Votat nga Serbia e përcaktojnë fatin e Nismës dhe të AKR-së

Votat nga Serbia e përcaktojnë fatin e Nismës dhe të AKR-së

Aktuale November 04, 2019 - 10:18
Detajet
Image

Anëtarë të koalicionit Nisma - AKR kanë thënë për gazetën se nëse në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit hyjnë edhe votat e ardhura nga Serbia, atëherë ata rrezikohen edhe më shumë që të mos e kalojnë pragun zgjedhor. Sipas tyre, nëse nuk numërohen këto vota ata do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, shkruan gazeta "Zëri".

Koalicioni Nisma - AKR ende nuk e ka të sigurt kalimin e pragut zgjedhor, ndonëse anëtarë të këtyre dy subjekteve vazhdimisht janë shprehur optimistë se do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ajo çfarë i frikëson anëtarët e këtij koalicioni janë votat e ardhura nga Serbia, pasi nëse ato përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, atëherë Nisma dhe AKR-ja nuk do të kenë vota të mjaftueshme për ta kaluar pragun.

Anëtarë të AKR-së kanë thënë për “Zërin” se nëse nuk numërohen votat e ardhura nga shteti serb, atëherë ata do ta kalojnë pragun, porse nëse ndodh e kundërta gjasat janë shumë të mëdha që ky koalicion të mos jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në lidhje me votat e ardhura nga Serbia koalicioni Nisma - AKR kishte bërë edhe ankesë që të anulohen si të parregullta këto fletëvotimet, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ditë më parë e ka hedhur poshtë ankesën duke e quajtur atë si të pasafatshme. Megjithatë nga Nisma Socialdemokrate kishte thënë se kundër këtij vendimi të PZAP-it do të ankohen në Gjykatën Supreme.

Makolli: Kemi kaluar pragun, por votat nga Serbia na rrezikojnë

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë për “Zërin” se votat e ardhura nga Serbia e rrezikojnë koalicionin Nisma - AKR. Sipas tij, nga të dhënat që kanë deri tani, ata e kanë kaluar pragun, por që votat nga Serbia mund ta ndryshojnë rezultatin. “Ne nga KQZ-ja zyrtarisht nuk e kemi të konfirmuar, por ne kemi informata nga njerëzit tanë, në qoftë se largohen votat e ardhura nga Serbia, pasi neve na merr mendja se janë jashtë rregullave juridike, atëherë ne jemi brenda sigurisht. Por me këto vota serbe ne jemi shumë në rrezik. Kemi disa informacione që jemi brenda, por jemi shumë të rrezikuar. Pa votat serbe ne jemi brenda diku për 100 vota. Me votat serbe ne jemi ndoshta nën prag”, ka thënë ai.

Makolli ka theksuar se janë duke shpresuar që gjykata do të vendosë që votat e ardhura nga Serbia të mos numërohen. Sipas tij, në rast se ata e kalojnë pragun AKR-ja do të ketë dy ulëse në Kuvend, ndërsa Nisma 4. “Ne kemi bërë kërkesë, sepse ato kanë ardhur me vonesë dhe është e mundur që janë mbushur nga një dorë ose dy-tri duar, sepse e dimë se çfarë mund të përgatisin ata. Ka shumë predispozita që ato mund të eliminohen. Po shpresojmë që gjykata do të vendosë që ato të largohen”, ka theksuar ai, shkruan "Zëri".

Edhe nga Nisma Socialdemokrate janë shprehur se e kanë kaluar pragun zgjedhor edhe pas numërimit të mbi 5 mijë votave të diasporës. Nga ky subjekt është thënë ditë më parë se kanë marrë 5,012 për qind të votave. “Pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta, atyre me kusht, votave të ardhura nga diaspora me kohë dhe të atyre me vonesë Nisma dhe koalicioni ynë ka marrë mbi 42 mijë vota ose 5,012% të votave. Tendencat që përmes votave të kontrabanduara nga Serbia të minohet rezultati i dalë nga vullneti i rreth 839 mijë votuesve brenda dhe jashtë Kosovës janë të papranueshme”, është thënë nga ky subjekt.

Baraliu: Nisma e AKR-ja vështirë se do ta kalojnë pragun

Njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese në vend Mazllum Baraliu ka thënë për “Zërin” se Nisma dhe AKR-ja e kanë të vështirë ta kalojnë pragun. Sipas tij, këto dy subjekte kanë pësuar një debakël të madh në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Sa më shumë që rritet numri i votave me numrin e votave të kontingjentit të fundit, pra pakove të diasporës, Vetëvendosja e të gjitha partitë tjera do të marrin më shumë se Nisma dhe Nismës do t’i rritet pragu. Rendi nuk është në favor të Nismës, përveç nëse ajo edhe në këtë kontingjent ka 700 e 800 vota. Nisma e ka të vështirë ta kalojë pragun dhe është herët të thuhet se ata e kanë kaluar pragun, por këtë e bëjnë për efekte politike dhe thjesht për ruajtjen e imazhit të partisë, sepse është një debakël i madh që është pësuar nga gjitha partitë e koalicionit PAN dhe Nisma edhe më keq nuk ka arritur ta kalojë pragun”, ka deklaruar ai, shkruan tutje "Zë7ri".

Baraliu ka thënë se në rast se Nisma dhe AKR-ja do ta kalonin pragun, atëherë një gjë e tillë do të ndikonte negativisht te Lëvizja Vetëvendosje dhe te Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat po synojnë të bëjnë një koalicion qeverisës. Me kalimin e pragut nga ky koalicion, atëherë Vetëvendosjes dhe LDK-së do t’u merren disa ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Në qoftë se Nisma kalon pragun prej 5 për qind, atëherë dy partive të para u prishen planet, sepse 6 deputetë u merren partive të para. Vetëvendosjes mund t’i merren dy, si dhe partive tjera mund t’u merren. Ata nuk munden me 3 deputetë më pak t’i kenë 61 deputetë, siç kanë tani dhe nuk mund të kenë një qeveri të suksesshme e të sigurt për t’i shtyrë përpara vendimet në Qeveri dhe në Kuvend. Kjo sjell një destabilitet dhe pasiguri të këtyre dy partive”, ka shtuar ai./ZËRI