S’ndalet Specialja, vazhdon intervistimin e ish-eprorëve të UÇK-së

S’ndalet Specialja, vazhdon intervistimin e ish-eprorëve të UÇK-së

Aktuale December 06, 2019 - 08:52
Detajet
Image

Edhe të enjten ka vazhduar intervistimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, teksa dje para këtij organi ka dalë ish-ushtari i UÇK-së Demush Laçi, i cili ftesën për intervistim e kishte marrë më 12 nëntor. Duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme, avokatët e akredituar nga ky institucion vlerësojnë se aktakuzat e para mund të ngrihen shumë shpejt, shkruan sot gazeta Zëri.

Ish-pjesëtarë e komandantë të UÇK-së po vazhdojnë të ballafaqohen me Prokurorinë Speciale me seli në Hagë, teksa dje vargut të intervistimeve i është shtuar edhe ish-ushtari i UÇK-së Demush Laçi dhe ish-komandanti i Njësisë Speciale të UÇK-së, i Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, Nehat Basha. Laçi e ka konfirmuar vetë ftesën për intervistim, të cilën e kishte e kishte pranuar më 12 nëntor të këtij viti. “Miq e shokë, sot (e enjte) do të intervistohem gjatë ditës nga prokurorët e Gjykatës Speciale. Faleminderit që po më shkruani dhe po më përkrahni në çdo moment, ashtu siç kam besuar para 20 vjetëve, prapë besoj se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe çlirimtare së bashku me NATO-n dhe e tillë do të mbetet edhe në të ardhmen”, ka shkruar Laçi në rrjetin e tij social “Facebook”. Ndërsa për ftesën ndaj Bashës ka njoftuar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Përmes një shkrimi në “Facebook” Gucati ka shkruar se sot ka marrë lajmin për ftesën e Bashës nga Gjykata Speciale.

Në anën tjetër, Gjykata Speciale gjatë kësaj jave ka shtyrë edhe intervistimin e kreut të PDK-së Kadri Veselit, i cili ishte njëri ndër komandantët e UÇK-së. Veseli ka pasur të intervistohet më 4 dhjetor, por nga kabineti i kryetarit të PDK-së është konfirmuar se kjo intervistë është shtyrë. “Për shkaqe teknike intervista e kryetarit Kadri Veseli në Hagë është shtyrë për datën 10 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Veselit.

Kadriaj: Specialja do të dështojë, sepse lufta e UÇK-së ishte e pastër

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Time Kadriaj, e ka quajtur lojë punën dhe krijimin e Gjykatës Speciale, e cila sipas saj është e padrejtë dhe e papranueshme. “Qëllimi i Gjykatës, e cila është krijuar me supozimet e dhëna në raportin e Dick Martyt, e dimë se çfarë është supozuar përmes këtij raporti dhe kush kanë qenë pjesëmarrësit kryesorë që është menduar se janë të përfshirë. Nuk po dihet as pse po thirren ushtarët e UÇK-së, por është duke u bërë një lojë në mënyrë që të përfshihen sa më shumë persona. Unë mendoj që kjo gjykatë do të dështojë dhe secili ushtar/e i UÇK-së do të dëshmojë se në Kosovë është bërë luftë e drejtë dhe luftë çlirimtare, prandaj drejtësia do të triumfojë”, ka thënë ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka thënë se krijimi i kësaj gjykate ka për tendencë t’i barazojë krimet e Serbisë me viktimat e Kosovës. “Tendenca që të barazohet krimineli me viktimën është e padrejtë dhe e papranueshme. Unë shpresoj që kjo gjykatë do të dështojë, sepse edhe fillimi i saj është i dështuar dhe në vazhdimësi po dëshmohet lufta e drejtë dhe çlirimtare e UÇK-së. Unë jam e lumtur që jam njëra nga deputetet që s’e kam votuar këtë Gjykatë dhe përsëri do ta bëja të njëjtën”, ka theksuar ajo.


Mundësitë për ngritjen e aktakuzave të para

Avokati Tomë Gashi, duke e komentuar punën e Gjykatës Speciale, ka thënë se aktualisht nuk mund të flitet për ngritje të aktakuzave ose për arrestimet e para, meqë, siç ka thënë ai, kjo gjë varet nga provat e siguruara nga Prokuroria Speciale. “Është paksa joserioze që dikush të flasë me data ose me muaj se kur do të fillojnë arrestimet, sepse këtë askush nuk e di përveç Zyrës së Prokurorit Special, i cili pas përfundimit të hetimeve ose gjatë hetimeve bën kërkesë për arrestimin – paraburgosjen e dikujt dhe kushtet për arrestimin - paraburgimin e kujtdo të dyshuar për vepra penale në kompetencë të Gjykatës Speciale janë të përcaktuara me ligj dhe për arrestimin e dikujt të dyshuar vendos Zyra e Prokurorit Special, ndërsa për paraburgosen e dikujt vendos gjyqtari kompetent i Gjykatës Speciale në Hagë”, ka thënë ai.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, Gashi ka theksuar se procesi i ngritjes së aktakuzave është proces i pashmangshëm, meqë për këtë gjë ekziston ligji i votuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 për ngritjen e këtij organi. “Të gjitha këto aludime se arrestimet e para do të ndodhin në dhjetor mund edhe të ndodhin, por janë më tepër hamendje, në asnjë mënyrë dëshirë e dikujt, kushdo qoftë ai, sepse asnjë shqiptar nuk e dëshiron ketë, por është e paevitueshme se një ditë do të ndodhin këto arrestime - akuzime, paraburgosje dhe gjykime të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për shkak se kështu kanë vendosur deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gashi, duke shtuar se ata kanë votuar për një gjykatë raciste kundër shqiptarëve në përgjithësi.

Ftohet edhe një ish-pjesëtar i UÇK-së nga Specialja

Të enjten ftesë nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë mori edhe ish-pjesëtari i UÇK-së Nehat Basha, i cili nuk ka dhënë datën se kur do të investohet. Këtë gjë e ka konfirmuar kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili theksoi se edhe Basha do të dalë faqebardhë sikurse çdo ushtar tjetër. “Sot mora lajmin për thirrjen e komandantit Nehat Basha nga Gjykata Speciale. Edhe ky i nderuar do të dalë faqebardhë si çdo luftëtar i drejtë i UÇK-së”, ka thënë Gucati.
Në anën tjetër, sipas OVL-së së UÇK-së, numri i ftesave të ardhura deri më tani e ka kaluar shifrën prej 150 personave, teksa ka edhe prej tyre që nuk janë paraqitur fare publikisht se kanë marrë ftesë. Sipas tyre, pikërisht muaji dhjetor mund të sjellë edhe ngritjen e aktakuzave të para. //ZERI