Rrugët llom të Prishtinës

Rrugët llom të Prishtinës

Aktuale October 30, 2019 - 07:56
Lexoni detajet!
Image

Rruga “Hasan Remniku” në Prishtinë është njëra ndër ato, në të cilën punimet e filluara për rikonstruktimin e saj shkaktuan vështirësi të mëdha te banorët. Që nga mesi i muajit gusht banorët u detyruan të gjejnë rrugë alternative për t’i shmangur gropat e shumta, që mbetën nga punimet në këtë rrugë. Si kjo rrugë janë edhe disa të tjera në kryeqytet, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Komuna e Prishtinës së fundmi ka ndarë 141.234 euro për kryerjen e disa punimeve shtesë në kuadër të rindërtimit në rrugën “Hasan Remniku”, në lagjen “Kolovicë” të kryeqytetit.

LEXO EDHE: Ecja e ngadaltë e LVV - LDK-së për marrëveshjen finale

Komuna i ka dhënë tender kompanisë “Ledi Ing” për kryerjen e punimeve shtesë në këtë rrugë, e cila qysh nga mesi i gushtit të këtij viti është në gjendje të mjerueshme.

Banorët e kësaj lagjeje për “Zërin” kanë thënë se punimet janë zvarritur për disa muaj e që vetëm tani kanë rifilluar të bëhen disa renovime në të, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Sipas tyre, në këtë gjendje të rrugës më së vështiri është qarkullimi me vetura, për shkak se rruga në çdo pjesë ka gropa dhe shpesh ata detyrohen të gjejnë rrugë alternative për t’u lidhur me rrugën kryesore.

“Kjo rrugë është në këtë gjendje qysh nga mesi i muajit gusht të këtij viti. Fillimisht punimet filluan për kanalizim dhe më pas rruga mbeti ashtu. Vështirësi po kemi në qarkullim me vetura. Gjatë kësaj kohe është dashur të gjejmë rrugë alternative për t’u lidhur me rrugën kryesore, sepse qarkullimi me veturë është i vështirë”, ka thënë Murat Maliqi, banor në rrugën “Hasan Remniku”, në Prishtinë.ImageRruga "Hasan Remniku" në lagjen Kolovica në Prishtinë. 

Të kontaktuar nga “Zëri” zyrtarë për informim në Komunën e Prishtinës nuk kanë dhënë detaje lidhur me realizimin e projekteve nga Komuna. Në përgjigjen e tyre të shkurtër ata thanë se të gjitha projektet dhe tenderët janë të publikuara në uebfaqen zyrtare të Komunës.

Për 9 muaj shpenzohet vetëm 20% e buxhetit për shpenzime kapitale

Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2019 Komuna e Prishtinës ka shpenzuar vetëm 20% të buxhetit për shpenzime kapitale, në kuadër të së cilës bëjnë pjesë edhe shpenzimet për projektet infrastrukturore.

Këtë gjë e ka bërë të ditur për “Zërin” asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Agim Gashi.

“Këtë vit ka pasur 48 milionë euro për investime në infrastrukturë, ndërsa për 9 muaj Komuna ka realizuar vetëm 20% të projekteve të planifikuara, por dihet se ka pasur dhe buxhet të bartur nga viti paraprak e projekte të bartura nga viti i kaluar. Do të thotë që Komuna ka shpenzuar diku rreth 6 milionë e 900 mijë euro”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, ky është dështimi më i madh që është bërë ndonjëherë në qeverisjen e Prishtinës.

“Ky është dështimi më i madh në qeverisjen e Komunës së Prishtinës, sepse ky ekzekutiv pavarësisht përpjekjes së opozitës që të ndihmojë në planifikim të mirë, është ekzekutivi më i padijshëm që e ka pasur ndonjëherë Komuna e Prishtinës. As një projekt nuk është planifikuar në bazë të nevojave dhe të kërkesave të qytetarëve dhe mbi rezultatet e një analize paraprake, por është planifikuar ad hoc, aty për aty, nën ndikimin e emocioneve politike. Gjatë këtij viti Komunës së Prishtinës do t’i teprojnë mbi 38 milionë euro dhe ato do të barten në vitin vijues”, ka thënë tutje asamblisti i LDK-së në Komunë.

Në anën tjetër Egzon Azemi, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunë, fajin për dështimin e projekteve kapitale në kryeqytet e ka hedhur te keqmenaxhimi dhe te keqplanifikimi i projekteve.

“Ky është edhe keqmenaxhim, edhe keqplanifikim. Shifra e fondeve që po tepron është jashtëzakonisht e lartë, ndërsa nevoja e kërkesa e qytetarëve për investime është jashtëzakonisht e madhe, gjithashtu. Të dyja janë në proporcion me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.

Edhe Azemi theksoi se buxheti për projekte kapitale nuk është duke u shfrytëzuar, teksa potencoi se rritje të buxhetit po ka vazhdimisht për paga dhe për mëditje.

“Ne sot kemi pasur mbledhjen e KPS-së, në të cilën edhe kemi marrë disa materiale të raportit buxhetor dhe në atë raport për tremujorin e fundit të këtij viti dhe nëse e krahason me vitin paraprak shihet se ku po shpenzohet buxheti dhe sheh ku po bie buxheti. Rritje vazhdimisht ka te pagat dhe te mëditjet. Nëse i krahasojmë me tremujorin e vitit të kaluar është përafërsisht gjysmë milioni euro më shumë për paga, ndërsa te shpenzimet kapitale ka pasur fare pak, për të mos thënë hiç investime”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndërsa sipas Vesel Makollit, asamblist i Aleancës Kosova e Re, problem po del të jenë procedurat, duke veçuar atë të tenderimit, të cilat po marrin kohë.

“Nuk do ta kisha cilësuar si keqmenaxhim dështimin e realizimit të projekteve. Janë disa procedura, e sidomos rreth tenderimit që po marrin shumë kohë. Pastaj po dalin edhe disa punëkryes që nuk janë fare azhure. Ndërsa për sa i përket Drejtorisë që merret me këto gjëra të gjitha realizohen në kohë”, ka thënë Makolli.

INPO: Keqplanifikimi dhe keqmenaxhimi - shkaku i dështimit të projekteve

Buxheti i ndarë për projektet kapitale e ku bëjnë pjesë edhe ato infrastrukturore në Komunën e Prishtinës, sipas zyrtarëve nga Iniciativa për Progres (INPO), po del të jetë relativisht i kënaqshëm krahasuar me komunat e tjera të Kosovës.

Sipas Qëndrim Arifit nga kjo organizatë, Prishtina gëzon buxhet shtesë si pasojë e Ligjit për Kryeqytetin.

Tutje ai deklaroi se buxheti nuk paraqet problem për realizimin e projekteve infrastrukturore.

“Komuna e Prishtinës ka buxhet relativisht të kënaqshëm, sidomos nëse e krahasojmë me komunat tjera të Republikës së Kosovës. Gjithashtu ajo gëzon edhe buxhet shtesë si pasojë e Ligjit për Kryeqytetin. Një shumë jashtëzakonisht e lartë e buxhetit të Komunës së Prishtinës ndahet për investime kapitale, ku bëjnë pjesë edhe projektet infrastrukturore”, ka thënë ai për “Zërin”.

Planifikimi dhe menaxhimi i projekteve në mënyrë joprofesionale, sipas Arifit është arsyeja e mosfillimit dhe e ngecjes së projekteve në Komunë.

“Problemi i mosfillimit dhe i ngecjes së projekteve qëndron në planifikim dhe në menaxhim, të cilat nuk bëhen në mënyrë profesionale. Sa i përket planifikimi Komuna bën një planifikim të dobët, sepse gjatë projekteve të caktuara infrastrukturore llogarit vetëm koston e punëve, duke anashkaluar koston e shpronësimeve. Pra fillohen punët pa u definuar problemet pronësore dhe si pasojë e kësaj kemi ngecje, sepse nuk është përgjegjësi e operatorëve ekonomikë t’i zgjidhin këto probleme”, ka thënë ai.

Ndërsa duke folur për menaxhimin e projekteve, hulumtuesi i INPO-s ka thënë se Komuna nuk e mbikëqyr zbatimin e projekteve dhe kësisoj operatorët ekonomikë i tejkalojnë afatet kohore.

“Menaxhimi i dobët konsiston në atë që Komuna thuajse fare nuk mbikëqyr zbatimin e projekteve të caktuara dhe si pasojë e kësaj operatorët ekonomikë të papërgjegjshëm tejkalojnë afatet kohore lidhur me projektin e caktuar, sepse nga Komuna mungojnë masat ndaj tyre ashtu siç parashihen me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me rregulloret përcjellëse. Pra problematika është e mbështetur në dy faktorë kyçë: te keqplanifikimi dhe në keqmenaxhim”, ka thënë Qëndrim Arifi, nga INPO-ja.