Partitë nisin fushatën ende pa u shpallur zgjedhjet
Foto: Laura Hasani

Partitë nisin fushatën ende pa u shpallur zgjedhjet

Aktuale August 01, 2019 - 07:58
Lexo tjera detaje
Image

Ende pa u shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga presidenti Hashim Thaçi liderët e partive të koalicionit qeverisës, si dhe udhëheqës të opozitës kanë filluar t’i mobilizojnë strukturat e tyre nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, shkruan gazeta "Zëri".

ende nuk ka një datë zyrtare se kur vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, partitë politike kanë nisur tashmë të parapërgatiten për procesin e ri elektoral, të mbajnë takime me qytetarë, të japin premtime e të shprehen të bindur në fitore. Liderë nga partitë e koalicionit qeverisës, si dhe udhëheqës të opozitës kanë filluar t’i mobilizojnë strukturat e tyre nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

Megjithëkëtë, presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret, i cili do të çonte drejt tejkalimit të situatës aktuale, të krijuar pas dorëheqjes së kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga pozita e kryetarit të Qeverisë. Përfaqësuesit e subjekteve politike po vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, mirëpo kreu i shtetit para dy ditësh pos zgjedhjeve ka përmendur edhe krijimin e një strukture të re qeverisëse, si opsion të mundshëm për të dalë nga gjendja e tanishme. Kushtetuta e lejon mandatimin e një kandidati të ri për kryeministër, mirëpo presidenti ende nuk ka nisur konsultat me subjektet kryesore të koalicionit qeverisës e as me opozitën. Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, pavarësisht zvarritjes që po bëhet nga ana e kreut të shtetit.

Parapërgatitjet e PAN-it dhe të opozitës për zgjedhje

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ditëve të fundit ka zhvilluar një sërë takimesh me strukturat e këtij subjekti nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Gjatë një takimi që ka pasur së fundmi në Pejë dhe në Kamenicë, Veseli tha se PDK-ja është e gatshme të hyjë në zgjedhje dhe të dalë fituese. Një gjë e tillë sipas tij po dëshmohet çdo ditë me entuziazmin dhe me angazhimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve që PDK-ja ta marrë përgjegjësinë për ta drejtuar Kosovën. Në këtë takim, siç është bërë e ditur në njoftimin e lëshuar nga PDK-ja, anëtarët e degëve kanë folur për përgatitjet që tashmë kanë filluar për procesin zgjedhor, shkruan gazeta "Zëri".

Sikurse kreu i PDK-së, njëjtë ka vepruar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ditëve të fundit ka zhvilluar disa takime me strukturat e subjektit që drejton. Pas një takimi të këtij niveli që pati në Pejë Haradinaj tha se kjo parti aktualisht është më e fortë se kurrë. Ndërkohë, qysh nga dorëheqja e Haradinajt nga posti i kryeministrit, edhe Nisma Socialdemokrate nuk është ndalur së zhvilluari takime e vizita me strukturat e saj. Pas një takimi që pati me strukturat dhe me aktivistët nga rajoni i Dukagjinit, kryetari i këtij subjekti Fatmir Limaj tha se Nisma është e gatshme dhe me objektiva të qarta për zgjedhje.

Edhe përfaqësuesit e opozitës kanë zhvilluar takime e nuk janë ndalur së dhëni premtime elektorale kohët e fundit. Lideri i LVV-së Albin Kurti pas një takimi që ka pasur me disa prej mërgimtarëve ka thënë se me ardhjen e Vetëvendosjes në krye të shtetit do të shtohen arsyet që mërgimtarët të kthehen në atdhe. Ndonëse ende nuk ka përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor pa zhvilluar takime nuk kanë lënë as zyrtarët e LDK-së. Ata në vazhdimësi janë shprehur të bindur se ky subjekt do të dalë fitimtar në zgjedhjet e reja. Të angazhuar në këtë drejtim janë shprehur edhe përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate. Zyrtarë të kësaj partie kanë thënë ditëve të fundit se kanë takuar shumë të rinj vullnetarë që janë shprehur të gatshëm për ta ndihmuar në realizimin e platformës socialdemokrate.

LDK: S’ka zgjidhje tjetër pos zgjedhjeve

Gjersa ka folur rreth zhvillimeve të fundit deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se fushata e partive politike për zgjedhjet e reja ka nisur qysh moti. Një gjë e tillë sipas tij është bërë veçmas nga opozita. “Fjalimet elektorale të deklaruara dhe të padeklaruara kanë ekzistuar vazhdimisht, sepse opozita gjithmonë është elektorale, gjithmonë duhet të ketë fjalime elektorale”, ka deklaruar Haliti gjatë një interviste për gazetën.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka konsideruar se vendi aktualisht është në një vakuum të madh institucionalo-politik. Ndaj sipas tij nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve të parakohshme. “Ne kërkojmë nga presidenti i vendit që t’i ftojë subjektet politike e të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Çdo tentim tjetër për prolongim të kësaj gjendjeje politike dhe juridike në vend bie ndesh me Kushtetutën e vendit”, ka deklaruar Rugova për “Zërin”.

Pavarësisht zvarritjes, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme

Njohësi i çështjeve politike Rasim Alija ka thënë se subjektet politike opozitare që para dorëheqjes së kryeministrit kanë nisur fushatën, duke e ditur se kjo Qeveri nuk do të mundë të mbijetonte deri në fund të këtij viti. Një gjë të tillë sipas tij e kanë bërë edhe partitë në pushtet menjëherë pas vendimit të Ramush Haradinajt për ta lëshuar pozitën e kryeministrit. “Në rrethanat kur jemi me Qeveri të rënë, subjektet politike pozitë e opozitë janë në fushatë që prej ditës kur Haradinaj ka dhënë dorëheqje. Fushata ka filluar dhe javët e ardhshme do të jetë edhe më intensive dhe si asnjëherë më parë, e ashpër dhe fushëbetejë politike”, ka potencuar ai.

Por megjithëkëtë, ai ka konsideruar se presidenti së bashku me PDK-në do të tentojnë që t’i shtyjnë deri në fund të tetorit zgjedhjet e reja. Kjo kohë sipas tij PDK-së do t’i shërbejë si periudhë e ndërtimit të pazareve me koalicione. Megjithëkëtë ai ka thënë se zgjedhjet e parakohshme nuk mund të shmangen. “Pas lëvizjes mat të Haradinajt me dorëheqjen e tij PDK-ja duket e mbështetur për muri dhe do të provojë çdo formë që ta rikuperojë veten dhe të mos mbesë pa pushtet. Por zgjedhjet janë të pashmangshme”, ka potencuar ai./ZËRI