Haxhiu për akuzat e Limajt: S’ka faj Vetëvendosje që Nisma qeverisi në mënyrë abuzive

Haxhiu për akuzat e Limajt: S’ka faj Vetëvendosje që Nisma qeverisi në mënyrë abuzive

Aktuale nëntor 08, 2019 - 18:08
Detajet

Ditë më parë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, hodhi akuza ndaj Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se po t’iu ndodhte atyre kjo që i ndodhi partisë së tij, do ta kallnin Prishtinën.

Kjo pasi që, sipas Limajt, partia e Kurtit, nuk po i kundërshton votat e ardhura me postë nga Serbia, e të cilat ia pamundësuan koalicionit NISMA/AKR/PD, kalimin e pragut.

Por, deputetja më e votuar e legjislaturës së ardhshme, Albulen Haxhiu, në një përgjigje për Gazeta Blic, i është përgjigjur akuzave të Limajt.

Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2014 dhe 2017, i ka kundërshtuar votat e ardhura nga Beogradi, atëherë kur sipas saj, Fatmir Limaj, nuk e thoshte asnjë fjalë për këtë gjë.

“Anëtarët tanë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, qysh në fillim të procesit zgjedhor kanë kontestuar çertifikimin e Listes Serbe, një subjekti politik që kontrollohet nga Beogradi. Megjithate ndonëse e kemi kontestuar, ky subjekt politik është certifikuar nga KQZ. Me tutje dy herë radhazi dhe jo vetëm në këto zgjedhje por edhe ne 2014 e edhe ne 2017 kemi kundërshtuar kontrabandiminin e votave nga Serbia, fatkeqësisht kemi qenë te vetëm në kërkesat tona”, ka thënë Haxhiu për Gazeta Blic.

Po ashtu, sipas Haxhiut, Vetëvendosje, në këto zgjedhje, kishte qenë kundër certfikimit të Listës Serbe nga ana e KQZ-së, në mënyrë që kësaj partie t’i pamundësohet garimi në zgjedhjet e 6 tetorit.

Për një gjë të tillë, Haxhiu thotë se nuk e morën mbështetjen e as të Fatmir Limajt.

Haxhiu shkon edhe më tej, duke ia kujtuar Fatmir Limajt, se kishte qenë ai i cili ka qenë në qeveri me Listën Serbe, duke thënë se vetëm kur mbeti jashtë pragut zgjedhor, po i doket problem kjo parti.

“Fatmir Limaj sapo ka dalur nga koalicioni me Listën serbe. Asnjëherë nuk e kontestoi, as ai as partia e tij Listën Serbe. Tani kur qytetarët vendosen që partia e tij të mbetet jashtë pragut, fajet për kete nuk i ka Lëvizja, por keqeverisja abuzive e Nismes gjatë mandatit dy vjeçarë. Tek tani kur mbeti jashtë pragut, po i duket problem lista serbe por kjo nuk është parimore”, ka shtuar Haxhiu.

Në fund, zyrtarja e lartë e VV-së, shton se këto akuza ndaj tyre, nuk i bëjnë punë as Nismës, e as Fatmir Limajt.

“Prandaj mesazhin qe i kanë dhënë qytetarët, le ta marrin seriozisht. Akuzat e paqëndrueshme ndaj Lëvizjes, nuk i bëjnë punë”, ka thënë në fund Albulena Haxhiu.