'Mandati i Haradinajt, i parezultat'

'Mandati i Haradinajt, i parezultat'

Aktuale August 01, 2019 - 09:42
Lexo tjera detaje

Qeveria “Haradinaj” nuk bëri diçka të jashtëzakonshme gjatë mandatit të saj, përveç problemeve që kanë qenë sheshazi politike dhe të cilat kanë pasur të bëjnë me çështjen e bisedimeve me Serbinë. Ky është vlerësimi i nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, për gati dy vjet qeverisje të Ramush Haradinajt, shkruan gazeta "Zëri".

Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në një intervistë për “Zërin” nuk e kursen nga kritikat Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Haradinaj, duke ia përmendur atij kundërshtimin që ia kishte bërë Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi sa ishte në opozitë, përderisa kur erdhi në pushtet e votoi po atë marrëveshje.

Ai po ashtu kritikon Haradinajn për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, duke thënë se askush nuk mund të qeverisë me forcë brenda Evropës.

Zëri: Gjatë mandatit të tij Haradinaj ka marrë disa vendime, siç ishte taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe kundërshtimi i ashpër i korrigjimit të kufijve. Cilat sipas jush ishin gabimet e tij dhe ku qeverisi mirë?

Haliti: Sa i përket taksës unë mendoj se askush nuk mund të qeverisë me forcë brenda Evropës. Secila qeverisje duhet t'i ndjekë rregullat evropiane dhe duhet të funksionojë mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat janë arritur. Unë e kam kundërshtuar në fillim taksën dhe mendoj se nuk kam qenë gabim për shkak të bindjeve të mia. Por lufta politike mes idesë së këmbimit të territoreve ose moskëmbimit të territoreve e ka bërë të veten dhe unë nuk do ta vlerësoja në këtë rast saktë, sepse nuk i kam të gjitha informacionet, por është parë një luftë permanente mes idesë së këmbimit të territorit dhe moskëmbimit të territoreve. Sidoqoftë ne kemi një Kushtetutë, një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare që i njeh kufijtë e sotëm, Marrëveshjen e Kumanovës e cila ka qenë mbi bazën e këtyre kufijve. Prandaj lufta për t'i mbrojtur kufijtë ekzistues të Kosovës unë e quaj të drejtë, por nëse vendet bien dakord pas njohjes së njëra-tjetrës për të rregulluar diçka që mund të rregullohet, atëherë do të jetë një marrëveshje në mes të dyja palëve të barabarta. Pra unë nuk mund të them se cili është rezultati, sepse nuk ka rezultat, as nuk janë ndërprerë bisedimet përgjithmonë dhe ato po kërkohet të vazhdojnë. Pengesat janë të natyrave të ndryshme, por të shohim tani se çfarë do të bëjë qeveria e re.