Kosova, pa ambasadorë në 6 shtete
Foto: Laura Hasani

Kosova, pa ambasadorë në 6 shtete

Aktuale July 23, 2019 - 07:46
Lexo Detajet

Ministria e Punëve të Jashtme, e cila udhëhiqet nga Behxhet Pacolli, po e përfundon mandatin pa i emëruar ambasadorët e Kosovës në disa shtete të botës. Ndonëse për Ministrinë një gjë e tillë nuk e pengon funksionimin e diplomacisë kosovare në shtetet tjera, njohës të çështjeve politike theksojnë se mungesa e diplomatëve paraqet joseriozitet dhe dështim të politikës së jashtme të Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Republika e Kosovës ka në funksion gjithsej 30 misione diplomatike, por në disa prej tyre vazhdojnë të mungojnë ambasadorët nga Kosova, për shkak të vonesave në emërim dhe në dekretim nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) dhe nga ana e presidentit të vendit Hashim Thaçit. 

LEXO EDHE: Kalkulimet e partive, koalicionet parazgjedhore dhe vijat e kuqe

Vendet ku mungojnë këta ambasadorë janë Britania e Madhe, Australia, Suedia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zyra Ndërlidhëse në Serbi. Ndonëse njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë se mungesa e ambasadorëve e dëmton diplomacinë kosovare dhe e zvarrit lobimin e Kosovës për çështje të rëndësishme, siç janë njohjet e reja, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, njëjtë nuk mendojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.Ata theksojnë se një gjë e tillë nuk e pengon funksionimin e diplomacisë kosovare.

“Ministria e Punëve të Jashtme ndjek vazhdimisht konsultime të rregullta me Qeverinë dhe me presidentin për të vazhduar me emërimet e mëtejshme. Ambasadat në mungesë të ambasadorëve drejtohen nga të ngarkuarit me punë dhe nuk pengon kjo punën e ambasadave, pasi ato janë funksionale dhe efektive në zbatimin e qëllimeve të politikës së jashtme të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë dhënë “Zërit”.

Mirëpo, përveç mungesës së ambasadorëve, problem tjetër vlerësohet të jenë edhe “pazaret politike” mes partnerëve të koalicionit, të cilat sipas njohësve politikë po e nxisin shkeljen e Ligjit për Shërbime të Jashtme, i cili përcakton kuotën e barabartë të emërimit të ambasadorëve politikë dhe të atyre profesionalë.

Reçica: Mungesa e ambasadorëve e dëmton diplomacinë kosovare

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Elmi Reçiqa, i cili është edhe anëtar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, është shprehur për “Zërin” se mungesa e ambasadorëve të Kosovës në shtetet tjera e dëmton diplomacinë kosovare.

“Patjetër që mungesa e emërimit të ambasadorëve e dëmton diplomacinë e Kosovës dhe prezenca e ambasadorit në shtetet përkatëse e fuqizon politikën e jashtme. Do të ishte mirë që të ketë sa më shpejt dekretim të ambasadorëve. Nuk mund të them që nuk ka angazhime të ambasadave kur nuk ka ambasadorë, por vetë fakti që ambasadorët nuk janë të dekretuar, normalisht që niveli i komunikimit është më i ulët”, ka thënë Reçica.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme së bashku me Presidencën janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për emërimin dhe dekretimin e ambasadorëve të Kosovës në shtetet që Kosova ka marrëdhënie diplomatike. “Ministria e Punëve të Jashtme së bashku me presidentin janë duke bërë përpjekje që sa më shpejt të emërohen ambasadorët. Sa më shpejt emërohen, aq më mirë do të jetë për Kosovën, për diplomacinë tonë, në kohën kur kemi nevojë jashtëzakonisht shumë që ta kemi prezencën e ambasadorëve tanë jashtë vendit”, ka potencuar ai.

Nagavci: Pazare politike në emërimin e ambasadorëve

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thekson se si nga ana e Qeverisë, ashtu edhe nga ana e Presidencës janë bërë pazare politike në emërimin e ambasadorëve të Kosovës në shtetet tjera.

“Vonesat në emërimin dhe në dekretimin e ambasadorëve po vjen për shkak të neglizhencës, por në rastet më të shpeshta për shkak të pazareve që po bëhen në rastet e përzgjedhjes së tyre. Tashmë është e qartë që më së paku janë marrë parasysh kriteret profesionale, sepse emërimi i personave ka qenë kryesisht i bazuar në lidhjen politike dhe klienteliste”, ka pohuar ajo.

Nagavci thotë se vonesat në emërim do të shkaktojnë zvarritje të lobimit për çështjen e liberalizimit të vizave, për prurjen e njohjeve të reja dhe lobimin për integrim sa më të shpejtë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Ministria e Jashtme në vazhdimësi nuk ka qenë në nivel të detyrës së vet, duke filluar prej përfaqësimit, qoftë në takime të ndryshme zyrtare, por edhe në kryerjen e detyrave bazë, siç është caktimi i ambasadorëve. Kjo jo vetëm që nuk jep një pasqyrë të mirë për shtetin e Kosovës, por edhe pamundëson kryerjen e obligimeve që i kemi në raport me vendet tjera. Mungesa e ambasadorëve ndikon keq në politikën e jashtme, duke pasur mungesë të lobimit për çështjen e njohjeve, të vizave e të integrimit të Kosovës në BE e në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.

Murati: Nuk po zbatohet kuota për ambasadorë politikë e të karrierës

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për gazetën se problemi më i madh në emërimin e ambasadorëve të Kosovës në shtetet tjera është moszbatimi i kuotës 50:50 për ambasadorët politikë dhe të karrierës.

“Problemi më i madh është që Ligji për Shërbimin e Jashtëm vazhdon të shkelet dhe kuotat që janë të paraparë për ambasadorë të karrierës dhe për ambasadorë politikë veç janë tejkaluar prej ambasadorëve politikë. Tash vonesat në emërim në disa vende mund të ndërlidhen direkt edhe me ato paqartësitë se kush të emërohet ambasador, këtu mund të ketë edhe luftëra të brendshme politike mes subjekteve në koalicionin qeverisës. Por ndoshta ka edhe tendenca që të bëhet një përzgjedhje e duhur për ambasadorët potencialë të karrierës”, ka deklaruar Murati.

Ai ka theksuar për gazetën se vonesat në emërimin e ambasadorëve shpërfaqin joseriozitet të shtetit dhe e dëmtojnë politikën e jashtme të Kosovës. “Këto vonesa do të duhej të evitoheshin dhe është me rëndësi që në shtetet me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike të kemi edhe përfaqësim të duhur diplomatik, sepse kjo na ndihmon në të gjitha aspektet në kuadër të politikës së jashtme, duke përfshirë çështjen e njohjeve të reja, të liberalizimit të vizave e me radhë”, ka shtuar Murati. /ZERI