Pas shpërndarjes, Kuvendi pa kurrfarë roli deri në legjislaturën e shtatë

Pas shpërndarjes, Kuvendi pa kurrfarë roli deri në legjislaturën e shtatë

Aktuale August 20, 2019 - 13:38
Lexoni detajet

Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet më 22 gusht në rast se 80 deputetë votojnë pro për t’i dhënë fund kësaj legjislature. Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se nëse votimi për shpërndarjen e Kuvendit dështon atëherë duhet të thirret seancë e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një herë, shkruan Gazeta 'Zëri'. 

Sipas Artan Muratit, seanca për shpërndarjen e Kuvendit do të jetë e suksesshme duke iu referuar deklaratave të subjekteve politike, të cilat janë shprehur se janë pro zgjedhjeve të reja sa më parë.

“Gjasat janë të vogla që mocioni për shpërndarje të Kuvendit të mos kalojë, meqenëse ka dakordim paraprak të subjekteve politike, madje mocioni do të duhej të kishte më shumë se 80 vota, meqë të gjitha subjektet politike shqiptare janë shprehur në favor të zgjedhjeve. Normalisht nëse nuk ndodh ndonjë marrëveshje ose ndonjë lëvizje politike në moment të fundit, siç jemi mësuar shpeshherë ta shohim në politikën tonë, mocioni do të duhej të kalonte pa problem”, ka thënë ai për 'Zërin'. 

Më tutje Murati ka theksuar se në rast të shpërndarjes Kuvendi nuk do të ketë asnjë rol derisa nuk formohet legjislatura e re. Kësisoj mandatet e deputetëve të legjislaturës së gjashtë do të pushojnë automatikisht me shpërbërjen e Kuvendit.

“Pas shpërndarjes faktikisht nuk ka asnjë rol që do të mundë ta luante Kuvendi. Ai mund ta ushtrojë funksionin e tij deri në momentin e shpërndarjes, që hipotetikisht është data 22 gusht. Përndryshe, në momentin që shpërndahet Kuvendi duhet vetëm të caktohet data e zgjedhjeve dhe të pritet konstituimi i legjislaturës së shtatë pas zgjedhjeve. Me shpërndarjen e Kuvendit pushojnë mandatet e deputetëve dhe nuk mund të merret asnjë vendim e as të mbahet asnjë mbledhje nga deputetët e legjislaturës së gjashtë”, ka shtuar ai. /ZERI