Kjo është tollovia e shkaktuar nga gabimi teknik i KQZ-së me formularë pas numërimit të votave

Kjo është tollovia e shkaktuar nga gabimi teknik i KQZ-së me formularë pas numërimit të votave

Aktuale tetor 10, 2019 - 15:25
Detajet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën në mënyrë unanime ka vendosur që të rinumërohen mbi 300 vendvotime në nivel të Republikës së Kosovës, pas një gabimi teknik që ka ndodhur me formularët në të cilët janë bartur dhe evidentuar numri i votave të numëruara.

Në këta formularë ka pasur mospërputhje mes numrit të partive dhe kolonave në të cilat janë bartur votat pas numërimit.

Siç kanë shpjeguar partitë të cilat janë ankuar dhe që kanë kërkuar rinumërim, në zgjedhjet e 6 tetorit kanë garuar 25 parti, ndërkohë në formularin ku janë shënuar votat ka pasur vetëm 24 kolona, gjë që ka habitur komisionerët gjatë procesit të shënimit të votave.

Gazeta Express ka siguruar tre dokumente në të cilat janë të shënuara votat të cilat i kanë marrë partitë politike, në Kaçanik, Viti dhe Drenas, në të cilat vërehet  një gjë e çuditshme dhe e pa shpjegueshme matematikisht e që tregon atë se çfarë ka shkaktuar ky lëshim teknik i bërë nga Sekretariati i KQZ’së që është përgjegjës për formularët.

Partia e Ashkalinjëve për Integrim me numër 113 në zgjedhjet e 6 tetorit,  vetëm në këto 3 komuna të Republikës së Kosovës ka marrë 4 mijë e 504 vota.

Ndërkohë në rezultatin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor nga 2.547 vendvotime kjo parti ka marrë vetëm 3 mijë e 202 vota apo vetëm 0.40 për qind.

Në Drenas në formularin e siguruar nga Gazeta Express kjo parti ka marrë 2 mijë e 158 vota, ndërkohë në faqen e KQZ’së ku janë publikuar rezultatet PAI me numër 113 ka vetëm 18 vota.

Në Viti ndërkohë sipas formularëve të siguruara nga Express ka marrë 1 mijë e 81 vota, ndërsa në rezultatet e KQZ’së ka vetëm 17 vota.

Njëjtë edhe në Kaçanik, në formularë kësaj partie i figurojnë 1 mijë e 265 vota, ndërsa në KQZ ka vetëm 211 vota.

Përfaqësuesi i QNR’së, Burim Ahmetaj, ndërkohë në konferencën e djeshme në KQZ, ka thënë se pas rinumërimit të këtyre vendvotimeve do të evidentohet problemi.

Pritet të shihet pas rinumërimit se cilave parti u janë bartur votat dhe se a do të ndikojë rinumërimi në rezultatin e përgjithshëm.

Vendi ku do të hapen më së shumti kuti për rinumërim është Prishtina. Aty do të rinumërohen gjithsej 42 vendvotime.Pas Prishtinës është Prizreni, ku do të hapen 26 vendvotime për rinumërim./Express

Image 
Image 
Image 
Image 
Image