PDK-ja i hakmerret Haradinajt
Foto: Laura Hasani

PDK-ja i hakmerret Haradinajt

Aktuale July 26, 2019 - 07:52
Lexoni detajet
Image

Një javë pas dorëheqjes nga pozita e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka ftuar për sot mbledhjen e Qeverisë. Ministrat e PDK-së nuk do të jenë prezentë në këtë mbledhje, ndonëse ftesës do t’i përgjigjen pozitivisht ministrat nga radhët e Nismës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Është bërë një javë e plotë prejse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Ndonëse në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thuhet qartë se në momentin që kryeministri jep dorëheqje Qeveria bie, Haradinaj ka thirrur për sot mbledhje të Qeverisë në largim.

Por ndryshe prej herëve të tjera, në këtë takim nuk pritet të marrin pjesë ministrat që vijnë nga radhët e PDK-së, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Disa prej ministrave që janë pjesë e PDK-së, partisë me të cilën deri më tash ka bashkëqeverisur Haradinaj, mospjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e sotme e kanë arsyetuar duke thënë se nuk gjenden në Kosovë.

Ndërkohë njohësit e çështjeve juridike thonë se pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit Qeveria në largim nuk ka më kompetencë për të marrë asnjë vendim.

Ndaj, sipas tyre, secili vendimi i nxjerrë nga mbledhja e sotme është vendim pa efekt juridik. Kritika për mbledhjen e thirrur për sot Haradinaj ka marrë edhe nga përfaqësuesit e partive opozitare.

Vijon nga faqja parë

PDK-ja bojkoton mbledhjen e thirrur nga Haradinaj

Pak pas publikimit të lajmit se Haradinaj ka thirrur mbledhjen e Qeverisë, ministri i Drejtësisë që vjen nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Një veprim i tillë, siç ka bërë të ditur Tahiri, vjen pasi që nuk gjendet në Kosovë. Njëjtë ka pohuar edhe ministrja e Integrimit Dhurata Hoxha, e cila po ashtu ka thënë se nuk ndodhet në Kosovë.

“Jo, nuk do të marr pjesë, nesër udhëtoj jashtë vendit”, ka thënë shkurt Hoxha.

Në mbledhjen e sotme nuk do të jetë i pranishëm as ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, i cili vjen nga radhët e AKR-së. Këtë e kanë konfirmuar për “Zërin” zyrtarë të kabinetit të ministrit të Mjedisit.

“Jo, nuk është këtu deri të hënën”, kanë thënë shkurt nga Zyra e kabinetit të Matoshit.

Por ndryshe ka pohuar ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, i cili vjen nga Nisma. Ai ka thënë se do të jetë prezent nëse mbledhja mbahet gjatë ditës së sotme.

LVV: Qeveria ka rënë me dorëheqjen e Haradinajt

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion (nga LVV), Albulena Haxhiu, e ka cilësuar skandaloz vendimin e Haradinajt për të thirrur mbledhje të Qeverisë në largim. “Kjo është skandaloze. Secili vendim që mendohet të merret ka pasoja, edhe penale.

Kjo Qeveri ka rënë me dorëheqjen e Haradinajt. Ky është abuzim dhe shkelje kushtetuese”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërkohë Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se sipas Kushtetutës që nga e premtja e javës së kaluar Kosova është pa qeveri, pasi nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera posti i tij mbetet i lirë, Qeveria bie.

“Në rastin konkret, dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit Haradinaj ka sjellë një situatë ku Kosova nga dita e premte është pa qeveri dhe tanimë kompetencat lidhur me formimin e Qeverisë së re bien te presidenti i Republikës së Kosovës, i cili ka mundësinë që në konsultim me partitë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend t’ia propozojë Kuvendit kandidatin e ri për kryeministër, i cili e formon Qeverinë, nëse kanë numrin e nevojshëm të votave në Kuvend”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

IKD: Qeveria në largim s’ka kompetenca për të marrë vendime

Pavarësisht faktit që ka kaluar më shumë se një dekadë prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas Gzim Shalës, nga IKD-ja, ende asnjë legjislaturë nuk ka arritur ta miratojë Ligjin për Qeverinë, i cili do t’i përcaktonte kompetencat e Qeverisë dhe të kryeministrit në rastet kur ata shkarkohen ose japin dorëheqje, si në rastin konkret.

Pos kësaj, sipas tij, as Kushtetuta e Kosovës, por as Rregullorja e Kuvendit nuk kanë paraparë ose rregulluar situata të tilla.

Megjithëkëtë Shala ka thënë se sipas praktikës që është ndërtuar tashmë në Kosovë Qeveria e dorëhequr shërben deri në ardhjen e një qeverie të re.

“Sidoqoftë, praktika parlamentare e shteteve me demokraci të zhvilluar, por edhe në bazë të praktikës së ndërtuar në Kosovë që nga viti 2008, në rastet kur kemi të bëjmë me shkarkim të kryeministrit ose të dorëheqjes së tij, është e njohur si ‘Qeveri në largim’, e cila Qeveri ka kompetenca të kufizuara dhe e cila duhet të shërbejë në detyrë deri në formimin e Qeverisë së re”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Qeveria në largim kryen vetëm punët e rregullta dhe nuk mund t’i paraqesë Kuvendit projektligje ose të nxjerrë akte të përgjithshme, përveç në rastet me interes të mbrojtjes ose në rastet e fatkeqësive natyrore, gjendjes së jashtëzakonshme.

Ndaj, sipas Shalës, Qeveria nuk ka kompetencë që pas dorëheqjes së kryeministrit të marrë ndonjë vendim.

“Qeveria në largim po ashtu nuk mund të emërojë ose të shkarkojë persona që janë brenda kompetencave të Qeverisë. Për këtë arsye qeveria ‘Haradinaj’ nuk ka më kompetencë për të marrë asnjë vendim tjetër, pasi kryeministri Haradinaj ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme më 19 korrik të këtij viti. Si rrjedhojë, secili vendim i nxjerrë nga ky takim është vendim pa efekt juridik”, ka nënvizuar Shala.

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, ka thënë se veprimet e fundit mes partnerëve të koalicionit shpërfaqin më së miri mënyrën e qeverisjes së deritanishme.

Sipas tij, nuk ka kurrfarë logjike që kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, të thërrasë edhe më tej mbledhje të Qeverisë.

“Tashmë nuk ka rëndësi a shkelen ligjet, a shkelet Kushtetuta. E rëndësishme për subjektet politike është lufta politike, pushteti me çdo kusht e çmim, edhe duke nëpërkëmbur atë të cilën janë të thirrur ta mbrojnë. Kryeministri nuk ka pse të ftojë mbledhje të Qeverisë, prej së cilës ka dhënë dorëheqje. Nuk ka logjikë as juridike e as politike, sepse kjo qeveri ka rënë, së bashku me të gjithë ministrat”, ka deklaruar ai.

Duke u nisur nga kjo, sipas Alisë, çdo vendim që potencialisht do të mundë të merrej sot përbën shkelje ligjore. Madje sipas tij vetë thirrja e mbledhjes së Qeverisë mund të jetë material i mjaftueshëm për shkelje të Kushtetutës.