Kosova në prag të zgjedhjeve, KQZ-ja e pakompletuar
Foto: Laura Hasani

Kosova në prag të zgjedhjeve, KQZ-ja e pakompletuar

Aktuale July 26, 2019 - 07:55
Lexoni detajet
Image

Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e ka gjetur të pakompletuar dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, me ç’rast vendi shumë shpejt pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Koalicioni PAN ende nuk i ka dërguar dy përfaqësues në këtë institucion, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj e ka gjetur të pakompletuar institucionin përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i mungojnë dy anëtarë nga radhët e koalicioni PAN.

LEXO EDHE: PDK-ja i hakmerret Haradinajt

Megjithatë, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për “Zërin” se ky institucion do të përmbushë detyrën e vet për organizimin e zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm, që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që kërkohet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat që dalin sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht ka nëntë anëtarë, nga njëmbëdhjetë sa është numri i përbërjes së përgjithshme që parashihet me Kushtetutën e Kosovës. Kuorumi që është i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjeve dhe marrja e vendimeve janë të arritshme”, ka thënë ai për 'Zërin".

Elezi ka theksuar se ndonëse kanë kuorumin e mjaftueshëm, përbërja komplete do ta ndihmonte dhe do ta lehtësonte punën e KQZ-së.

Përndryshe, derisa KQZ-ja vazhdon të jetë e pakompletuar, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për atë se si duhet të bëhet ndarja e posteve në këtë institucion.

Rrustemi: PAN-i nuk mund ta mbajë peng KQZ-në

Edhe anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë për gazetën “Zëri” se janë të përgatitur për organizimin e zgjedhjeve në rast se ato shpallen nga presidenti Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se edhe pse KQZ-ja nuk është e kompletuar, është funksionale dhe ka anëtarë të mjaftueshëm për mbajtjen e mbledhjeve dhe për marrjen e vendimeve.

“Prej së premtes së javës së kaluar është e qartë që Kosova është pa qeveri dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë një fakt i kryer. Mendoj që KQZ-ja ka mandat kushtetues në organizimin e zgjedhjeve, qofshin ato të rregullta, qofshin të jashtëzakonshme. Duhet që sa më parë presidenti i vendit të caktojë datën e zgjedhjeve, me qëllim që t’i rikthehet mundësia qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre dhe si rrjedhojë të kemi një kuvend legjitim, por edhe një qeveri legjitime”, ka thënë ai.

Rrustemi ka thënë më tej se për shkak të mosmarrëveshjeve mes koalicionit PAN nuk mund të mbahet peng KQZ-ja.

“Dy anëtarët e PAN-it mungojnë për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre të brendshme, se kush do t’i përfaqësojë, por mosmarrëveshjet e tyre nuk mund të mbajnë peng Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve dhe zgjedhjet në përgjithësi. Me anëtarët e PAN-it ose pa ta KQZ-ja do t’i organizojë zgjedhjet”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Qeveria duhet të ndajë një buxhet të veçantë për KQZ-në në momentin që do të shpallen zgjedhjet.

Gashi: Derisa të mbahen zgjedhjet KQZ-ja kompletohet

Derisa KQZ-ja po vazhdon të jetë e pakompletuar, i nominuari për anëtar në këtë institucion nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, është shprehur optimist që para se vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme KQZ-ja do të kompletohet.

Ai ka thënë se është duke pritur që të bëjë betimin dhe të bëhet pjesë e KQZ-së.

“Po besoj që ajo punë do të zgjidhet derisa të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, kështu që nuk besoj se do të ketë problem nga kjo punë. Për momentin unë e kam nominimin te presidenti nga PDK-ja, kështu që vetëm presim kur ai të na thërrasë për të bërë betimin.

Besoj që para zgjedhjeve kjo do të ndodhë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Përndryshe, pas emërimit të 8 anëtarëve të rinj të KQZ-së nga ana e presidentit Hashim Thaçi, partitë në pushtet nuk kishin pranuar të kenë vetëm dy anëtarë në këtë institucion, andaj edhe kishin kërkuar nga presidenti që secila parti të ketë nga një përfaqësues dhe në KQZ të mos përfaqësohen vetëm si koalicion.

Tri grupet parlamentare, AAK-ja, Nisma dhe PSD-ja, e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, por që nga kjo gjykatë ende nuk është marrë një vendim.

Deri në marrjen e vendimit KQZ-ja do të mbetet me dy anëtarë mangët.

Baraliu: Kushtetuesja të marrë vendim urgjent për KQZ-në

Derisa nga KQZ-ja kanë thënë se mungesa e dy anëtarëve nuk do të jetë pengesë nëse vendi shkon në zgjedhje, analisti i çështjeve kushtetuese dhe politike në vend Mazllum Baraliu ka thënë për “Zërin” se KQZ-ja duhet të kompletohet, për shkak se mosemërimi i gjithë anëtarëve të saj mund të ketë pasoja.

Sipas tij, këto pasoja mund të reflektohen gjatë procesit elektoral në rast se subjektet politike do të kenë ankesa.

“Sigurisht që mungesa e plotë e strukturës vendimmarrëse, veçanërisht nga disa prej partive të rëndësishme që janë edhe në koalicion, e ka vendin e saj dhe pasojën. Ka pasoja dhe mund të reflektohen posaçërisht kur mund të paraqiten situata delikate gjatë procesit elektoral, ku partitë politike mund të jenë të pakënaqura, mund të kenë ankesa dhe në ato procese vendimmarrëse ku merr pjesë e tërë struktura e KQZ-së ata nuk janë aty, kjo reflektohet në pakënaqësi dhe në vendimmarrje”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se është mirë që urgjentisht Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe subjektet politike të përcaktojnë personat që do t’i përfaqësojnë ata në KQZ.

“Është mirë që urgjentisht Gjykata Kushtetuese ta trajtojë çështjen, të marrë një vendim, t’i hapë rrugë Presidencës që ajo ta kryejë obligimin e saj dhe të përcaktohet se cilat nga këto parti dhe në çfarë mënyre duhet të delegojnë anëtarë në KQZ. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, çfarëdo që të jetë, duhet të zbatohet, përndryshe nuk ka alternativë tjetër, në mënyrë që të kompletohet KQZ-ja dhe në zgjedhjet e ardhshme të marrë vendime, por jo me dy njerëz mangët, gjë që mund të ketë pasoja”, ka shtuar ai.