Para zgjedhjeve partitë bojkotojnë PDK-në

Para zgjedhjeve partitë bojkotojnë PDK-në

Aktuale August 21, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Ndonëse ende nuk janë shpallur zgjedhjet partitë politike kanë nisur t’i bëjnë konfiguracionet e tyre për qeverinë e ardhshme, por duke e bojkotuar PDK-në. Vlerësohet se pa dëshirë PDK-ja do të shkojë e vetme në zgjedhje, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme pothuajse të gjitha subjektet politike janë shprehur se nuk duan koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila tash e sa kohë ka zgjedhur të heshtë për sa i përket lidhjes së bashkëpunimeve me partitë tjera. Ndonëse nuk kanë vendosur vija të kuqe për asnjërën prej tyre, PDK-ja as nuk është deklaruar se me cilën prej partive do të ishte më e përafërt për  koalicion parazgjedhor.

LEXO EDHE: Zgjedhjet kushtojnë 4 milionë euro, KQZ-ja pa një anëtar

Koalicioni me PDK-në nuk po parapëlqehet as nga LDK-ja, LVV-ja, AAK-ja e PSD-ja.

Mirëpo, edhe AKR-ja e Nisma deklarativisht nuk janë pro një aventure parazgjedhore me PDK-në ose me ndonjë parti tjetër.

Kësisoj, njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se Partia Demokratike e Kosovës mund të shkojë e vetme në zgjedhje jo pse kështu do të vendosë ajo, por për shkak se do të detyrohet të bëjë një gjë të tillë, si rrjedhojë e bojkotit që po i bëjnë partitë e tjera politike, madje edhe nga ato që deri para një muaji kanë qenë partnere në bashkëqeverisje.

Vlerësohet se matematikat e koalicioneve qoftë parazgjedhore ose paszgjedhore janë ende të paparashikueshme dhe se çdo opsion është ende në lojë.

PDK-ja e vetme në zgjedhje?

Analisti politik Imer Mushkolaj është shprehur për gazetën “Zëri” se edhe kësaj radhe PDK-ja do të mbledhë si partnerë parazgjedhorë të gjitha partitë e vogla, sikundër në zgjedhjet e kaluara, porse nuk do të mundë të arrijë ta marrë drejtimin e Qeverisë.

“PDK-ja përsëri do t’i mbledhë rreth vetes ato partitë e zakonshme, që janë rreth 20 dhe të krijojë përshtypjen e një koalicioni të madh dhe një koalicioni fitues, por nuk pres që PDK-ja të dalë subjekti i parë politik. Pastaj pas zgjedhjeve gjithnjë jemi mësuar të dëgjojmë se po ka presion prej ndërkombëtarëve që PDK-ja të futet në koalicion për shkak të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshjeje me partitë tjera. Unë nuk pres që kësaj here të ketë presione të tilla dhe mu për këtë ekziston mundësia shumë e mirë që kësaj here PDK-ja të mbetet në opozitë”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike në vend, është shprehur se aktualisht Partisë Demokratike të Kosovës nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër, pos të shkojë e vetme në zgjedhje.

“PDK-ja është në situatë të tillë tani kur pothuaj të gjitha subjektet politike deklarativisht në mënyrë konfirmuese janë përcaktuar se nuk do të donin të shkonin as në koalicione parazgjedhore, as paszgjedhore, pra në një ose në një mënyrë tjetër janë deklaruar se e bojkotojnë bashkëpunimin me të. Prandaj PDK-ja tash për tash mund të mos ketë ndonjë zgjidhje, por varet përsëri sidomos nga këto subjektet e vogla, si nga komunitetet, por edhe nga ndonjë parti shqiptare.

Nisma shpreson të “përcaktojë” formimin e qeverisë së ardhshme

Nisma Socialdemokrate po vazhdon të shprehet se në zgjedhjet e parakohshme do të garojë e vetme.

Ajo po konsideron se aktualisht është parti që do ta përcaktojë fatin e qeverisë së ardhshme.

Megjithatë, gjatë së martës kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka takuar kryetarin e Nismës Fatmir Limajn, duke deklaruar se ka disponim për koalicion, por që nuk kanë arritur dhe nuk janë dakorduar ende për një marrëveshje të tillë.

“Jemi takuar me z. Limajn, nuk ka pasur mundësi bisedimi për koalicion me Nismën. Ka disponim, por nuk jemi dakorduar për ndonjë marrëveshje”, ka deklaruar Haradinaj pas takimit.

Megjithatë, analistët thonë se Nisma mund të luajë një rol përcaktues pas zgjedhjeve dhe e gjitha kjo varet nga strategjia paszgjedhore.

“Mendoj që në momentet vendimtare Nisma dhe AKR-ja mund të ndikojnë në konfiguracionin qeverisës dhe institucional të vendit. Nisma nuk është që nuk i ka strategjitë e saj për të kalkuluar dhe për ta matur veten. Por ky orientim, kjo qasje që të shkohet me dikë pas zgjedhjeve është shumë strategjike, sepse pastaj me ata që do ta bëjnë shumicën këta do t’i bëjnë edhe pazaret e veta dhe me siguri do të jenë elementë kyç në formimin e qeverisë”, ka thënë Mazllum Baraliu për gazetën “Zëri”.

Vijat e kuqe të LDK-së dhe VV-së

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje që nga dorëheqja e Qeverisë i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koalicion parazgjedhor, kjo e fundit ende nuk ka dhënë sinjale për realizimin e një bashkëpunim të tillë.

Megjithatë, kreu i LDK-së Isa Mustafa deri tani ka zhvilluar disa takime me liderët e partive politike, madje këtyre ditëve ai pritet të takojë edhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn.

Lidhja Demokratike këtë të premte do ta mbajë edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të saj, ku do ta bëjë publike strategjinë e saj rreth koalicioneve për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Mirëpo LDK-ja tashmë e ka vendosur dritën e kuqe për sa i përket bashkëpunimit me PDK-në.

“Ne kemi biseduar dhe jemi duke biseduar me të gjitha subjektet politike, përveç me PDK-në. Mund të them se një ‘Jo’ të madhe në mesin e të gjitha subjekteve politike e ka vetëm PDK-ja, e cila si duket do të ngelet e vetme dhe duhet të përgatitet për opozitë. Unë besoj fuqishëm se lidershipi i ri i vendit, qeveria e re do të udhëhiqet nga LDK-ja dhe pse jo nga partnerët opozitarë, të cilët i kemi pasur, mbase edhe nga ndonjë partner i vogël i koalicionit qeverisës, në mënyrë që ta kemi një qeveri stabile me 61 vota”, ka thënë deputeti i kësaj partie, Naser Rugova.

Kategorikisht kundër një koalicioni me PDK-në është shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila deri tash e ka ofertuar vetëm LDK-në për të lidhur bashkëpunim parazgjedhor.

Koalicioni AAK-PSD i hapur për partnerë tjerë, por jo për PDK-në

Gjatë së hënës liderët e AAK-së e të PSD-së e kanë lidhur koalicionin e parë parazgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme, që pritet të mbahen brenda më pak se dy muajsh.

Deputetja e Partisë Socialdemokrate Shqipe Pantina është shprehur për “Zërin” se koalicioni AAK-PSD është i hapur për partnerë të tjerë, por jo edhe për PDK-në.

“Ne e kemi thënë edhe kur kemi nënshkruar marrëveshje me AAK-në se ky koalicion është i hapur edhe për partitë tjera, pos për PDK-në, për të cilën kemi rënë dakord se nuk do të bëjmë koalicion. Për partitë tjera jemi të hapur dhe i mbetet Shpend Ahmetit e Ramush Haradinajt të bisedojnë edhe me përfaqësues të subjekteve tjera politike, për të parë mundësitë qoftë të ndonjë koalicioni parazgjedhor ose edhe për të lënë mundësitë e hapura për koalicione paszgjedhore”, ka deklaruar ajo.

Pantina konfirmoi se deri më tash PSD-ja ka qenë e fokusuar në diskutimet me AAK-në, por që ka diskutime edhe me Nismën e me AKR-në, mirëpo sipas saj pas këtyre bisedimeve të shihet nëse do të ketë pajtueshmëri me këto dy parti.