Haxholli: Dialogu, çështja kryesore e qeverisë së ardhshme

Haxholli: Dialogu, çështja kryesore e qeverisë së ardhshme

Aktuale September 17, 2019 - 17:27
Lexon detajet

Procesi i dialogut me Serbinë pritet të jetë njëra ndër çështjet më të rëndësishme që do t’i trashëgojë qeveria e ardhshme. Ndonëse jemi në prag të zgjedhjeve të reja, asnjëra prej partive politike në Kosovë nuk e ka publikuar planin se si do ta udhëheqë dialogun Kosovë – Serbi, edhe pse disa prej kandidatëve për kryeministër janë shprehur të gatshëm ta drejtojnë këtë proces, shkruan gazeta "Zëri".

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se dialogu me Serbinë do të jetë një ndër temat më të rëndësishme me të cilat do të përballet qeveria e ardhshme.

“Tema e dialogut pritet të jetë temë kryesore edhe në të ardhmen e sidomos pas procesit zgjedhor. Çështja e taksës, çështja e vazhdimit të dialogut besoj do të jenë temat në tavolinë, që do t’i ketë qeveria e re pas zgjedhjes”, ka nënvizuar Haxholli.

Haxholli ka deklaruar se gjasat e fillimit të dialogut nuk varen nga zgjedhjet dhe nga formimi i qeverisë. Ajo ka shtuar se i gjithë ky proces varet nga vullneti i palëve dhe nga heqja e kushtëzimeve.

“Se a do të fillojë dialogu pas zgjedhjeve varet nga vullneti i palëve. Ne i dimë arsyet se pse dialogu është pezulluar. Në të ardhmen duhet të pritet se a do të ndryshojë diçka në këtë drejtim dhe a do të tërhiqet sidomos Serbia nga ky kushtëzim që i ka vënë Kosovës për heqjen e taksës, në mënyrë që pastaj procesi të vazhdojë”, ka thënë Haxholli./ZERIi