Qindra vdekje të parakohshme, a do të merret dikush me alarmin që u dha për ndotjen e ajrit?
Dje organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve kanë alarmuar se për shkak të ndotjes së ajrit në Kosovë shkaktohen 852 vdekje të parakohshme. Pas kësaj edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka ngritur alarmin duke bërë me dije se ndotja e ajrit kosovarëve po u sjellë sëmundje të ndryshme, në mesin e tyre edhe kancerin.Por, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë thuajse asgjë sa i përket masave për përmirësimin e gjendjes për cilësinë e ajrit edhe pse në Ministrinë e Ambientit thonë se kanë ngritur një task forcë
Në stinën e dimrit kosovarëve tradicionalisht u vështirësohet frymëmarrja. Por pavarësisht se Kosova me vite ballafaqohet me një problematikë të tillë, institucionet e vendit po bëjnë pak për ta përmirësuar situatën. Megjithatë, ajri i ndotur, i rrezikshëm për shëndetin mbetet shqetësim për qytetarët si dhe për institucionet shëndetësore që tashmë kanë alarmuar.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina dhe disa qytete të tjera si Obiliqi, Mitrovica, Gjilani, Drenasi e Peja, ka një kohë të gjatë që përballen me këtë problem, por alarmi zakonisht ngrihet në vjeshtën e vonë dhe në dimër, kur matësit e nivelit të ndotjes së ajrit kanë marrë më shumë vëmendje.
Vitin e kaluar, në Prishtinë, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, për dy ditë, ishte ndaluar qarkullimi i veturave në zonën qendër, duke lejuar vetëm lëvizjen e autobusëve urban dhe taksive.
E ndalimi i qarkullimit të veturave e ndalimi i importimit të atyre të vjetërsuara, po kërkohet edhe sivjet nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ky institucion shëndetësor së fundmi ka alarmuar për shkallën e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë.
Sipas IKShP’së, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole i cili vërehet gjithandej. Ata kanë thënë që vlera e ndotjes në Prishtinë pritet të jetë disa herë më e madhe se vlerat e normale. Rreziqe këto të cilat sipas Institutit Kombëtar kosovarëve po iu sjellin sëmundje të ndryshme, në mesin e tyre edhe kancerin.
“Urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet. Të reduktohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat. Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta”, bënë me dije IKShP.
Mirëpo nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë deklaruar për Express se në qershorin e vitit të kaluar kanë përgatitur Planin e Veprimit për Cilësinë e Ajrit. Mirëpo i njëjti ende nuk është miratuar në Kuvend.
“MMPH ka përgatitur Planin e Veprimit për Cilësinë e Ajrit, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës, 05.06.2018. Po ashtu MMPH ka hartuar edhe projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, i cili ka mbetur në Kuvend për tu miratuar në lexim të dytë”, thuhet në përgjigjen e MMPH’së.
Mirëpo nga ky institucion shtetëror kanë deklaruar se është përgatitur edhe task forca ndërministrore për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.
“ Në kuadër të kësaj task force kemi ndërmarrë disa vendime e veprime të cilat sigurisht që do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së ajrit në vend: Ndalimi i përdorimit të thëngjillit në Shkolla; Vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike; U.A për matjen e gazrave te veturave- nga muaji qershor MI ka filluar fazën testuese të implementimit; Ndërrimi i filtrave tek TC KOSOVA A, 78 milion euro- BE, marrëveshja është ratifikuar në Kuvend; Vendim- Ndalimi i dhënies falas për punëtorët e KEK-ut; Softueri për ajrin funksional- ëëë.kosovoairëuality.com; Projekti i JICA në lidhje me faktorët e ndotjes së ajrit, vendosja e monitorëve ne Kryeqytet si dhe rehabilitimi i stacioneve për matjen e cilësisë së ajrit; Projekti i MCC-së, Modernizimi i Rrjetit të monitorimit, ndërtimi i stacioneve te reja për monitorimin e ajrit, krijimi i softuerit të përhershëm për paraqitjen e te dhënave në kohe reale mbi cilësinë e ajrit”, thuhet në përgjigjën e zyrtarë të ministrisë dhënë Gazetës Express.
E megjithëkëtë, Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar urgjentisht nga autoritetet kompetente që të përpilojnë një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sidomos në kryeqytet, largimin nga përdorimi i veturave të vjetra dhe veturat pa katalizator dhe masa të tjera.
Kosova ndërkohë është në proces të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e re’, e cila si e tillë është duke u kundërshtuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtje të mjedisit.