Pezullohet për tre muaj Ligji për Zyrtarët Publikë, nga MAP-i kërkohet shpjegimi
Foto: Zeri

Pezullohet për tre muaj Ligji për Zyrtarët Publikë, nga MAP-i kërkohet shpjegimi

Aktuale November 22, 2019 - 08:32
Detajet
Image

Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili hyri në fuqi më 11 shtator të këtij viti, është pezulluar për tre muajt e ardhshëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ai ishte konsideruar me të meta nga Inspektorati i Punës dhe nga Avokati i Popullit e të cilët dorëzuan ankesë në Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e disa neneve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse hyri në fuqi më 11 shtator të këtij viti, zbatimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese për tre muajt e ardhshëm. Shkak për këtë gjë u bë ankesa nga Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me ligjshmërinë e disa neneve të këtij ligji. Lidhur me pretendimet e ngritura nga Avokati i Popullit Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike shpjegimin lidhur me ligjshmërinë e këtyre neneve të përfshira në Ligjin për Zyrtarët Publikë. Këta të fundit bënë të ditur për “Zërin” se brenda afatit të caktuar ligjor do t’i dërgojnë shpjegimet e tyre për çështjen e ngritur.

Ligji për Zyrtarët Publikë ka hyrë në fuqi nga 11 shtatori i këtij viti, por ai ishte konsideruar me të meta nga Inspektorati i Punës dhe nga Avokati i Popullit.

Ligji për Zyrtarët Civilë pezullohet deri në shkurt të vitit të ardhshëm

Gjykata Kushtetuese para tri ditësh mori vendim për pezullimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Ky vendim i Kushtetueses erdhi pas kërkesës nga institucioni i Avokatit të Popullit për vendosjen e masës së përkohshme për këtë ligj. Duke u bazuar në vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Ombudspersoni ka kërkuar vërtetimin e ligjshmërisë së disa neneve të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë. Kësisoj kjo Gjykatë mori vendim të miratojë masën e përkohshme deri në shkurt të vitit të ardhshëm.

“I. Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 28 shkurt 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi; II. Të pezullojë menjëherë zbatimin në tërësi të Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, në kohëzgjatje të njëjtë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Avokati i Popullit konteston ligjshmërinë e këtyre neneve

Në një përgjigje për “Zërin” Zyra për Informim e Avokatit të Popullit ka konfirmuar që në datën 8 të këtij muaji në Gjykatën Kushtetuese ka paraqitur kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë rreth Ligjit për Zyrtarët Publikë. “Avokati i Popullit, më 8 nëntor 2019, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë. Ligji Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë i jep Qeverisë së Republikës së Kosovës kompetenca për krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe zyrtarët publikë në institucionet e pavarura, si dhe në subjektet e tjera në sektorin publik, pa marrë parasysh specifikat e statusit kushtetues të këtyre subjekteve”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Në përgjigje tutje është sqaruar se Avokati i Popullit ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e dispozitave të kontestuar në këtë ligj. “Avokati i Popullit në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar se Ligji Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë nuk e ka marrë parasysh faktin se subjekte të ndryshme në sektorin publik, çështjet organizative, funksionale dhe të veprimtarisë së tyre i kanë të rregulluara në mënyrë të veçantë, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e tyre organike. Bashkë me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të dispozitave të kontestuara të këtij ligji”, bëhet e ditur në përgjigje.

Avokati i Popullit ka sqaruar që pezullimi i këtij ligji nuk ka të bëjë me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. “Për shkak të interesimit të madh të publikut, Avokati i Popullit njofton se Ligji Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë nuk ka të bëjë me çështjen e pagave në sektorin publik dhe se çështja e pagave rregullohet me Ligjin Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Sa i përket Ligjit Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Avokati i Popullit ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave, të cilat është duke i shqyrtuar. Avokati i Popullit do ta njoftojë publikun me kohë për çfarëdo veprimi, që do ta ndërmarrë lidhur me Ligjin Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”, ka konfirmuar ky institucion, shkruan tutje "Zëri".

Nga MAP-i kërkohet shpjegim për vendimin

Lidhur me vendimin e pezullimit të këtij ligjit nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Administratës Publike në një përgjigje dhënë “Zërit” pohuan se Kushtetuesja ka kërkuar nga MAP-i të dërgojë shpjegim për kërkesën e Avokatit të Popullit. “Pas pranimit të vendimit për pezullimin e Ligjit për Nëpunësit Publikë, nga Gjykata Kushtetuese është kërkuar nga kjo Gjykatë që MAP-i t’i dërgojë komentet e veta, të cilat i ka bërë Avokati i Popullit lidhur me këtë ligj”, ka thënë Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në MAP.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se kjo Ministri do t’i dërgojë këto shpjegime brenda afatit të rregullt ligjor. “Në afatin e rregullt ligjor MAP-i do t’i dërgojë komentet e veta lidhur me preokupimet e Avokatit të Popullit. Është çështje e Gjykatës Kushtetuese më pastaj të marrë vendimin e saj të pavarur përkitazi me ligjin dhe me çështjet e shtruara”, ka thënë tutje ai./ZËRI