
Spitali i Gjakovës pezullon operacionet për një javë

Spitali i përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda” që nga data 16 korrik e deri më datën 22 korrik ka pezulluar operacionet efektive (jourgjente) në Repartin e Kirurgjisë, të Urologjisë, si dhe në Repartin e Ortopedisë. Këtë vendim thuhet se e kanë marrë në mënyrë që t’u japin përparësi rasteve emergjente, për shkak se fluksi i pacientëve në këtë spital është i madh, ndërsa numri i personelit mjekësor i pamjaftueshëm, shkruan sot gazeta Zëri.
LEXO EDHE: Zvarritja e qëllimshme e Thaçit
Ndërsa për vendimin që ka marrë ky spital një javë më parë nuk ka qenë i informuar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se vendimin për pezullimin e rasteve elektive e ka marrë Këshilli Drejtues në këtë spital.
Sipas tij, fillimisht është menduar që për një muaj të mos kryhen operacionet elektive, por që ky vendim është pezulluar pas një jave. “Ne përpara e kemi bërë këtë gjë kur kemi pasur pak staf. Ata e kanë bërë një kërkesë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, që t’u japin rasteve emergjente përparësi. Këshilli Drejtues ka marrë vendim me kërkesën e njësive të bllokut operativ të anestezionit, mirëpo e kemi shfuqizuar atë. Në Gjinekologji nuk kemi pasur ndërprerje të programeve efektive, por në Kirurgji, në Urologji dhe në Ortopedi. Vendimin e kemi mbajtur në fuqi për 1 javë, por që kemi menduar për një muaj. Vendimin e kemi marrë diku pas datës 15 korrik”, ka thënë ai për zërin.
Asllani ka treguar se këtë praktikë të pezullimit të operacioneve elektive e kanë pasur edhe gjatë viteve të kaluara bashkë me spitalet tjera rajonale.
Megjithatë, duke vlerësuar se janë ngutur me vendimin e marrë, ka thënë se tashmë prej ditës së sotme rastet që kanë qenë në pritje do të hyjnë në program. “Ne rastet elektive nuk i kemi pezulluar të gjitha. Ne këtë vendim e kemi marrë në nivel të Këshillit Drejtues në spitale, sepse ne jemi institucion. Kur e pamë që spitalet tjera nuk e kanë bërë këtë gjë, ne konsideruam se jemi ngutur. Edhe pse është fluksi i madh ne do të punojmë. Ne jemi i vetmi spital që asnjëherë nuk kemi pasur listë të pritjes, kurse në disa klinika presin edhe nga dy muaj”, ka thënë ai.Asllani ka thënë më tej se edhe pse tani do të kenë fluks më të madh të pacientëve, do të punojnë gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të gjithë të marrin trajtime mjekësore.
SHSKUK: Nuk kemi qenë të njoftuar për vendimin
Në lidhje me vendimin për pezullimin e operacioneve elektive në Spitalin e Gjakovës nuk ka qenë i informuar menaxhmenti i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Zyra për informim në SHSKUK ka thënë për “Zërin” se kanë kërkuar që operacionet në këtë spital të kryhen normalisht. “Zyra për informim njofton se menaxhmenti i SHSKUK-së nuk ka qenë i njoftuar lidhur me këtë vendim. Drejtori i përgjithshëm ka kërkuar nga menaxhmenti i Spitalit që operacionet të bëhen normalisht. Nga informacionet që kemi, tani operacionet po kryhen normalisht”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, “Zëri” ka kontaktuar edhe zyrtarët për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët kanë thënë për gazetën “Zëri” se Spitali i Gjakovës është pjesë e SHSKUK-së dhe vendimet për spitale merren në nivel të Bordit të këtij institucioni.
Kadrijaj: Mjekët të mos shkojnë në pushime nëse pengohet puna
Pezullimi i operacioneve elektive nuk u ka pëlqyer anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.
Anëtarja e këtij komisioni nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se është shqetësuese që operacionet po pezullohen gjatë stinës së verës.
Ajo ka thënë se duhet të menaxhohet marrja e pushimeve vjetore nga ana e stafit mjekësor, në mënyrë që të mos pengohet puna në institucionet publike shëndetësore.
“Për mua kjo është shqetësuese, sepse është edhe sezoni i verës. Megjithatë është edhe menaxhmenti që e rregullon funksionimin. Asnjëherë mjekët dhe infermierët nuk duhet të lëshohen në pushime verore në rast se pengohet puna. Në këtë rast menaxhmenti është dashur të mendojë se si infermierët të shkojnë në pushime vjetore, por duke mos e bllokuar punën”, ka theksuar ajo./ ZERI