LVV: Mosheqja e vizave, sanksion ndaj veprimeve të liderëve kosovarë
Ndonëse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave, 28 shtetet anëtare të BE-së ende s’e kanë dhënë fjalën e fundit për këtë proces. Zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë thënë “Zërit” se pavarësisht që u takon shteteve anëtare të marrin një vendim final, është koha e duhur që kosovarëve t’u liberalizohen vizat, shkruan sot gazeta "Zëri".
“Procesi i vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën po vazhdon. Siç tha përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Helsinki, Komisioni Evropian i ka sugjeruar Këshillit që ka ardhur koha për të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ajo me këtë rast shtoi se tani i takon Këshillit ta marrë atë vendim, duke shprehur besimin se është koha e duhur që populli i Kosovës të marrë liberalizmin e vizave”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.
Mirëpo derisa heqja e vizave të ndodhë, Zyra e BE-së ka theksuar se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet për sundimin e ligjit, të sigurisë dhe të migracionit.
“Siç e dini raporti i Kosovës për vitin 2019 e ka përsëritur mbështetjen e Komisionit Evropian për përfundimin e këtij procesi si çështje urgjente. U takon shteteve anëtare të BE-së, të përfaqësuara në Këshillin e BE-së, së bashku me Parlamentin Evropian, të marrin vendimin përfundimtar. Ndërkohë është e rëndësishme që Kosova t’i demonstrojë përpjekjet e saj të vazhdueshme për sundimin e ligjit, për të pasur nën kontroll migrimin dhe sigurinë në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin përfundimtar të shteteve anëtare të BE-së”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, duke folur për heqjen e vizave për “Zërin” ka thënë se ky proces ka dështuar të ndodhë për shkak të sjelljes së liderëve kosovarë përgjatë viteve të fundit. Ai ka theksuar se të gjithë liderët kosovarë kanë dhënë premtime për heqjen e vizave, mirëpo ky proces kërkon përkushtim të madh nga ana e Qeverisë.
“Qe 15 vjet kanë premtuar liberalizim të vizave. Edhe kryeparlamentari, edhe kryeministri në dorëheqje, edhe presidenti kanë dalë me deklarata nga Berlini e nga Brukseli duke thënë se përfundoi heqja e vizave, skenë kjo që përsëritet disa herë që nga hapja e shampanjës nëpër zyre të Qeverisë e deri te premtimet e pafundme. Kjo tregon që ata nuk jetojnë realitetin e qytetarit të Kosovës, sepse meqë ata mund të udhëtojnë lirshëm me pasaporta diplomatike nuk u intereson që me mijëra njerëz grumbullohen para ambasadave, që është një nga skenat më të tmerrshme, të cilat mund t’i shohim. Liberalizimi i vizave tregon një lloj embargo sanksionesh të pashpallura që BE-ja ua ka bërë pikërisht këtyre njerëzve që nuk e kanë luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e as nuk i kanë përmbushur kriteret e tjera, që janë kritere nominale për shtetet, të cilat aspirojnë integrimin në BE”, ka thënë ai.
Heqja e vizave, sipas Abazit, mund të ndodhë vetëm kur Kosova të mos ketë më institucione të kapura dhe lider me afera korruptive.
“Ideja e liberalizimit të vizave, ideja e anëtarësimit në UNESCO e në INTERPOL duhet të bëhen me pikën fillestare që të kemi institucione të shëndosha në vend. Nuk është një lobim ditor, por është llogaridhënia ndaj qytetarit, aty ku niset besueshmëria e institucioneve. Politika e jashtme është refleksion i politikës së brendshme, nuk është diçka e paketuar dhe kozmetikë”, ka shtuar ai. /ZERI