![Fillimviti i ri shkollor, me probleme të shumta në arsim](/uploads/zeri.info/images/2019/October/01/auto_Fillimi_i_vitit_shkollor-2_shtator_2019m-Laura_Hasani1569908195.jpg)
Fillimviti i ri shkollor, me probleme të shumta në arsim
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2019/August/24/auto_Arbresha_Berisha1566627021.png)
“Edhe ky vit shkollor ka filluar me problemet e vjetra. Pati vonesa të teksteve shkollore në shumë shkolla në tërë Kosovën, pastaj edhe librat kanë gabime teknike. Problemi tjetër është edhe mungesa e teksteve për klasën e 8-të dhe të 9-të”, ka deklaruar kryetari i Këshillit të Prindërve në Kosovë, Ymret Reshiti. Drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë për gazetën se problemet në arsimin parauniversitar janë gjithmonë të pazgjidhura, shkruan sot gazeta Zëri.
Është bërë një muaj që nga fillimi i vitit të ri shkollor, i cili vlerësohet se është përcjellë me probleme të shumta, sikur edhe në vitet e kaluara.
Nxënësit edhe më tej po ballafaqohen me mungesë të teksteve mësimore, derisa ka pasur ankesa edhe për librat e grisur e të shkarravitur, që u janë ofruar nxënësve.
Po ashtu kritika ka pasur edhe për gabimet, të cilat janë gjetur në librat shkollorë.
Për gjithë këto probleme ka reaguar edhe kryetari i Këshillit të Prindërve në Kosovë, Ymret Reshiti, i cili ka thënë për “Zërin” se Ministria e Arsimit ka pasur mundësi të bëjë përmirësime në këtë fushë, por që edhe më tej janë përsëritur problemet e njëjta.
Sipas tij, njësitë mësimore nuk u janë përshtatur niveleve të nxënësve. “Edhe ky vit shkollor ka filluar me problemet e vjetra, do të thotë nuk ka shumë përmirësime.
Duke filluar nga vonesa e teksteve shkollore në shumë shkolla në tërë Kosovën, pastaj edhe librat kanë gabime teknike. Kanë njësi joadekuate që nuk u përshtaten niveleve të nxënësve. Problemi tjetër është edhe mungesa e teksteve për klasën e 8-të dhe të 9-të. Vendimi i papritur i Ministrisë na ka befasuar edhe neve për të keq e gjithashtu ka rënduar barrën financiare të prindërve, të cilët kanë shpresuar që fëmijëve të tyre librat do t’u dhurohen falas”.
Reshiti ka theksuar se gjithë këto gjëra ndikojnë negativisht edhe te nxënësit, andaj edhe sipas tij problemet me të cilat po ballafaqohen institucionet publike shëndetësore në vend nuk duhet të përsëriten më. “Ne si Këshill i Prindërve mbesim në vërejtjen që kemi dhënë tani e sa vite. Çdo gjë ndikon negativisht në nxënien e nxënësve dhe nuk mundet të lejohet që të përsëritet kjo më. Tani paralajmërimet janë për vitin tjetër. Këto janë vërtet çështje serioze që ne si shtet nuk guxojmë të përsërisim të gjitha këto çështje, të cilat janë teknike. Ne kemi kërkuar nga ministri në dorëheqje që në muajin korrik të bëhet shpërndarja e librave e jo në gusht ose në shtator”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pret nga qeveria e ardhshme të merret me problemet e tanishme në arsim.
Qehaja: I tërë procesi mësimor për javë të tëra ka qenë improvizim
Edhe drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, ka thënë për gazetën se problemet në arsimin parauniversitar janë gjithmonë të pazgjidhura. Ai ka thënë se me vonesë janë përcjellë edhe planet mësimore, andaj edhe i tërë procesi mësimor me javë të tëra ka qenë i improvizuar. “Problemet në arsimin parauniversitar, për shkak që janë të pazgjidhura gjithherë, çdo vit përsëriten në të njëjtin format dhe shumë paturpësisht MASHT-i çdo vit dhe çdoherë përdor retoriken e njëjtë të arsyetimeve. Rikujtoj që këtë vit përtej shpërndarjes me vonesë të teksteve shkollore mësimdhënësve me disa javë vonesë u janë përcjellë edhe planet mësimore nga DKA-të (drejtoritë komunale të arsimit), pra i tërë procesi mësimor për javë të tëra ka qenë improvizim”, ka thënë ai.
Po ashtu Qehaja ka përmendur edhe tekstet shkollore, të cilat sipas tij kanë qenë jocilësore. “Mangësitë në konkursin e fundit për tekste të reja shkollore kanë rezultuar në tekste shkollore jocilësore me shumë gabime përmbajtjesore. Është e pafalshme që MASHT-i të mbulojë këtë dështim me arsyetimin e kinse të pilotimit të po të njëjtave, në ndërkohë procesi i vlerësimit të teksteve së bashku me konkursin kanë tejkaluar 9 (nëntë) muaj. Nëse MASHT-i nuk ka arritur të vlerësojë tekste cilësore për këtë periudhë, atëherë cila është baza ligjore e tyre që këto tekste të dështuara t’ua bartin nxënësve në shkolla”, ka shtuar ai.
Jashari: Gjendja në Kamenicë e paqartë, institucionet të mos heshtin
Përveç problemeve me tekstet shkollore, Komuna e Kamenicës po ballafaqohet edhe me një problem tjetër, atë të mbylljes se disa shkollave. Kjo gjë u kundërshtua vazhdimisht nga sindikalistët e arsimit, të cilët patën paralajmëruar edhe greva.
Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ka thënë për “Zërin” se vazhdimisht janë në kontakte me mësimdhënësit në këtë komunë, por që sipas tij situata është ende e paqartë. “Ne kemi kontakte të vazhdueshme me kolegët tanë atje dhe me kryetarin e Sindikatës së Arsimit Fillor dhe të Mesëm në Kamenicë. Gjendja nuk është e mirë. Ajo që është e keqe është se kryetari Kastrati vazhdon me idenë e tij dhe ne kemi kërkuar ndërhyrjen e MASHT-it, kryesisht me Drejtorinë e Departamentit për Arsimin Parauniversitar, në mënyrë që ai të ndërhyjë që çështja atje të sqarohet. Është një situatë e paqartë, është një situatë që nuk e di se pse ndodhi”, ka thënë ai.
Jasharaj ka thënë se institucionet arsimore në vend janë duke heshtur sa i përket situatës së krijuar në Komunën e Kamenicës.
Sipas tij, kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati është duke u angazhuar edhe më tej në projektin për mbylljen e shkollave. “Deri tani vetëm shkolla në Busavatë, që ka 117 nxënës, ende mbetet e hapur, ndërsa shkollat tjera mund të konsiderojmë se nuk funksionojmë. Është e keqe edhe heshtja e institucioneve, sepse ato duhet të reagojnë ngase vetë kanë thënë se institucionet arsimore i themelon shteti dhe të tillat mund të vendosë t’i mbyllë vetëm institucioni qendror. Është një heshtje e të gjithëve dhe kryetari i Kamenicës siç duket do të vazhdojë me angazhimet që të realizojë idenë e tij, e cila nuk është e qëlluar”, ka thënë ai.
Përndryshe, ai ka vlerësuar se çështja e shkollave në këtë komunë duhet të rregullohet në nivel vendi. “Besoj që do të ishte më mirë që kjo çështje të rregullohet në nivel të vendit, ngase shteti do të garantonte të përgjigjej në pyetjet se çdo të bëhet me mësimdhënësit që do të mbesin të papunë, çfarë me nxënësit që do të udhëtojnë për në shkollat tjera. Këto përgjigje nuk i kemi për momentin. Në Kamenicë e kemi një situatë të mjegulluar”, ka thënë ai./ZERI