LDK-ja insiston në postin e kryeministrit

LDK-ja insiston në postin e kryeministrit

Aktuale August 13, 2019 - 09:58
Detajet

Ende pa u caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme shumica e partive politike i kanë bërë të ditur emrat e zyrtarëve me të cilët e synojnë postin e kryeministrit të vendit. Ani pse përfaqësuesit e partive nuk kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit me koalicione, ata kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga posti i shefit të Qeverisë së ardhshme, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse tashmë disa herë është përmendur mundësia për një koalicion parazgjedhor mes dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, asnjëherë nga këto dy parti nuk ka dhënë shenja se në rast të shkuarjes në zgjedhje ndonjëra nga to mund të bëjë kompromis për postin e kryeministrit.

LEXO EDHE: PSD-ja e Nisma mund të bëjnë kompromis për postin e kryeministrit

Përfaqësues të LDK-së tashmë disa herë kanë theksuar se assesi nuk mund të bëjnë kompromis me pozitën e kryeministrit, derisa ende nuk kanë vendosur se me cilin kandidat për këtë post do të dalin në zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, për “Zërin” ka thënë që e vetmja mënyrë për të fituar mandatin për të udhëhequr me vendin është përmes zgjedhjeve të lira. “Nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të lira. Mandati për të udhëhequr me Kosovën duhet të merret nga qytetarët. Nuk mundet ky mandat të merret në forma të tjera”, ka theksuar ai.