Dialogu me Serbinë, temë e takimit LVV - LDK
Foto: Laura Hasani

Dialogu me Serbinë, temë e takimit LVV - LDK

Aktuale October 23, 2019 - 07:55
Lexoni detajet!
Image

Gjatë ditës së sotme pritet të mbahet takimi i dytë mes grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së. Në këtë takim pritet të diskutohet rreth harmonizimit të qëndrimeve mes dy subjekteve, politikave të brendshme dhe atyre të jashtme. Anëtarë të ekipeve kanë bërë të ditur se temë e bisedave të sotme do të jetë edhe dialogu me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të zhvillojnë takimin e dytë në kuadër të grupeve punuese gjatë ditës së sotme.

Duke filluar prej orës 15:00, në Selinë Qendrore të LVV-së, në Prishtinë, përfaqësuesit e dy subjekteve do të diskutojnë rreth harmonizimit të programit qeverisës, rreth politikave të brendshme dhe atyre të jashtme, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë.

Rrjedhimisht anëtarët e ekipeve punuese të këtyre partive kanë thënë për gazetën se takimi i sotëm do të jetë vazhdimësi e takimit të parë të grupeve punuese, i cili u mbajt në fund të javës së kaluar, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Ndonëse nga ekipet punuese kanë thënë se ende nuk është diskutuar për ndarjen e dikastereve qeveritare, zyrtarë të LVV-së tashmë kanë pohuar disa herë radhazi se Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme i takojnë Vetëvendosjes.

Por nga LDK-ja kanë bërë thirrje të mos vendosen të tilla kushte para se t’i nisin bisedat në këtë drejtim.

Temat që pritet të diskutohen në takimin e sotëm

Teksa ka pohuar se takimi LVV - LDK do të mbahet sot, në orën 13:00, kandidatja për deputete nga LVV-ja Albulena Haxhiu ka thënë se takimi i së mërkurës do të jetë vazhdimësi e atij që u mbajt në fund të javës që shkoi.

“Kemi thënë që tash e tutje do të kemi intensitet të takimeve tona, për faktin se besojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme të punohet me intensitet në këtë drejtim. Qëllimi i këtyre grupeve punuese është diskutimi mbi programin qeverisës, harmonizimi i programit dhe pa dyshim strukturimi i qeverisë së ardhshme”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërkaq gjersa ka folur rreth takimit të së mërkurës, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se aty do të diskutohet për çështjet programore që sipas saj do të jenë sfidat e para me të cilat do të përballen dy subjektet.

“Takimet ndërmjet grupeve punuese, të cilat po tentojnë harmonizimin e programit, po mbahen vazhdimisht dhe takimi i radhës është nesër, pra të mërkurën, ku do të diskutohet edhe më tej për shkrirjen e ministrive, për mënyrën se si mund të funksionojnë ato, por edhe për disa çështje të tjera programore që do të jenë sfidat e para me të cilat do të ballafaqohen të dy partitë”, ka deklaruar Osmani.

Osmani tutje ka pohuar se ka dallime mes LVV-së dhe LDK-së, porse këto do të harmonizohen së shpejti.

“Dallime natyrisht që ka, sepse po flasim për dy parti të ndryshme të cilat jo vetëm që kanë ideologji të ndryshme politike, por edhe programet tona dallojnë në disa fusha, sidomos te fusha e ekonomisë, te çështjet sociale. Deri diku kemi dallim edhe te politika e jashtme, mirëpo këto çështje patjetër që ne duhet t’i harmonizojmë”, ka theksuar ajo.

Kurse Glauk Konjufca, i cili është përfaqësues i grupit punues të LVV-së, ka thënë se në takimin e së mërkurës do të diskutohet edhe për politikë të jashtme, rrjedhimisht edhe për dialogun me Serbinë.

Por sipas politologut Belul Beqaj, nga takimi i sotëm mes LVV-së dhe LDK-së nuk mund të pritet asgjë madhështore. Ky takim sipas tij paraqet vetëm një tentim për t’i identifikuar problemet dhe për t’i përpiluar agjendat.

Mospajtimet mes LVV-së dhe LDK-së

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, javët e fundit ka kritikuar disa herë LVV-në. Para pak ditësh ai tha se LDK-ja nuk do të lejojë që “moskapja e shtetit” të zëvendësohet me një kapje të re të shtetit.

“LDK-ja ka qenë gjithmonë gardiane e kësaj demokracie, sado e brishtë që është. Të jeni të sigurt se moskapja e shtetit, që është bërë si politikë populiste në Kosovë, nuk do të lejohet të zëvendësohet me kapjen e re të shtetit”, është shprehur ai.

Por pak pas kësaj deklarate Haziri ka mohuar që kjo t’i jetë dedikuar LVV-së. Në sqarimin e tij Haziri ka thënë se nuk ka përmendur emra të partive në deklarimin e tij. “Unë nuk kam përmendur parti”, ka potencuar ai.

Teksa ka komentuar këto qëndrime Belul Beqaj ka thënë se nga deklarimet e tilla nënkuptohet që LDK-ja është e interesuar ta vazhdojë praktikën e kapjes së shtetit.

“Nëse në LDK ka individë që ‘moskapjen e shtetit’ e kuptojnë si ‘kapje nga LVV-ja’, atëherë ata janë kontribuues të kapjes së shtetit në kohën sa LDK-ja ka qenë pjesë e pushteteve dhe si të tillë dëshirojnë për ta vazhduar praktikën e ‘shtetit të kapur’. Në një situatë të tillë më mirë të mos bëhet koalicioni qeverisës”, ka theksuar Beqaj.

Sidoqoftë Lutfi Haziri edhe më herët e kishte sulmuar LVV-në. Teksa pati folur për mosarritjen e marrëveshjes parazgjedhore LVV - LDK, Haziri tha se zyrtarët e Vetëvendosjes nuk gjetën “burrni” për t’u radhitur pas Vjosa Osmanit në listë.

“Nuk gjetën burrni të rreshtohen pas një zonje për kryeministre”, u shpreh Haziri.

mes LVV-së dhe LDK-së nuk përfundojnë këtu. Mospajtime të dyja palët kanë shfaqur edhe sa i përket ndarjes së dikastereve qeveritare.

Ndonëse disa prej përfaqësuesve kanë mohuar të jetë diskutuar rreth kësaj, disa zyrtarë të tjerë të këtyre partive po vazhdojnë të flasin për ministritë që vlerësojnë se u takojnë atyre.

Dy ministritë që po vazhdon t’i kërkojë LVV-ja

Kandidati për deputet i LVV-së Xhelal Sveçla ka përsëritur edhe një herë gjatë kësaj jave se LVV-ja nuk do ta lëshojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.

“Qëndrimi i LVV-së është që nuk do të kemi një qeveri të salltaneteve, siç ka ndodhur më herët pasi do të jetë qeveria ‘Kurti’. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e të Punëve të Brendshme do t’i takojnë LVV-së. Nëse do të fitonte LDK-ja do t’i takonin asaj” është shprehur Sveçla.

Pas kësaj ka reaguar nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, i cili ka thënë se kushtëzimet e tilla nuk janë aspak të shëndetshme. “Nuk i kam dëgjuar këto deklarata, por nuk besoj se bisedat me kushte janë të shëndetshme në çfarëdo faze”, është shprehur ai.

Veliu më tej ka thënë se ende ka kohë për t’i nisur tamam bisedat për çështjen e ministrive.

Për të njëjtën gjë para pak ditësh pati reaguar edhe lideri i LDK-së Isa Mustafa, i cili pati thënë se LDK-ja nuk lejon që nga një subjekt të përzgjidhen ministri të caktuara dhe pastaj të bëjnë ftesë për të diskutuar. Sipas tij, nuk duhet të ketë kushte nga LVV-ja.

Pavarësisht kësaj, Albulena Haxhiu ka thënë se në takimet LVV - LDK asnjëherë deri më tash nuk është diskutuar për ndarjen e ministrive.

“Në takimin e kryetarëve të LVV-së dhe të LDK-së jemi dakorduar në parim për 12 ministri. Në takimet tona me LDK-në asnjëherë nuk kemi folur se cilat ministri do t’i marrin subjektet politike. Natyrisht qëllimi ynë është që kjo të jetë në nivel të barabartë”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë i takojnë LVV-së.

“Ne besojmë se këto dy ministri shkojnë me kryeministrin. Kur e ke kryeministrin pa dyshim që Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme i takojnë subjektit që mban postin e kryeministrit”, ka nënvizuar ajo.