i pavarur, në Deklaratën e nënshkruar në Londër nga përfaqësues të shteteve ndryshme siç ishte Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Kosova morën përsipër të promovojnë bashkëpunim rajonal në adresimin e çështjes së personave të humbur nga konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë”, tha Lluka duke shtuar sa qeveria duhet të punojë shumë në këtë drejtim sepse sipas tij nuk zbardhet fati i personave të pagjetur me shuma të të hollave siç mund te jenë ato 5000 apo 6000 euro, por duhet angazhim. “Duhet të punojnë ashtu edhe siç kemi punuar me parë, e siç e kemi dëshmuar si Qeveria e Haradinaj me angazhimin tonë, vetëm këtë vit kemi formuar 27 lokacione”, deklaroi ai.
Në këtë tryezë i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, i i cili u shpreh i nderuar për ftesën dhe u zotua që Britania e Madhe do të vazhdojë të përkrah grupet e tilla shkruan zëri.info