LVV: S’duam kushte, Kurti kryeministër fakt i pakontestueshëm

LVV: S’duam kushte, Kurti kryeministër fakt i pakontestueshëm

Aktuale November 21, 2019 - 22:18
Lexoni detajet!

Dy partitë opozitare në legjislaturën e kaluar, LVV-ja dhe LDK-ja, të cilat në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet, tashmë disa muaj po negociojnë për arritjen e një koalicioni paszgjedhor. Ndonëse të dyja partitë deklarativisht thonë se janë në prag të nënshkrimit të marrëveshjes, është LDK-ja ajo e cila ka potencuar se nuk dëshiron që me LVV-në të udhëheqë me numër të barabartë dikasteresh qeveritare. Madje kandidatja për kryeministre nga radhët e kësaj partie, Vjosa Osmani, kishte thënë se pozita e kryeministrit ka barasvlerë sa katër ministri, shkruan "Zëri".

Derisa LDK-ja po kërkon që pozita e kryeministrit të barasvlerësohet me katër ministri, përfaqësues të Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar ashpër një gjë të tillë.

Haki Abazi, nga ky subjekt, ka thënë për “Zërin” se pozita e kryeministrit nuk është pjesë e negociatave dhe se populli i Kosovës ka votuar që Albin Kurti të jetë kryeministri i ri i vendit.

“Pozita e kryeministrit nuk vendoset brenda asnjë lloji të negociatave për arsyen e thjeshtë sepse kryeministri votohet nga qytetarët. Pra kjo pozitë është e caktuar nga qytetarët dhe marrëveshja jonë para zgjedhjeve ishte që ai subjekt dhe ai kandidat që merr më së shumti vota bëhet kryeministër”, ka thënë Abazi për "Zërin".

Kësisoj ai ka vlerësuar se edhe LDK-ja, edhe të gjitha partitë e tjera duhet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve kosovarë.

“Pra, ne duhet të jemi të sinqertë para votuesve para së gjithash, jo vetëm LDK-ja, por të gjithë, që kryeministri, z. Kurti, është caktuar nga sovrani dhe nuk është që dikush tjetër mund të mos ia japë këtë pozitë. Kryeministri pra caktohet nga sovrani, pozitat tjera mandej mund të jenë në bazë të marrëveshjeve që janë të domosdoshme për shkak të sistemit zgjedhor në Kosovë”, ka shtuar ai.

Ndërsa Albulena Haxhiu, anëtare e Kryesisë së LVV-së, duke i komentuar kërkesat e LDK-së, në një deklaratë ka thënë se deri tash vetëm emri për pozitën e kryeministrit është i sigurt dhe se nuk është diskutuar asnjë pozitë tjetër.

E nëse LDK-ja do t’ua vinte kusht pozitën e presidentit, zyrtarja e lartë e LVV-së thotë partia e saj nuk pranon me çdo kusht bashkëqeverisjen, duke mos e përjashtuar as mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Nuk pranojmë të bashkëqeverisim bash gjithqysh. Në asnjë mënyrë nuk mund të përjashtohet mundësia e zgjedhjeve”./ZERI