Për 8 muaj, mbi 1 mijë raste të prerjes ilegale të pyjeve në Kosovë
Drejtori i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti në Kosovë, Besim Zogu, ka thënë për “Zërin” se pyjet sipas ligjit janë të shpallura pasuri e shtetit dhe se delegimi i kompetencës së mbrojtjes së pyjeve nëpër komuna ka ndikuar që gjendja të përkeqësohet për shkak se, sipas tij, komunat janë treguar të papërgatitura për këtë kompetencë, shkruan sot gazeta "Zëri".
Prerja e drunjve në mënyrë ilegale në Kosovë vazhdon të jetë problem edhe gjatë këtij viti. Njohës të ambientit kanë thënë për “Zërin” se derisa po vazhdon prerja e pakontrolluar e pyjeve, shëndeti i qytetarëve po rrezikohet.
Se gjendja e pyjeve nuk është e mirë e kanë pohuar edhe nga Inspektorati për Pylltari në vend.
Drejtori i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti në Kosovë, Besim Zogu, ka thënë për “Zërin” se pyjet sipas ligjit janë të shpallura pasuri e shtetit dhe se delegimi i kompetencës së mbrojtjes së pyjeve nëpër komuna ka ndikuar që gjendja të përkeqësohet për shkak se, sipas tij, komunat janë treguar të papërgatitura për këtë kompetencë.
LEXO EDHE: Helmimi çrregullon procesin e verifikimit të votave
Po ashtu ai ka thënë se edhe buxheti i ulët që ndahet për këtë sektor, numri i vogël i rojtarëve të pyllit dhe faktorë të tjerë ndikojnë që gjendja e pyjeve në aspektin e mbrojtjes nga prerjet ilegale nuk është e mirë.
“Numri i vogël i inspektorëve të pyjeve, parashkrimi i madh i lëndëve si pasojë e mosangazhimit adekuat nga gjykatat, mosekzistimi i alternativave tjera për ngrohje, moskoordinimi në masën e duhur i politikave ndërsektoriale dhe ndërinstitucionale, ku vendimet e paanalizuara mirë nxisin presionin në pyje, përkatësisht dëmtimin e tyre. Po ashtu rritja e sipërfaqeve të parqeve e paanalizuar, efektet negative në sektorët tjerë, furnizimi i qytetarëve me dru për ngrohje, furnizimi i industrisë së drurit, dëmtimi i sektorit minerarë, i atij të produkteve jodrunore, frutave pyjore e bimëve mjekësore ndikojnë në degradimin e pyjeve të Kosovës”, ka thënë ai.
Zogu ka deklaruar se si Ministri kanë marrë masa për mbrojtjen e pyjeve. “Në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me Komisionin për Miniera dhe Minerale, me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kemi përfunduar planin operativ të kontrollit të sektorit minerar në nivel vendi, i cili ka rezultuar edhe me marrje të masave, me vendosje të shiritave për ndalim të aktiviteteve deri në plotësimin e kritereve ligjore dhe me nxjerrje të vendimeve për pagesën e dëmeve të shkaktuara në pyje dhe në toka pyjore”, ka theksuar ai.
Për 8 muaj, mbi 1 mijë e 500 fletëparaqitje kundërvajtësve për prerjen e pyjeve
Deri në muajin gusht të këtij viti janë ushtruar mbi 1500 fletëparaqitje kundërvajtësve sa u përket prerjeve të pyjeve, si dhe mbi 200 vepra penale. “Sipas raporteve, deri në muajin gusht 2019 nga ana e autoriteteve janë ushtruar 1519 fletëparaqitje kundërvajtëse dhe 251 penale.
Ndërsa nga Inspektorati Qendror i Pylltarisë dhe i Gjuetisë, Agjencia Pyjore e Kosovës -Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për periudhën janar - shtator 2019 janë ushtruar 890 kontrolle, janë hartuar 577 procesverbale, janë nxjerrë 46 vendime, janë iniciuar 69 fletëparaqitje kundërvajtëse dhe 12 penale”, ka thënë Zogu.
Sipas tij, brenda muajve korrik - shtator janë sekuestruar edhe disa kamionë me drunj, ku vetëm nga muaji janar deri në muajin shtator janë sekuestruar mbi 226 metra katrorë.
“Në bashkëpunim me Policinë dhe me Njësitin për Reagim të Shpejtë janë ushtruar kontrolle në tregjet Rogovë – Gjakovë, ku janë sekuestruar 5 kamionë me masë drunore, në Podujevë 11 traktorë dhe një kamion me masë drunore, në Malishevë dy kamionë me masë drunore, në Vushtrri më datën 30.08.2019 kemi sekuestruar 24 traktorë me masë drunore, si dhe në Ferizaj më datën 26.09.2019 katër ngarkesa me masë drunore. Në total nga Inspektorati për periudhën janar - shtator 2019 janë sekuestruar 226.28 m³”, ka thënë ai.
Komunat ku më së shumti ka pasur veprime ilegale të prerjeve të drunjve
Komuna e Ferizajt dhe ajo e Suharekës kanë qenë komunat ku janë ushtruar më së shumti veprime ilegale sa i përket prerjes së pyjeve.
Zogu ka thënë se për aktivitete ilegale prijnë komunat në veri të Kosovës e po ashtu edhe Komuna e Kaçanikut, e Podujevës, e Novobërdës, e Fushë Kosovës dhe e Obiliqit.
“Komunat që zakonisht kanë potenciale më të mëdha të pyjeve, sidomos në aspektin e pyjeve më kualitative, janë më të atakuara për shkak se edhe përfitimet e dëmtuesve ilegalë janë me të mëdha, por kjo gjendje ka pasur edhe ndryshime varësisht nga qasja ose serioziteti që autoritetet komunale kanë treguar ndaj këtij sektori. Komuna e Ferizajt dhe e Suharekës kanë qenë komuna shumë të atakuara nga veprimet ilegale, por në momentin qe kanë bashkëpunuar me Policinë për vendosjen e pikave të përhershme të kontrollit kjo gjendje ka ndryshuar pozitivisht për aq kohë sa ka zgjatur ky bashkëpunim”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës: 236 raste të raportuara për vjedhje të drunjve
Zyra për Informim në Policinë e Kosovës ka thënë për “Zërin” se për gjatë këtij viti janë raportuar mbi 200 raste për vjedhje të pyjeve. Sipas tyre, ka pasur edhe raportim të rasteve për shkretërim të pyjeve.
“Duke iu referuar të dhënave në Sistemin Informativ të PK-së për të dhënat statistikore për veprat penale ‘Shkretërimi i pyjeve’ (Nga Neni 357 - 348 i Kodit Penal) dhe ‘Vjedhja e pyjeve’ (Nga Neni 358 - 349 i Kodit Penal) për vitin 2019 janë: Neni 357 dhe 348 ‘Shkretërimi i pyjeve’ - 3 raste te raportuara, Neni 358 dhe 349 ‘Vjedhja e pyjeve’ - 236 raste te raportuara”, ka thënë ajo.
Prerja e pyjeve lë pasoja te qytetarët, kërkohet mbjellja e pemëve
Drejtori i organizatës joqeveritare “Era”, Fatos Lajqi, ka thënë për “Zërin” se pasojat e prerjes së pakontrolluar të pyjeve kanë ndikim në përkeqësimin e jetës së qytetarëve.
Sipas tij, prerja ilegale e pyjeve është aktuale në nivel kombëtar.
“Pasojat e prerjes së pakontrolluar të pyjeve e sidomos e pyjeve halore në zonat e larta malore kanë ndikim drejtpërdrejt në përshpejtimin e ndryshimeve klimatike dhe në përkeqësimin e standardit të jetës së qytetarëve, duke ndikuar në ndotjen enorme të cilësisë së ajrit, pasi që pyjet janë filtër natyror i riciklimit të dyoksid karbonit, i cili në Kosovë lirohet në masë të madhe jashtë parametrave normalë të lejuar me djegien e thëngjillit për prodhimin e energjisë, që i nevojitet konsumatorit kosovar”, ka thënë ai.
Lajqi ka thënë se organizata të cilën ai e udhëheq ka aktivitete, ku ata mbjellin edhe pemë.
“Organizata ‘Era’, pos aktiviteteve simbolike të mbjelljes së pemëve, në datat promovuese të mbrojtjes së mjedisit e natyrës ka aktivitete të tilla të pandalshme përgjatë tërë vitit kur pemët mbillen, pra në pranverë e në vjeshtë. Është e rëndësishme që në çdo komunë çdo qytetar i vjetër e i ri të paktën ta mbjellë një pemë gjatë jetës së tij dhe të mos harrojë që e ka mbjellë një pemë diku në planetin e kërcënuar Tokë si simbol i mbrojtjes së ekzistencës së vet”, ka thënë ai.
Prerja e drunjve, problematikë e madhe
Valon Raka, nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, ka thënë për “Zërin” se prerja e drunjve është një problematikë e madhe. Sipas tij, me prerjen e drunjve dëmtohet edhe shëndeti i qytetarëve.
“Shëndeti i qytetarëve dëmtohet në shumë sfera. Është një problematikë shumë e madhe. Afër parkut të ‘Sharrit’ prehen shumë drunjtë. Kjo është e tmerrshme. Kjo gjë është një problem në vete dhe asnjëherë nuk ka arritur të zbutet. Për fat të mirë drunjtë mbijnë vetë dhe kjo e ka zbutur pak problemin”, ka thënë ai.
Raka ka thënë se si organizatë përgjithësisht sa i përket ndotjes së ambientit kanë arritur të sensibilizojmë qytetarët mjaftueshëm. Sipas tij, edhe partitë politike e kanë parë që mjedisi është problem kyç në Kosovë./ZERI