Helmimi çrregullon procesin e verifikimit të votave
FOTO: Zëri

Helmimi çrregullon procesin e verifikimit të votave

Aktuale October 14, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është stopuar dje si pasojë e helmimit të 26 zyrtarëve të KQZ-së, të cilëve menjëherë pas hapjes së zarfeve të ardhura nga shteti serb u është shkaktuar alergji në duar e në fytyrë. Nga KQZ-ja kanë thënë se ende nuk e kanë të qartë se çka saktësisht ndodhi të dielën, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mbi 20 persona dyshohet se janë helmuar si pasojë e kundërmimit të zarfeve me vota të ardhura nga Serbia. Disa prej tyre, në mesin e të cilëve edhe dy gra shtatzëna, gjatë ditës së djeshme kanë pësuar alergji nëpër duar dhe fytyrë, me ç’rast janë shtruar në Klinikën Infektive të QKUK-së për trajtim mjekësor.

Në një komunikatë të lëshuar nga Shërbimi Spitalor, Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK) është thënë se gjendja e përgjithshme e personave të hospitalizuar është stabile. Sidoqoftë, pas tërë këtij rasti është marrë vendim që procesi i verifikimit të votave të pezullohet për një kohë të pacaktuar. Përfaqësues të LVV-së kanë thënë se autoritetet shtetërore të Kosovës duhet t’i hetojnë shkaqet e helmimit, ashtu siç duhet të hetohen edhe pakot e ardhura nga Serbia.

LEXO EDHE: Daka tregon se çfarë do të ndodhë me zarfet e ardhura nga Serbia

Këto pako sipas tyre kanë ardhur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë. Pavarësisht këtyre, zyrtarë të KQZ-së siguruan qytetarët se nuk do të preket integriteti zgjedhor, pavarësisht asaj që ndodhi të dielën. Në kohën kur është duke vazhduar procesi i rinumërimit të votave në disa vendvotime KQZ-ja ka marrë vendim që t’i refuzojë mbi 4500 pako me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

Kontakti me zarfet u shkakton alergji në duar e në fytyrë

Besnik Buzhala, nga Divizioni i Shërbimit Votues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur dje se është ndërprerë procesi i verifikimit të zarfeve me vota të ardhura nga Serbia. Buzhala më tutje ka pohuar se te disa zyrtarë të KQZ-së është shkaktuar alergji nëpër duar.

“Është ndërprerë procesi i verifikimit të votave të zarfeve të ardhura nga Serbia. Janë diku rreth 26 zyrtarë që kanë marrë alergji në duar dhe në fytyrë. Ne në mëngjes i kemi pasur zarfet dhe aty zyrtarëve u është shfaqur alergjia. Janë 5 kuti që kanë ardhur nga Serbia”, ka deklaruar Buzhala.

Ndërkohë vëzhguesi i organizatës “Germin”, Shpëtim Shujaku, ka thënë se zyrtarët e KQZ-së kanë përjetuar reaksione në momentin që kanë hapur zarfet. Rrjedhimisht disa prej tyre, siç ai është shprehur, kanë pësuar skuqje duarsh dhe kruarje.

“Në momentin që janë hapur këto zarfe kanë pasur një erë shumë të rëndë dhe kanë kundërmuar. Pastaj me vazhdimin e procesit kur janë hapur disa prej zyrtarëve të KQZ-së që kanë pasur kontakt fizik me këto zarfe kanë filluar të kenë reaksione, disa kanë pasur skuqje duarsh, kruarje dhe disa shenja përreth syve”, është shprehur ai.

Gjendja e zyrtarëve të KQZ-së, stabile

Për rastin e së dielës me një komunikatë për medie ka dalë edhe SHSKUK-ja, e cila ka pohuar se gjendja e personave në fjalë është stabile.

“Në orën 11:58 në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare janë lajmëruar 9 pacientë, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ulët. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thuhet në komunikatë.

Edhe drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKSHP), Naser Ramadani, ka pohuar dje se gjendja e personave në fjalë është stabile. “Shenjat vitale janë krejt në rregull, pacientët janë në gjendje stabile”, ka potencuar Ramadani.

KQZ: Integriteti zgjedhor nuk do të preket

Gjersa ka folur rreth ngjarjes së djeshme, prokurori Kujtim Munishi ka thënë se nuk mund të jepen detaje derisa të përfundojnë hetimet. “Komplet ai material që po mendohet se është me ndonjë materie ka shkuar në forenzikë. Ta shohim tash cilat janë rezultatet e para, për momentin duhet t’i presim raportet e forenzikës”, ka deklaruar Munishi.

Pos kësaj, edhe Policia e Kosovës ka dalë në vendngjarje ditën e djeshme. Por lidhur me rastin nga PK-ja nuk kanë pranuar të japin hollësi.

Kurse zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë thënë për gazetën se rasti në fjalë nuk ka ndodhur në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR), ashtu siç u raportua në disa medie fillimisht, por në ambientin ku po bëhet verifikimi i votave të ardhura nga Serbia.

“Ngjarja nuk ka ndodhur në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, por në hapësirën e ndërtesës së Ministrisë së Infrastrukturës, ku është i vendosur Shërbimi Votues”, ka deklaruar për “Zërin” zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, ka siguruar se pavarësisht asaj që ngjau dje nuk do të preket integriteti zgjedhor.

“Jemi në pritje të verifikimit të gjendjes nga ana e Policisë. Ende nuk e kemi situatën e qartë. KQZ-ja do të vendosë se si do të veprohet me këtë material. Jemi këtu që të sigurojmë se nuk do të preket integriteti zgjedhor”, ka theksuar ai.

Reagon Lista Serbe dhe Beogradi

Pas raportimeve se disa zyrtarë të KQZ-së u shtruan në QKUK pas kontaktit me zarfet e ardhura nga Serbia, ka reaguar anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, i cili këtë ngjarje e ka cilësuar si shfaqje të orkestruar. Me këtë rast Veselinoviq tha se e tërë kjo ka të bëjë me një “mashtrim shovinist” me qëllim “që të vidhen votat” e Listës Serbe.

Edhe lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka ardhur në konstatim se votat e LS-së po vidhen.

“Para syve të mijëra përfaqësuesve ndërkombëtarë, vëzhguesve të procesit zgjedhor nga SHBA-ja, BE-ja, Gjermania, Britania e të tjerëve, po ndodh vjedhja e votave të popullit serb duke ndryshuar vullnetin zgjedhor, me qëllim që në Parlamentin në Prishtinë dhunshëm, me vjedhje dhe me shkelje të të gjitha ligjeve, të fusin serbë të pranueshëm, të dëgjueshëm të Prishtinës”, ka deklaruar Rakiqi.

Pos tyre ka reaguar edhe i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili tha se po përgatitet manipulimi i votave serbe në Kosovë.

LVV: Të hetohen shkaqet e helmimit dhe pakot e ardhura nga Serbia

Pa reaguar nuk ka lënë as Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka bërë thirrje që autoritetet e Kosovës ta hetojnë rastin e djeshëm.

“Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë. Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon Ligji për Zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Kurse shërbimi i KQZ-së, siç theksohet më tutje, duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe në numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata.

“Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët e të cilat janë verifikuar dhe janë vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, potencohet më tutje.

Mbi 4500 pako me fletëvotime refuzohen nga KQZ-ja

Për probleme në procesin e verifikimit të votave të diasporës u raportua edhe gjatë ditëve të kaluara. Fillimisht u tha se në disa prej pakove me zarfe të votave nga diaspora ishin futur edhe zarfe të atilla që nuk kishin të bënin fare me votat e ardhura nga mërgimtarët. Ndërkohë para pak ditësh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim që t’i refuzojë mbi 4500 pako të votave të ardhura nga mërgata. Arsyetimi i këtij vendimi ishte se votat në fjalë kishin mbërritur në KQZ pas datës së zgjedhjeve. Mirëpo lidhur me këtë kanë reaguar anëtarë të KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë thënë se ky vendim është i papranueshëm.

“Për fat të keq KQZ-ja nuk pati vullnet për t’i pranuar dhe për t’i proceduar ato, por që refuzimi i tyre është një padrejtësi që po i bëhet mërgatës”, ka deklaruar për “Zërin” anëtari i LVV-së në KQZ, Adnan Rrustemi.

Sipas tij, nuk është absolutisht faji i bashkatdhetarëve se pse pakot e tyre nuk kanë arritur para ditës së zgjedhjeve. Ndaj, siç Rrustemi është shprehur, KQZ-ja duhet ta marrë parasysh vulën e postës, që vërteton datën se kur janë nisur ato pako për në KQZ.

Pas një rekomandimi të bërë nga Qendra për Numërimin e Votave (QNR), KQZ-ja mori vendim për rinumërim të 314 vendvotimeve. Deri të shtunën në mesnatë, siç kanë njoftuar zyrtarët e KQZ-së, janë rinumëruar gjithsej 141 vendvotime./ZERI