Kurti e Mustafa diskutojnë pikat 'e nxehta' rreth marrëveshjes
Foto: Laura Hasani

Kurti e Mustafa diskutojnë pikat 'e nxehta' rreth marrëveshjes

Aktuale November 22, 2019 - 08:14
Detajet
Image

Lideri i LVV-së dhe ai i LDK-së do të takohen sot në orën 15:00 për të diskutuar rreth bashkëqeverisjes. Në kuadër të kësaj krerët e këtyre subjekteve do ta bëjnë vlerësimin e punës së arritur mes grupeve punuese lidhur me harmonizimin e programit qeverisës. Vlerësohet se në takimin e sotëm do të flitet rreth pikave më të “nxehta”, që planifikohen të jenë pjesë e marrëveshjes përfundimtare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dy javë pasi kanë përfunduar takimet mes grupeve punuese të LVV-së dhe të LDK-së është caktuar të mbahet takimi i radhës mes krerëve të këtyre partive, liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafës. Në këtë takim, siç kanë njoftuar zyrtarët e dy subjekteve, pritet të diskutohet rreth të arriturave të deritanishme të dy grupeve punuese, që kanë negociuar harmonizimin e programit. Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se nuk duhet të humbet kohë, por duhet të bisedohet rreth të gjitha temave, duke përfshirë këtu edhe postet ministrore dhe atë të kryeparlamentarit. Por nga LDK-ja i kanë thënë gazetës se për pozita do të flitet vetëm pas certifikimit të rezultateve. Sidoqoftë, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se para se të arrihet marrëveshja finale mes dy subjekteve duhet të ketë dakordim edhe rreth postit të presidentit. Kjo pozitë, siç janë shprehur përfaqësuesit e LDK-së, duhet t’i takojë partisë e cila aktualisht udhëhiqet nga Isa Mustafa. Njohësit e çështjeve politike thonë se posti i kreut të shtetit nuk duhet të bëhet pjesë e pazareve politike mes LVV-LDK-së. Sido që të jetë, ata konsiderojnë se takimi i sotëm në fokus do t’i ketë pikat më të “nxehta”, që mëtohen të jenë pjesë e marrëveshjes finale.

Kurti: Të mos humbim kohë, t’i hapim temat

Gjersa ka folur rreth takimit të sotëm, lideri i LVV-së Albin Kurti ka thënë se aty do të diskutohet rreth mundësive për formalizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Kurti me këtë rast ka bërë të ditur se do të bisedohet edhe rreth çështjeve për të cilat grupet punuese kanë arritur dakordim, por edhe për temat që nuk janë diskutuar akoma mes palëve. “Do të diskutojmë për të arriturat e deritanishme të dy grupeve punuese, që kanë negociuar harmonizimin e programit tonë, i cili është përfunduar në masën 80 për qind. Shpresoj se do të diskutojmë edhe për ato që kanë ngelur pa u diskutuar, duke përfshirë këtu edhe programin, por njëkohësisht edhe atë se si është më mirë të vazhdojmë sa i përket ndarjes së përgjegjësive ekzekutive”.

Kreu i LVV-së nuk ka mohuar se në vijim do të mundë të diskutohet edhe rreth pozitës së presidentit, megjithatë ka thënë se fokusi i bisedave duhet të jetë te disa poste të tjera. “Ne do t’i diskutojmë me kryetarin e LDK-së këto çështje, por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta. Karriget e zbrazëta janë të kryeministrit, të ministrave, të kryeparlamentarit e të zëvendëskryeministrave. Mendoj që kjo është më urgjentja që e kemi. Meqë shpeshherë gjërat nuk përfundojnë me një takim, është mirë që sa më parë t’i diskutojmë këto punë”, ka nënvizuar ai.

Ndaj i pari i Vetëvendosjes ka konsideruar se tashmë është koha të hapen temat mes dy subjekteve. “Besoj që është mirë t’i diskutojmë të gjitha, sepse në fillim të javës së ardhshme do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe është mirë të mos humbim kohë. Nuk është e thënë që do t’i mbyllim temat, por është koha t’i hapim ato”, ka shtuar Kurti.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se në takimin e sotëm do të bëhet një vlerësim rreth të arriturave të deritanishme. “Do të vlerësojmë bashkërisht se deri ku është arritur me harmonizimin e programit qeverisës, si dhe për disa çështje që i paraprijnë marrëveshjes për Qeveri”.

Kurse zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka mohuar për gazetën se sot do të flitet për poste. “Jo, do të diskutohet vetëm deri ku kanë mbërritur grupet punuese në përafrim të planprogrameve. Për poste, tek pas certifikimit të rezultateve”, ka deklaruar ai, gjersa ka njoftuar se takimi i sotëm do të mbahet në orën 15:00.

Gjersa ka komentuar zhvillimet rreth bisedave mes LVV-së e LDK-së, njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj ka thënë se në takimin e sotëm mes krerëve të dy partive do të diskutohen pikat më të nxehta rreth arritjes së marrëveshjes përfundimtare. “Të premten mund të jetë vetëm një takim, ku mund të diskutohen pikat e nxehta të marrëveshjes, për shkak se tashmë pjesa kryesore e programeve është harmonizuar nga ekipet e ekspertëve. Mund të jetë ndoshta një paramarrëveshje mes tyre, në mënyrë që në momentin kur të certifikohen rezultatet të ketë edhe një marrëveshje të shkruar, por nuk pres të ketë diçka finale në këto momente”, ka deklaruar ai.

Insistimi për postin e presidentit

Janë bërë disa javë prejse zyrtarët e LDK-së po insistojnë se posti i presidentit duhet të bëhet pjesë e marrëveshjes me LVV-në.

Lidhur me këtë së fundi ka folur edhe anëtari i Kryesisë së këtij subjekti, Muharrem Sfarqa, i cili ka thënë se LDK-ja nuk hyn në koalicion me Vetëvendosjen në rast se Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk i ofrohet pozita e presidentit. “LDK-ja nuk hyn me Vetëvendosjen në koalicion pa e marrë presidentin. Nëse ata duan ta bëjnë vetë, le të hyjnë pra. Posti i presidentit mund ta prishë koalicionin LDK – LVV”, ka deklaruar ai.

Po që se nuk flitet paraprakisht për pozitën e kreut të shtetit, sipas tij, ka rrezik të shkohet sërish në zgjedhje të reja. “Për hir të stabilitetit të kësaj qeverie posti i presidentit duhet të jetë në tavolinën për bisedime dhe marrëveshje. Është me rëndësi që kjo të jetë çështje e LDK-së se kë do ta nominojë për president”, ka potencuar Sfarqa.

Por Arton Demhasaj ka vlerësuar se pozita e presidentit nuk do të duhej fare të bëhej pjesë e pazareve politike. “Në këtë moment nuk duhet fare të diskutohet rreth postit të presidentit, për shkak se kemi akoma një president i cili ka mandat të paktën edhe një vit e gjysmë. Duhet të mendohet nga ana e këtyre dy forcave politike që po pretendojnë ta krijojnë qeverinë e ardhshme, që ta vendosin një standard të ri, ku pozita e presidentit të mos bëhet më pjesë e pazareve politike”, ka theksuar ai./ZËRI