'Bashkimi kombëtar, përtej folklorizmit patriotik'
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, në një intervistë të dhënë për “Zërin” me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vlerësoi se viti që po lëmë pas ishte vit i marrëdhënieve të frytshme ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Minxhozit, duke e krahasuar me vitet tjera, shuma e mallrave të shkëmbyera mes të dyja vendeve kap shifrën e 270 milionë eurove, shkruan sot gazeta Zëri.
Lexo edhe: Minxhozi: Viti 2019, viti i frytshëm i bashkëpunimit Kosovë - Shqipëri
Zëri: Së fundmi u mbajtën zgjedhjet nacionale në Kosovë, ku fituese e zgjedhjeve doli një parti opozitare, e cila e ka mbështetur vazhdimisht bashkimin kombëtar. Sa besoni se kjo çështje do të vazhdojë të jetë prioritet i Vetëvendosjes dhe i Albin Kurtit nëse vjen në krye të Qeverisë?
Minxhozi: Unë bashkimin kombëtar e shikoj në një plan tjetër. Bashkimi kombëtar është për të gjitha këto që i përmendëm ne deri më tash. Që ne ta bashkojmë ekonominë, t'i heqim barrierat midis nesh, të zhvillojmë projekte e të ecim përpara, ky është bashkim kombëtar. Bashkim kombëtar në letër, të flasin me patriotizma dhe nuk çojnë përpara zhvillimin ekonomik si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, kjo është një mangësi shumë e madhe. Bashkim kombëtar do të thotë që më të mos ketë barriera, që një mall të shkojë nga Gjilani në Sarandë pa pengesa doganore, pa burokraci shtetërore, prandaj ne duhet ta zhdukim këtë diferencë, që ekziston midis nesh me shumë punë, ndryshim ligjesh, amendamente, me projekte e me gjithçka tjetër. Pra edhe z. Kurti për këtë është shprehur dhe kohëve të fundit ka thënë se ne duhet të synojmë të kemi një bashkim forcash për ta rritur ekonominë, për ta rritur zhvillimin, sepse kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne akoma nuk po i shfrytëzojmë ato resurse, të cilat i kemi midis nesh.
Zëri: Cilat sipas juve do të duhej të ishin prioritetet më të rëndësishme në rrafshin mbarëkombëtar, që do të çonin më përpara çështjen kombëtare shqiptare në rajon e më gjerë?
Minxhozi: Ekonomia, ekonomia, ekonomia!
Zëri: Cili është urimi juaj për shqiptarët me rastin e Festës së Pavarësisë?
Minxhozi: Unë uroj gjitha të mirat për çdo shqiptar kudo që ndodhet, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por kudo që jetojnë, në Amerikë, në Kanada, në Zvicër, në Itali ose kudo tjetër, ua uroj më të mirat, u uroj prosperitet, qetësi, dashuri dhe jetë të gjatë! //ZERI