Topalli: Kemi vija të kuqe për Veselin, jo edhe për Kurtin
Foto: Laura Hasani

Topalli: Kemi vija të kuqe për Veselin, jo edhe për Kurtin

Aktuale August 10, 2019 - 08:07
Detajet
Image

Pavarësisht përçarjeve të mëdha, të cilat ishin shkaktuar me rastin e largimit nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarët e Partisë Socialdemokrate (PSD) thonë se mund të bashkëpunojnë përsëri me partinë e Albin Kurtit. Deputeti i PSD-së, Faton Topalli, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” thotë se partia e tij ka vija të kuqe vetëm për PDK-në e Kadri Veselit. Topalli ka shtuar se PSD-ja do ta kalojë pragun zgjedhor dhe do të jetë përcaktuese për formimin e qeverisë së ardhshme. Ai është i bindur se Kuvendi do të shpërndahet më 22 gusht, ndërsa gjasat janë zero për një qeveri teknike. Duke folur për qeverisje në Prishtinë, Topalli shprehet se mandati i dytë i Shpend Ahmetit është më i suksesshëm se i pari, shkruan gazeta "Zëri".

S’ka gjasa për qeveri teknike, partitë duan zgjedhje

Zëri: Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarjen e Kuvendit. A pritni që në këtë ditë vërtet të ndodhë kjo dhe pas kësaj të caktohet data për zgjedhje të reja?

Topalli: Po, mendoj se ka një pajtueshmëri të përgjithshme brenda partive politike edhe brenda qytetarëve, të cilët janë shumë të interesuar që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse qeverisja e deritanishme nuk ka qenë një qeverisje, e cila ka arritur t’ua sigurojë qytetarëve të Kosovës një mirëqenie më të mirë. Ka qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për qytetarët dhe në këtë kuptim mendojmë se është momenti i fundit që të shkojmë në zgjedhje. Ne i kemi dorëzuar nënshkrimet shumë më herët për rrëzimin e Qeverisë, por mjerisht kanë munguar numrat që kjo të rrëzohet dhe tash me dorëheqjen e kryeministrit janë plotësuar kushtet e nevojshme që të shkohet në zgjedhje të reja dhe ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Gjasat për qeveri teknike janë zero

Zëri: Sa ka gjasë për formimin e një qeverie teknike dhe a do ta përkrahte PSD-ja një opsion të tillë?

Topalli: Gjasat për krijimin e një qeverie teknike në bazë të të gjitha rrethanave ekzistuese janë zero. Shpresoj që të mos ketë një qeveri teknike, sepse kemi një gatishmëri të përgjithshme të partive politike dhe të qytetarëve, prandaj nuk ka asnjë arsye të njohur që të mos shkojmë në zgjedhje. Sa më shpejt dhe më herët të shkojmë në zgjedhje, aq më mirë do të krijohet mundësia të kemi më shpejt një qeveri të re, e cila do të merret me tema me rëndësi për vendin.

LDK-ja dhe LVV-ja po tentojnë ta dëmtojnë PSD-në

Zëri: Keni pasur vazhdimisht akuza nga dy partitë opozitare, LDK-ja dhe LVV-ja, se po kontribuoni në zgjatjen e jetës së qeverisë “Haradinaj” me sigurimin e votave në Kuvend. Si e komentoni këtë?

Topalli: Vetëvendosja e ka kuptuar se sa shumë ka humbur me largimin e një pjese të aktivistëve të LVV-së dhe të deputetëve të kësaj partie. Është larguar pjesa kryesore e Sekretariatit, është larguar motori i Lëvizjes Vetëvendosje, pra të gjithë ata që kanë kontribuuar maksimalisht në krijimin e programit të LVV-së dhe në këtë kuptim humbja është shumë e madhe, prandaj edhe hidhërimi është shumë i madh. Ne nuk jemi pajtuar me gjërat që tashmë i kemi përmendur, prandaj sinqerisht kemi shpresuar se kjo ndarje do të jetë një ndarje e njerëzve, që kanë bërë një rrugëtim mbi 10 vjet bashkë, duke shpresuar që në çështje të caktuara ne mund të bashkëpunojmë prapë, megjithatë anëtarët e LVV-së nuk janë pajtuar me këtë dhe kanë bërë një varg akuzash ndaj nesh. Ne kemi një varg ligjesh, të cilat LVV-ja së bashku me LDK-në, por edhe partitë e tjera i kanë votuar në Kuvendin e Kosovës, kanë marrë pjesë në shumicën e seancave, kanë organizuar një varg seancash të jashtëzakonshme, në të cilat ne kemi marrë pjesë dhe kemi dhënë kontributin tonë. Pra nuk mund të thuhet se ne ishim patericë e Qeverisë, sepse kjo nuk qëndron. Për ne ka qenë e rëndësishme të kontribuojmë në çështjet dhe në ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve dhe në këtë kuptim mendoj se kemi dhënë një kontribut shumë të mirë në çuarjen para të shumë proceseve me rëndësi për vendin.
 

Zëri: Të njëjtat akuza ua ka bërë edhe LDK-ja. A është edhe ajo e hidhëruar me ju?

Topalli: Qasja e LDK-së nuk është serioze, sepse po kjo parti në shumicën e rrugëtimit të saj politik deri para dy vjetëve ka qenë bashkë me PDK-në, pra mbajnë të njëjtat përgjegjësi, ashtu sikur edhe PDK-ja për të metat që janë treguar gjatë kësaj qeverisjeje. Sidoqoftë, është ditur se ne do të shkojmë në zgjedhje, nëse jo tani, pak më vonë. Pra, kjo është fushata parazgjedhore, të cilën e bëjnë partitë politike karshi PSD-së. Nëse do të ishim ne parti e parëndësishme nuk do të kishim sulme as nga LDK-ja e as nga LVV-ja, po pikërisht për faktin se jemi të rëndësishëm dhe që do të luajmë rol qendror në përcaktimin e zgjedhjeve për këtë vit, atëherë sulmet janë të drejtuara nga të dyja partitë kundër nesh për ta minimizuar rolin tonë. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse PSD-ja është e përgatitur, është e vetëdijshme për sfidat që do t'i ketë dhe është e gatshme ta shfrytëzojë maksimumin e saj organizativ dhe mbështetjen qytetare për t'i realizuar objektivat, që i konsiderojmë se janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

PSD-ja e kalon pragun zgjedhor

Zëri: Sa është PSD-ja e gatshme për zgjedhje të parakohshme dhe a pritni ta kaloni pragun zgjedhor?

Topalli: Ne jemi një parti e re, e cila është riaktivizuar ose është e rithemeluar nga data 9 maj e vitit të kaluar. Normalisht për një parti të tillë koha prej një viti është e shkurtër, sepse partisë i nevojitet më shumë kohë për të krijuar kuadro të reja, për t’u përcaktuar në programin ekonomik, në arsim etj., por duke pasur parasysh anën tjetër që në PSD janë njerëzit me më së shumti përvojë, të cilët kanë qenë në LVV, jemi pjesa që e kemi bërë programin, ne e kemi ngritur këtë parti. Pra, kemi një potencial të madh dhe një përvojë të madhe, prandaj mendoj se nuk ka asnjë dilemë që PSD-ja nuk e kalon pragun. Për ne kjo pyetje nuk shtrohet fare, kjo është çështje e asaj që në thelb vlerësohemi shumë si parti. Forca jonë është te dija, organizimi, përvoja politike dhe qëllimet që ne i kemi shtruar si PSD e jam i bindur që ne do të dalim jashtëzakonisht mirë në zgjedhje, madje do të jemi përcaktues se kush do të jetë në pushtet.

PDK-ja duhet të jetë opozitë

Zëri: Cilat janë vijat e kuqe të PSD-së për koalicione të mundshme me partitë e tjera dhe cilat janë preferencat tuaja?

Topalli: Vijat e kuqe për ne janë mbi të gjitha në programin politik, ekonomiko-social, ku për ne është e rëndësishme që të merremi vesh me partnerët tanë të koalicionit për çështjet, të cilat ne i konsiderojmë si vlera kryesore të PSD-së. Aty i vëmë vijat e kuqe. Ne mendojmë se PDK-ja ka qenë shumë gjatë në pushtet dhe do të duhej që kësaj radhe ta dorëzojë pushtetin dhe t’i japë mundësi një blloku tjetër, i cili do ta shtynte vendin përpara. Ka nevojë për shumë reforma në vendin tonë dhe mbi të gjitha ka nevojë për një shtet ligjor, ka nevojë për të drejta të qytetarëve dhe ka nevojë për një politikë ekonomike, e cila secilit qytetar të Kosovës ia siguron së paku mundësinë e ekzistencës. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe sa të afërt do të jemi me partitë tjera kjo do të varet nga ajo se sa do të merremi vesh rreth programeve tona politike për reformat në të gjitha fushat.

PSD-ja mund të bëjë kompromis për karrigen e kryeministrit

Zëri: Në rast të arritjes së një koalicioni me partitë tjera, si PSD a do ta sakrifikonit postin e kryeministrit? Cili është emri juaj për këtë post?

Topalli: Ne mund të kemi shumë emra për kryeministër, duke pasur parasysh që kemi shumë kuadro brenda partisë, por kjo çështje nuk është shtuar ende në Kryesi, sepse për ne nuk janë të rëndësishme pozitat, për ne është i rëndësishëm programi për të cilin merremi vesh gjatë qeverisjes së ardhshme lidhur me atë se çka do të bëjmë për qytetarët e Kosovës. Postet ekzekutive janë poste politike, me rëndësi janë politikat e partive e nëse ne i përcaktojmë ato, atëherë nuk ka rëndësi kush i udhëheq ato, por ka rëndësi që të merremi vesh, t’i sigurojmë mekanizmat e nevojshëm, të cilët do ta detyrojnë qeverinë cilado qoftë ajo për t'i zbatuar ato pika programore, të cilat ne jemi marrë vesh. Nuk ka ndonjë përpjekje që një parti e vetme ta marrë shumicën absolute, 51%, kjo ka qenë dikur vetëm kërkesë e LVV-së. Po duket se kjo nuk qëndron më, pasi po kërkon me kaq shumë ngulm koalicion me LDK-në, e ka parë që kjo është diçka e pamundshme dhe nuk do të ishte e mirë për qytetarët e Kosovës që të kemi një parti të vetme në pushtet. Kjo nuk do të ndodhë, sepse raporti i forcave është i tillë çfarë është.

Zëri: Pra, mund të bëni kompromis për karrigen e të parit?

Topalli: Ne mund t’i bëjmë të gjitha kompromiset e mundshme, të cilat do të çojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Kërkesat e LVV-së për bashkëpunim me LDK-në, kërkesa joparimore
 

Zëri: Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në një postim të tij i bëri thirrje tërthorazi LDK-së që të krijojnë një koalicion, i cili do t’i siguronte 70 ulëse në Kuvend të Kosovës. A ndiheni të përjashtuar nga ftesa e Kurtit?

Topalli: Ne nuk jemi ndier të përjashtuar, sepse ai e ka përjashtuar një bashkëpunim të tillë. Mendoj se kjo është çështje e LVV-së dhe flet edhe për një prej aspekteve tona të ndarjes, sepse ne kemi qenë për parime dhe nuk është parimore që në të njëjtën kohë të thuash "Isë, Isë argat i Serbisë" e t’i hedhësh spërkatës dhe në të njëjtën kohë të thuash se i vetmi partner yni është LDK-ja, e cila ka qeverisur deri para dy vjetësh dhe kundër së cilës LVV-ja ka qenë shumë aktive.

Zëri: Zyrtarët e LVV-së kanë lënë të nënkuptohet se nuk do të bashkëpunojë me PSD-në. A keni edhe ju vija të kuqe për Vetëvendosjen?

Topalli: Ashtu siç e ka thënë edhe Dardan Sejdiu në parim, pra kjo do të ishte kërkesë e të gjitha partive të majta dhe dëshirë e tyre, për të qenë të majta do të duhej të bashkoheshin. Kësisoj vetëm atëherë mund të kërkohet bashkëpunim me të tjerët, por sinqerisht kjo lufta që është duke u zhvilluar është luftë joparimore dhe tregon sa poshtë bien parimet kur bëhet fjalë për luftën për pushtet.

Zëri: Së fundmi në medie është raportuar se PSD-ja i ka bërë ofertë kreut të PDK-së Kadri Veselit që të vazhdohet qeverisja aktuale me Veselin kryeministër dhe me Aida Dërgutin kryetare të Kuvendit. Sa qëndron një gjë e tillë, a ka gjasë për një skenar të tillë?

Topalli: Meqë është duke u zhvilluar fushata parazgjedhore në këtë fazë partitë përpiqen gjithmonë të nënvlerësojnë ose t'i paraqesin keq kundërshtarët politikë. Këtë akuzë për të cilën ne do të ngremë parti, e kuptoj në funksion të fushatës parazgjedhore, të cilën e bën PDK-ja. Kjo nuk qëndron aspak dhe ne sikur të kishim dëshirë për të qenë në pushtet do t’u ishim përgjigjur kërkesave të PDK-së e gjithë koalicionit qeverisës dhe kemi mundur pa asnjë problem të jemi pjesë e qeverisjes.

PDK-ja na ka bërë ftesë për t’iu bashkuar PAN-it

Zëri: Pra paska pasur kërkesa nga PDK-ja që të jeni pjesë e koalicionit?

Topalli: Po, ka pasur kërkesa të tilla. Ne nuk jemi bërë pjesë e koalicionit PAN dhe nuk do të ishim bërë me asnjë çmim. Në pjesën e fushatës parazgjedhore mund të thonë çfarë të duan, por e vërteta është që ne jemi të parët, të cilët i kemi dorëzuar nënshkrimet, me qëllim që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mandati i dytë i Shpendit, më i suksesshëm se i pari

Zëri: Prishtina qeveriset aktualisht nga kreu i PSD-së Shpend Ahmeti. A i tradhtoi votuesit e kryeqytetit Shpend Ahmeti me përfshirjen e tij në ekipin negociator?

Topalli: Ju e dini historinë e përfshirjes së z. Ahmeti në këtë delegacion. Në fakt ai nuk ka humbur fare kohë dhe ajo që mund të them është se qeverisja e dytë e z. Ahmetit është shumë më e suksesshme sesa qeverisja e parë. Në të gjitha takimet që ne i kemi mbajtur gjatë fushatës zgjedhore së bashku me z. Kurtin të gjithë e kanë marrë për shembull qeverisjen e mirë të z. Ahmeti në Prishtinë. Në qeverisjen e parë ka pasur më pak përvojë edhe programi politik ka qenë më i ngushtuar sesa tani. Tash ai ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë për Prishtinën dhe është shumë i suksesshëm në qeverisjen e tij, por ka më pak mbështetje të gjerë.

Zëri: A mendoni se ky është mandati i fundit i Ahmetit në krye të Prishtinës, apo mendoni se do ta fitoni edhe një mandat tjetër?

Topalli: Mendoj se PSD-ja do ta marrë përsëri edhe një mandat në Prishtinë. Nuk e di nëse z. Ahmeti dëshiron të kandidojë edhe për herë të tretë ose jo, por besoj në sukseset e PSD-së. Është komuna e cila është duke u qeverisur më së miri dhe është çështje e tij nëse kandidon prapë, por PSD-ja është e gatshme për ta marrë edhe një mandat në Komunën e Prishtinës.

Zëri: Ju keni jetuar gjatë në diasporë. Pse po dështon futja e kosovarëve, të cilët jetojnë në diasporë në listat zgjedhore?

Topalli: Qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit kanë të drejtë të futen në listat zgjedhore. Secila parti që dëshiron të ketë përfaqësues nga mërgata në listat e tyre mund ta bëjë këtë. Nuk ka asnjë pengesë ligjore për të ndodhur kjo çështje. Ka më shumë se pesë vjet që synojmë ta bëjmë një reformë zgjedhore. Ka pasur ide të ndryshme që të ketë edhe përfaqësues në vende të siguruara nga mërgata, por mbi të gjitha është çështje e partive politike se sa qytetarë nga diaspora do t'i fusin në listat e tyre, kjo është njëra. Ajo që për mua është shumë e rëndësishme është lehtësimi i procesit zgjedhor për ata që jetojnë në mërgatë, i cili është tejet i komplikuar. Ky proces do të duhej të thjeshtëzohej në mënyrë që sa më shumë qytetarë, të cilët jetojnë jashtë vendit, të kenë mundësi të votojnë dhe për t’u zgjedhur edhe në institucionet e vendeve./ZËRI