Përfitimet njëvjeçare të deputetëve e të ministrave jofunksionalë
Foto: Laura Hasani

Përfitimet njëvjeçare të deputetëve e të ministrave jofunksionalë

Aktuale October 22, 2019 - 07:52
Detajet
Image

Ndonëse nuk e ushtrojnë detyrën e tyre që nga 22 gushti i këtij viti, deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre prej rreth 2 mijë eurosh. Të njëjtat përfitime, përpos ish-deputetëve, do t’i gëzojë edhe për një vit gjithë kabineti qeveritar në dorëheqje, duke përfshirë ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë etj, shkruan sot Gazeta "Zëri".

120 deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, 21 ministrat, mbi 80 zëvendësministra, si dhe afro 100 këshilltarë politikë të qeverisë “Haradinaj” do të vazhdojnë t’i marrin pagat edhe pas përfundimit të mandatit të tyre. Këto përfitime ata do t’i gëzojnë deri më 27 gusht të vitit 2020, kur edhe përfundon afati ligjor, i paraparë me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili është hartuar dhe është miratuar në vitin 2010 e që e përcakton kompensimin e pagës bazë të deputetit për një periudhë 12-muajshe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Përpos deputetëve, pa përfitime nuk do të mbetet as ish-kabineti i qeverisë “Haradinaj”, kjo për shkak se ish-deputetët e legjislaturës së kaluar kishin miratuar një amendament, i cili i shpërblen me pagë kalimtare edhe zëvendësministrat e Qeverisë, duke ua mundësuar atyre të shpërblehen me 70 për qind të pagës për gjashtë muaj edhe pas përfundimit të mandatit, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

 Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të 20 dhjetorit të 2017-s, një zëvendësministër është paguar në vlerën prej 1.150 eurosh, kurse pas përfundimit të mandatit ata do të marrin hiç më pak se 800 euro për periudhën e paraparë sipas ligjit.

Deputetët e legjislaturës së gjashtë marrin pagë deri në gusht të vitit 2020

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një përgjigje për “Zërin” ka deklaruar se në bazë të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit deputetët gëzojnë të drejtën e marrjes së pagës për një vit, mirëpo vetëm nëse nuk kanë ndonjë burim tjetër financiar të deklaruar.

“Sipas neneve 14 dhe 16 të Ligjit Nr. 03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, deputeti ka të drejtë në kompensimin e pagës kalimtare pas përfundimit të mandatit deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër ose nga realizimi i pensionit që nga dita e përfundimit të mandatit deputeti ka të drejtë në pagë bazë për dymbëdhjetë (12) muaj”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sipas Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohen të drejtat shtesë të deputetit, thuhet se pas përfundimit të rregullt të mandatit deputetit i takojnë të ardhurat mujore për periudhën prej dymbëdhjetë (12) muajve po që se gjatë kësaj kohë nuk kthehet në vendin e punës, të cilin e ka pasur para zgjedhjes deputet ose në vend tjetër të përshtatshëm për të.

Krasniqi po ashtu ka sqaruar se deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës do të marrin pagën e tyre si deputet deri më 27 gusht të vitit 2020.

“Për deputetin, me përjashtim të kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit të legjislaturës së VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës, llogaritja e kompensimit të pagës bazë kalimtare deri në 12 muaj ka filluar nga data 27 gusht 2019. Deputeti i legjislaturës së VI të Kuvendit e realizon të drejtën në pagën kalimtare nëse nuk ka të hyra financiare nga ndonjë burim tjetër, me përjashtim të të hyrave financiare nga Trusti Pensional”, ka shtuar më tutje ai.

Vetëvendosja, kundër përfitimeve jomeritore të zyrtarëve shtetërorë

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, për “Zërin” ka deklaruar se partia e saj është kategorikisht kundër përfitimeve jomeritore të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Ndonëse Vetëvendosja ende nuk ka një qëndrim publik për pagesën e deputetëve një vit pasi i përfundon mandati, Kollqaku ka thënë se partia e saj do të angazhohet që të përmirësohet çështja e pagave në mes sektorëve.

“Pavarësisht se Vetëvendosja ende nuk ka një qëndrim për këtë çështje, ju e dini që në parim ne si LVV jemi kundër përfitimeve që marrin zyrtarët e lartë kur nuk u takon. Ne kryesisht jemi për një barazi në paga mes sektorëve dhe do të angazhohemi për rritjen e pagës minimale dhe mesatare. Sa u përket përfitimeve, ne në përgjithësi jemi kundër”, ka thënë ajo.

Më tutje ajo ka theksuar se ligji që parasheh pagesën e deputetëve pas përfundimit të mandatit specifikon qartë që të drejtë për marrjen e pagës kanë ata deputetë të cilët nuk marrin pagë nga një burim tjetër.

“Gjithë ata që janë të regjistruar diku në buxhet, atyre u ndërpritet menjëherë, nëse dikush ka qenë paraprakisht i punësuar, merr pagë kudo në buxhet të Kosovës, atij i ndërpritet paga e deputetit. Ndërsa personat e tjerë, të cilët nuk figurojnë diku që marrin nga buxheti i Kosovës, vazhdojnë ta marrin pagën edhe për një vit”, ka shtuar ajo.

Deputetët marrin pagë bazë nëse nuk kanë ndonjë burim tjetër

Kurse Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), për “Zërin” ka thënë se privilegjet e deputetëve pas përfundimit të mandatit bazohen në ligjin e hartuar në vitin 2010, me të cilin parashihet kompensim kalimtar për deputetët për 12 muaj rresht.

“Deputetët pas përfundimit të mandatit gëzojnë disa privilegje, që janë të parapara me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, duke e marrë parasysh rolin dhe detyrat që ata kanë gjatë kohës sa ushtrojnë mandatin si përfaqësues të popullit. Duke u bazuar në Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili është hartuar dhe është miratuar në vitin 2010, gjegjësisht në Nenin 16, dispozita ligjore që e përcakton kompensimin kalimtar ia siguron secilit deputet pas përfundimit të mandatit të tij si deputet/e të drejtën e kompensimit të pagës bazë të deputetit për një periudhë 12-muajshe, mirëpo kjo mund të ndalohet më herët në qoftë se deputeti në fjalë ka të hyra të tjera nga një burim tjetër financiar, qoftë në institucione publike ose në sektorin privat”, ka thënë ajo.

Në rast të rizgjedhjes së tyre edhe për një mandat, sipas Haxhiut, deputetëve u ndalohet pagesa e kompensimit dhe fillon vetëm ajo e rregullt.

“Gjithashtu deputetët që kanë qenë pjesë e legjislaturës së kaluar, në rast të rizgjedhjes si deputetë edhe në legjislaturën e re, në momentin e verifikimit të mandateve të tyre ata fillojnë të marrin pagën bazë si deputetë aktualë dhe jo më atë të kompensimit të paraparë me ligjin përkatës”, ka shtuar ajo.

Sipas Haxhiut, ky ligj u ofron edhe siguri sa i përket punësimit atyre deputetëve që me herët kanë qenë pjesë e sektorit publik.

Duke u bazuar në të njëjtin ligj (Neni 38), deputetëve, të cilët para marrjes së mandatit kanë shërbyer në ndonjë institucion publik, u jepet e drejta të rikthehen në vendin e tyre të punës pas përfundimit të mandatit të tyre si deputetë, por që kjo duhet të bëhet me kërkesë te punëdhënësi brenda gjashtë muajve pas përfundimit të mandatit.