Hamiti: Me librin e shenjtë, fytyra e njeriut është pa burkë
Mbulimi i tërësishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Kështu ka thënë profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti.
Duke interpretuar Kuranin, ai ka thënë se me Librin e Shenjtë fytyra e njeriut është pa burkë.
“Njeriu është i lirë të vishet si të dojë, por mbulimi i tërsishëm i fytyrës nuk mund të përligjet me norma fetare. Mbulimi i plotë i fytyrës është një prodhim i grupeve dhe shoqërive të caktuara, si rezultat, kryesisht i injorancës fanatizmit, konservatizimit dhe interpretimit ideologjik sektar”, ka shkruar ai në Facebook.
“Sipas Kuranit, fytyra e njeriut edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër është – pa peçe, burka, pa ferexhe, pa nikabe. Ajo është e lartësuar estetikisht, si e tillë është e zbuluar, sepse në të janë shqisat më të rëndësishme”komunikuese” të qenies njerëzore: sytë, veshët, hunda, goja etj.”, ka theksuar Hamiti.
“Fytyra e njeriut në Kuran përmendet në raportin moral dhe emocional si pjesë shprehimisht shpirtërore e trupit të njeriut. (Me shpinë nuk mund të qeshim ose të mrrolemi! As me bark, as me gjoks, nuk qeshemi/murrëtohemi, etj.!) Vetëm në fytyrë shpërfaqet fuqishëm gëzimi, shendi e hareja, por edhe pikëllimi, mjerimi, depresioni, melankolia dhe zia”, ka shkruar ai.
“Religjionet semite, as cilatdo fe të tjera të botës nuk e lidhin konceptin e lakuriqësisë me fytyrën e njeriut. Në Kuran dhe hadith fytyra e njeriut nuk trajtohet asgjëkundi si pjesë e trupit që është “lakuriq” ose “cullak”!”, ka thënë Hamiti.