S’ka asnjë lëvizje për viza, premtimet vazhdojnë
Foto: Laura Hasani

S’ka asnjë lëvizje për viza, premtimet vazhdojnë

Aktuale nëntor 12, 2019 - 08:04
Lexo Detajet
Image

Insistimi i kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, se heqja e vizave për kosovarët do të ndodhë këtë fundvit po vazhdon, teksa çdo ditë e më shumë po zbehen gjasat reale që ky proces të marrë dritën e gjelbër nga shtetet anëtare të BE-së.

Lëvizjen e lirë të Kosovës vazhdojnë të mos e përkrahin Franca, Belgjika, Holanda e Danimarka, derisa pro këtij procesi mbetet e vetme Gjermania, shkruan sot Gazeta Zëri.

Kreu i Qeverisë në detyrë Ramush Haradinaj po vazhdon të insistojë se heqja e vizave për Kosovën do të ndodhë në fund të nëntorit, eventualisht në dhjetor të këtij viti, pavarësisht se Këshilli i Ministrave të BE-së ende nuk e ka futur në agjendë këtë proces. Haradinaj heqjen e vizave e ka premtuar pothuajse në secilën paraqitje të tij publike si kryetar i Qeverisë, teksa një gjë të tillë e bëri edhe javën që lamë pas, me ç’rast theksoi se me t’u formuar Qeveria e re liberalizimi i vizave do të ndodhë.

“Liberalizimi i vizave është vonuar shumë, jemi të pakënaqur për faktin që është vonuar kaq shumë. Megjithatë procesi është në finale të veten, në ditët e para të Qeverisë së re mund të ndodhë liberalizimi i vizave”. Po ashtu ai ka deklaruar se ky proces mund të shtyhet më së largu deri në dhjetor të këtij viti.

“Pra, një pjesë e punës mund të ndodhë edhe tani në fund të nëntorit, por presim zhvillime pozitive në dhjetor për liberalizimin. Hyrja në fuqi e vendimit mund të vonohet ndonjë javë, por jo me muaj, po presim seriozisht të ndodhë”, ka deklaruar Haradinaj javën e kaluar. Por pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të Haradinajt dhe të zyrtarëve të tjerë të Qeverisë aktuale, njohësit e çështjeve të integrimeve i kanë thënë “Zërit” se liberalizimi për kosovarët nuk do të ndodhë as gjatë këtij viti. Kjo për shkak se këtë proces vazhdojnë ta kundërshtojnë ashpër shtetet e BE-së, si Franca, Belgjika, Holanda e Danimarka.

Muja: Parisi, çelësi i heqjes së vizave për Kosovën

Njohësi i çështjeve integruese, Armend Muja, për “Zërin” ka thënë se vlerëson që Parisi i Francës mbetet çelësi për heqjen e vizave për Kosovën, teksa këtë proces përpos Francës po e kundërshtojnë edhe shumë shtete të tjera të BE-së. “Çelësi i liberalizimit të vizave për Kosovën është në Paris. Krahas Francës, kundërshtim të fuqishëm ndaj liberalizimit dhe zgjerimit kanë edhe Belgjika, Holanda dhe Danimarka. Vizat nuk mund të liberalizohen praktikisht pa u hequr kundërshtimi francez”, ka thënë Muja.

Duke u bazuar në situatën aktuale, lëvizje në drejtim të liberalizimit për vizat e Kosovës mund të ketë tek në qershor të vitit 2020. “Këtë vit nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën. Diskutimet e para në lidhje me Kosovën dhe liberalizimin e vizave mund të ndodhin tek pas zgjedhjeve lokale në Francë (mars 2020). Është më reale të pritet që çështja e liberalizimit të vizave me Kosovën të jetë në agjendë në qershor 2020”, ka shtuar më tutje ai.
Autoritetet kosovare deri atëherë, sipas Mujës, duhet të shfaqin rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në depolitizimin e administratës publike, si dhe të mënjanojnë ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë. “Deri atëherë Kosova duhet të ndërmarrë hapa më të fuqishëm drejt luftimit të joformalitetit, krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta qeverisëse. Gjithashtu duhet të trajtojë 10 kritikat e listuara në deklaratën e fundit të Këshillit të Evropës (duke përfshirë nepotizmin, politizimin e administratës dhe ndërhyrjen në drejtësi)”, ka potencuar Muja.

Shasha: Gjermania, shpresa e vetme e Kosovës për vizat
 

Demush Shasha, nga instituti EPIK, për “Zërin” ka numëruar faktorët që janë duke e penguar heqjen e vizave, duke theksuar mungesën e rezultateve konkrete të institucioneve kosovare në luftën kundër korrupsionit, bllokimin e dialogut Kosovë – Serbi etj. “Janë katër faktorë që janë duke e penguar heqjen e vizave e ndër ta është mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tre vjet e gjysmë pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundi edhe qëndrim zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës”. Sipas tij, në mënyrë jodirekte pengesë për heqjen e vizave për Kosovën mbetet edhe bllokimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte, pasi vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Po ashtu brenda BE-së janë disa vende të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këto vende kyçe kundër janë Franca, Holanda dhe Danimarka”. Po ashtu Shasha thotë se shpresat për liberalizim mbeten te Kroacia dhe te Gjermania, që do të jenë në krye të Presidencës së BE-së në vitin e ardhshëm. “Gjatë vitit 2020 Presidenca e BE-së do të kalojë te dy vende mike të Kosovës: Kroacia (1 janar – 30 qershor 2020) dhe Gjermania (1 korrik – 31 dhjetor 2020). Prandaj ekziston mundësia që çështja e liberalizimit të vizave të përkrahet nga dy presidencat respektive”, ka potencuar ai.
 

Vizat, temë diskutimi në takimin Makron – Thaçi
 

Presidenti Hashim Thaçi në një njoftim për medie të hënën ka bërë të ditur se do të kërkojë nga homologu i tij francez, Emannuel Macron, liberalizimin e vizave për kosovarët. Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se Thaçi do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në fillim të Forumit të Paqes në Paris. Para darkës presidenti Thaçi do të ketë një takim me presidentin Macron, me të cilin do të bisedojë për perspektivën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë te nevoja për një vendim të menjëhershëm dhe meritor për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit. Ndërkohë, pas këtij takimi Thaçi të martën do të flasë në një panel të veçantë për sukseset dhe për sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë.