Lista Serbe akuzon dhe kërcënon Kurtin
Foto: Laura Hasani

Lista Serbe akuzon dhe kërcënon Kurtin

Aktuale October 19, 2019 - 08:07
Detajet
Image

Pas deklarimeve të kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, se fillimisht “Trepça” duhet të bashkohet për t’u bashkuar pastaj Mitrovica, Lista Serbe ka porositur Kurtin se “populli serb dhe Lista Serbe kurrë nuk do të lejojnë të realizohen masat antiserbe, të paligjshme e të rrezikshme të Prishtinës dhe provokimin e konflikteve të luftës”. Vuçiq: Shqiptarët duhet ta kuptojnë se ne nuk varemi nga ata, por ata nga ne, shkruan sot gazeta "Zëri".

Lista Serbe, e cila ka fituar të gjitha votat e serbëve në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, por edhe mbi 8 mijë vota në komunat shqiptare në jug të Kosovës, e ka pritur me pezëm deklaratën e kandidatit për kryeministër të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se fillimisht duhet të bashkohen “Trepça” në veri dhe “Trepça” në jug për t’ia mundësuar pastaj bashkimin Mitrovicës. Lista Serbe nëpërmes një komunikate dërguar medieve, të cilën e përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, deklaratat e Kurtit i ka cilësuar si provokim i konflikteve luftarake. Liderët serbë edhe më herët kanë deklaruar se Serbia do të bëjë luftë për “Trepçën” nëse tentohet të merret veriu i saj.

Kërcënimet e Listës Serbe

Në komunikatën e LS-së thuhet se populli serb i Kosovës dhe Lista Serbe kurrë nuk do të lejojnë të realizohen masat antiserbe, të paligjshme dhe të rrezikshme të Prishtinës dhe provokimin e konflikteve të luftës e gjitha me qëllim për të mbrojtur të drejtën dhe interesat e popullit serb. “Lista Serbe kërkon nga BE-ja, SHBA-ja, UNMIK-u, KFOR-i, nga shtetet e QUINT-it, por edhe nga të gjithë organizatat tjera ndërkombëtare që urgjentisht dhe ashpër t’i dënojnë paralajmërimet e Albin Kurtit, me të cilat paralajmëron kundërligjshëm grabitjen me dhunë të ‘Trepçës’ dhe bashkimin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, me çka drejtpërdrejt provokon konflikte luftarake me pasoja të paparashikueshme për paqen në Kosovës, por edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Tendencat që me dhunë të realizohet ideja shqiptaromadhe e Kurtit është shumë e rrezikshme dhe është në vargun e shumë iniciativave të tij dhe nëse bashkësia ndërkombëtare paraqitet e shurdhër, ndoshta pas pak javëve do të jetë vonë për kërkesat për paqe e qetësi. Është e nevojshme që misionet ndërkombëtare në Kosovë të marrin masa preventive dhe të dërgojnë mesazhe të qarta se mbetja e popullit serb në Kosovë nuk guxon të rrezikohet, për shkak të ideve të rrezikshme të promotorit shqiptaromadh. Heshtja e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare është duke zgjatur shumë përballë deklaratave nxitëse të Prishtinës e të cilat kanë shkaktuar shqetësim te të gjithë qytetarët, posaçërisht te serbët e Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Listës Serbe.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati për kryeministër që ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti, ka thënë se prezenca e Serbisë në veri të Kosovës edhe më tutje paraqet problem dhe se Qeveria e ardhshme me të cilën ai do të udhëheqë do të ndryshojë rrënjësisht këtë gjendje, se do të bashkëpunojnë me serbët lokalë, të cilët janë duke duruar hegjemonizimin e Serbisë në rajonin e veriut. “Ne duhet që institucionalisht të jemi të pranishëm në veri të Kosovës, t’u shërbejmë të gjithë banorëve, pavarësisht a janë serbë a shqiptarë. ‘Trepça’ në veri dhe ‘Trepça’ në jug duhet të bashkohen. Mendoj se edhe Mitrovica do të bashkohet. Në ‘Trepçë’ nuk ka investuar Prishtina dhe Qeveria jonë, por Serbia. Kjo nuk guxon të përsëritet. Në komunat me shumicë serbe, shumica në jug të Ibrit, gjithashtu do të jenë institucionet e Kosovës, prezenca atje nuk është problem, problem është prezenca e Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të merren me këto forca të Serbisë, duke punuar me serbët lokalë”, ka thënë Kurtit për mediet kosovare, fjalët e të cilit i përcjell “TV Most”-i.

Ankesat e Listës Serbe

Lista Serbe, nëpërmes nënkryetarit Igor Simiq, është ankuar se Albin Kurti akoma pa u ulur në karrigen e të parit të Qeverisë ka eliminuar të ashtuquajturin Asociacion i Komunave Serbe, që është arritur me Marrëveshjen e Brukselit. “Lideri i LVV-së, i cili ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 6 tetor, thirret në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë nga vitit 2015, e cila e ka shpallur antikushtetuese formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (ZSO) dhe ka porositur se AKS-ja nuk mund të realizohet, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend të AKS-së, ai ka propozuar që serbët e Kosovës ta kenë Këshillin Nacional sikurse shqiptarët e Luginës së Preshevës. Formimi i ‘Zajednicës’ është obligim ndërkombëtar i Prishtinës, të cilin herët ose vonë do ta bëjnë”, ka thënë Simiq.

Ai shton se dikush duhet t’ia shpjegojë Kurtit dhe liderëve shqiptarë se marrëveshjet nuk janë tavolinë suedeze. “Dikush duhet t’ua shpjegojë atyre (shqiptarëve) se marrëveshjet e nënshkruara nuk janë tavolinë suedeze nga e cila mund të zgjidhet çka të marrë. Gjithashtu, përkujtoj se politika e urrejtjes ndaj krejt çfarë është serbe e në interes të popullit serb nuk është dhe nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve në Kosovë. Duhet gjithashtu përkujtuar se bashkësia ndërkombëtare edhe deri më tani nuk ka treguar interesim deri ku ka shkuar në formimin e AKS-së dhe se Perëndimi ka hequr dorë nga kjo. Asnjëherë nuk ka pasur kërkesa direkte që Prishtina t’i plotësojë obligimet”, ka thënë Simiq, përcjell "Zëri".

E ndërkaq sipas “TV Most”-it fajin që nuk ka kaluar “Zajednica” e ka edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili, siç vlerëson ky medium lokal në veri të Mitrovicës, “gjatë gjithë mandatit të tij ka thënë se është shumë mirë që AKS-ja është stopuar”, duke shpresuar se Kushtetuta e Kosovës nuk do të lejojë kurrë formimin e AKS-së.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se paralajmërimet e Kurtit dhe pretendimet e tij se do ta heqë taksën, por do ta aplikojë reciprocitetin me Serbinë në të gjitha fushat janë vetëm përralla. Ai i ka porositur shqiptarët e Kosovës të bëhen më të kuptueshëm dhe ta kenë të qartë se nuk mund të na torturojnë. “Ne nuk varemi nga ju, por ju nga ne. Vetëm kur ta kuptoni këtë, do të ketë bisedime. Kosova është pjesë e Serbisë, por nuk është e gjitha jona, por nuk është as e tyre. Kompromisi nuk është që Serbia t’i humbë të gjitha e shqiptarët t’i fitojnë të gjitha”, ka thënë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke qenë mysafir në televizionin “TV Pink”./ZËRI