Pa vendim të Kushtetueses pagat dalin me rritje
Foto: Laura Hasani

Pa vendim të Kushtetueses pagat dalin me rritje

Aktuale December 07, 2019 - 08:06
Detajet
Image

Pak ditë pas hyrjes në fuqi Ligji për Paga në Sektorin Publik përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Institucioni i Avokatit të Popullit e dërgoi këtë ligj në Kushtetuese, prej së cilës ka kërkuar vlerësimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën e vendit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Institucioni i Avokatit të Popullit para dy ditësh e ka dërguar kërkesën për pezullimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese. Prej kësaj Gjykate është kërkuar vlerësimi i përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën e Kosovës. Kjo kërkesë tashmë është pranuar nga Kushtetuesja, mirëpo ende nuk dihet se kur kjo do ta thotë fjalën e fundit për sa i përket këtij ligji. Nga Ministria e Financave thonë se pagat do të dalin me rritje deri në një vendim përfundimtar për pezullimin e ligjit, teksa tri sindikata kanë paralajmëruar greva e protesta nga java e ardhshme në rast se Ligji për Pagat pezullohet nga Kushtetuesja.

Kushtetuesja pranon kërkesën e Avokatit të Popullit

Nga Sekretariati i Gjykatës Kushtetuese është konfirmuar se Gjykata ka pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit për pezullimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik. “Kjo kërkesë është parashtruar në Gjykatë, të enjten, më 5 dhjetor 2019”, ka konfirmuar nga kjo Gjykatë për “Zërin”.

Megjithëse kërkesa për pezullim është pranuar në gjykatë, ajo nuk di se kur do ta marrë vendimin përfundimtar për këtë ligj. Në një përgjigje për “Zërin” ata pohojnë se nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje. “Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, duke u bazuar në normat kushtetuese e ligjore në fuqi, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje”, thuhet tutje në përgjigje.

Ministria e Financave: Deri në vendimin e Kushtetueses pagat dalin me rritje

Pas dërgimit të Ligjit për Paga në Gjykatën Kushtetuese është vënë në dyshim edhe dalja e pagave me rritje për zyrtarët publikë. Zyrtarë nga Ministria e Financave kanë sqaruar për “Zërin” se në bazë të Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, pagat do të dalin me rritje deri në një vendim të Kushtetueses.

“Për zbatimin e Ligjit për Pagat janë bërë përgatitjet për të filluar implementimi i tij në muajin dhjetor. Mjetet financiare janë në buxhet, masa e pagave e buxhetuar është më se e mjaftueshme për mbulimin e kësaj kostoje financiare. Nëse Ligji për Pagat dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë deri në marrjen e vendimit nga kjo gjykatë ligji aktual është në fuqi dhe nuk e pengon implementimin e tij nga ana e Ministrisë së Financave”, ka thënë për “Zërin” Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave.

Java e ardhshme, vendimtare për punëtorët e arsimit, të shëndetësisë e të policisë

Sindikata e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (SBASHK), Sindikata e Shëndetësisë e Kosovës (FSHK) dhe Sindikata e Policisë e Kosovës kanë paralajmëruar hapa sindikalë, duke përfshirë kështu grevat dhe protestat në rast se Gjykata Kushtetuese merr vendim për pezullimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik ashtu siç thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit.

Rrahman Jashari, nga SBASHK-u, ka bërë të ditur për “Zërin” se në rast se pezullohet Ligji për Paga në Sektorin Publik nga java e ardhshme të gjithë punëtorët e arsimit në Kosovë do të marrin hapa sindikalë. Ai nuk i përjashtoi as protestat, por as grevat. “Në javën e ardhshme do ta thërras Këshillin Drejtues të SBASHK-ut, kryetarët e niveleve komunale dhe të universiteteve që janë përfaqësues të tërë sektorit të arsimit nga çerdhet, arsimi parauniversitar e deri tek arsimi universitar. Ashtu siç vendos Këshilli Drejtues dhe kryetarët unë jam i obliguar me statut ta zbatojë atë vendim. Kam frikë se do të ketë bojkot pune, gjegjësisht grevë në shëndetësi dhe në arsim. Edhe Policia do t’i ketë reagimet e veta edhe pse në Ligjin për Grevat nuk ka të drejtë”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, pohoi se java e ardhshme është vendimtare për sa i përket hyrjes në grevë ose organizimit të protestave nga kjo Sindikatë. “Të mërkurën do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues dhe merret vendimi përfundimtar se çfarë do të ndodhë më tutje. A do të shkojmë në grevë, bojkot ose protesta, varet prej Këshillit Drejtues”, ka thënë Syla.

Në anën tjetër nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, tha për “Zërin” se në rast se nuk ndërmerret asnjë hap deri javën e ardhshme edhe kjo Sindikatë do të marrë hapa sindikalë. “Sindikata e Arsimit, ajo e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë kanë arritur në përfundim të kërkojnë një takim të hënën më së largu deri të martën me presidentin, me kryeministrin në detyrë dhe me liderët partiakë. Në rast se ata nuk marrin asnjë hap, atëherë ne të martën ose të mërkurën do t’i marrim hapat sindikalë”, ka thënë Tasholli.

Avokati i Popullit nuk informon sindikatat për kërkesën e pezullimit të ligjit

Rrahman Jashari, nga SBASHK-u, ka thënë për “Zërin” se për dërgimin e ligjit në Kushtetuese nuk e kanë marrë asnjë njoftim nga Avokati i Popullit, ndonëse për të njëjtin ligj janë konsultuar me të. “Avokati i Popullit nuk na ka dërguar asnjë shkresë neve, edhe pse ne kemi pasur një takim me të dhe ia shprehëm shqetësimet tona lidhur me Ligjin për Paga në Sektorin Publik. Avokati pavarësisht kësaj e ka dërguar ligjin në Kushtetuese. Po ashtu ai ka kërkuar edhe pezullimin e këtij ligji dhe kjo ka krijuar një situatë edhe më të acaruar në këta tre sektorë, duke e parë situatën që e kemi në arsim, në shëndetësi dhe në Polici”, ka thënë Jashari për “Zërin”.

Se nuk janë njoftuar nga Avokati i Popullit lidhur me kërkesën për pezullimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik e ka konfirmuar edhe nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli. “Ne kërkesën e Avokatit të Popullit, dërguar Gjykatës Kushtetuese, e kemi parë vetëm përmes informatave nga burimet e tjera dhe jo nga Avokati i Popullit”, ka konfirmuar Tasholli për “Zërin”.

Ndërsa Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë, bëri të ditur se kanë kërkuar edhe kërkesën e Avokatit të Popullit drejtuar Kushtetueses, por atë nuk e kanë marrë ende. “Ne jemi duke tentuar të kontaktojmë me Avokatin e Popullit, duke u bazuar në Ligjin mbi Qasjen në Dokumentet Zyrtare. Jam duke tentuar ta marrë kërkesën, të cilën e ka dërguar Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese, por ka qenë e pamundur qasja në të”, ka bërë të ditur Syla./ZËRI