Tahiri: Mogherini e nisi mirë, e përfundoi keq
Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, thotë për “Zërin” se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, deri para një viti ka mbrojtur parimet evropiane në Ballkan, përderisa së fundmi i ka shkelur pikërisht parimet e tilla, duke hyrë në aventura, të cilat do të mundë të sillnin luftë në Ballkan, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë Edita Tahiri disa herë është takuar në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me ç’rast ka krijuar vlerësime të ndryshme për punën pesëvjeçare të kryediplomates evropiane.
Sipas saj, deri para një viti Mogherini ka mbrojtur parimet evropiane në Ballkan, përderisa së fundmi i ka shkelur pikërisht parimet e tilla.
“Nga përvoja ime që kam pasur me zonjën Mogherini, deri para një viti ajo ka qenë në mbrojtje të parimeve evropiane në Ballkan e të cilat kanë qenë që gjashtë vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën, të bëhen anëtare të BE-së. Mirëpo se çfarë ndodhi në vitin e fundit dhe pse ajo shkeli parimet evropiane e doli në disa aventura, të cilat do të mundë të sillnin luftë në Ballkan, këtë nuk e di”, thotë Tahiri për gazetën “Zëri”.
Pasardhësi i Mogherinit pritet të jetë kryediplomati spanjoll Josep Borrell.
Gjatë vizitës së tij në Beograd në mars të këtij viti Borrell ka deklaruar se Spanja ka qenë kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe se ajo nuk do ta ndryshojë politikën ndaj Serbisë, kur bëhet fjalë për Kosovën. Megjithatë, ka analistë të cilët thonë se një qëndrim më neutral ndaj Kosovës Borrelli do ta mbajë gjatë mandatit të tij të ri në BE.
Hoxha: Kemi pritur më shumë nga Mogherini
Edhe ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, nuk është e kënaqur me punën e deritanishme të Mogherinit në raport me shtetin më të ri në Evropë. Hoxha ka pakënaqësi të mëdha sidomos për çështjen e vizave me BE-në, por edhe për procesin eurointegrues.
“Lidhur me çështjen tonë integruese kemi edhe përparime, edhe ngecje gjatë mandatit të saj. A është bërë mjaft, mendoj se ka mundur të bëhet edhe më shumë. Qytetarët tanë duan prova brenda kësaj politike. Ne kemi dhënë prova se jemi më pro evropianë sesa shumë vende të BE-së. Për fat të keq rreziqet globale, politika e jashtme e BE-së sikur nuk i sheh, ndërsa padrejtësia për liberalizimin e vizave ka mundur të trajtohet konform të të arriturave”, ka thënë Hoxha.
Sipas saj, ishin pikërisht deklaratat e Mogherinit dhe të zyrtarëve të BE-së të cilat rritën pritjet e politikanëve, por edhe të qytetarëve kosovarë për heqjen e vizave.
“Roli i Mogherinit ka qenë i madh, por ne kemi pritur më shumë. Kemi pasur mjaft arsye dhe argumente për këtë. Dihet se çfarë kanë deklaruar eprorët e lartë të BE-së për vizat edhe zonja Mogherini, gjë që solli edhe një vonesë, të cilën ne nuk po mund ta adresojmë. Ne kemi kryer detyrat tona me bashkësinë ndërkombëtare, kemi zbatuar reformat, MSA-në dhe një varg veprimesh përafruese me BE-në. Kemi sfida, por kemi nevojë për më shumë përkrahje nga mekanizmat evropianë”, ka shtuar Hoxha.
Kusari-Lila: Faj kanë edhe liderët kosovarë
Në anën tjetër deputetja nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, për “Zërin” ka thënë se ndërmjetësuesja e dialogut Kosovës – Serbi, Frederica Mogherini, nuk ka qenë arsyeja e vetme pse Kosova është dëmtuar në procesin e dialogut. Faj për këtë gjë, sipas saj, është edhe moskoordinimi i liderëve kosovarë në raport me objektivat e dialogut. “
Në instanca të caktuara është vërejtur se zonja Mogherini nuk ka qenë krejt e paanshme ose ka mbajtur një anë nga pala serbe. Por nuk është e pafajshme as pala kosovare, sepse ajo ka qenë absolutisht jokompakte në qëndrime, ka pasur edhe konflikte me zonjën Mogherini në instancat e fundit të qeveritarëve dhe në fund një ekip negociator i krijuar jashtë Kushtetutës së Kosovës. Pra të gjitha këto kanë bërë që ky proces të jetë këtu ku është sot”, ka thënë Kusari-Lila.
Po ashtu sipas saj problem kryesor në mandatin 5-vjeçar të Mogherinit për Kosovën ka qenë edhe moskrijimi i një zëri unik i palës kosovare në dialog me Serbinë.
Udhëheqësia e re e BE-së, shpresë për zhbllokim të dialogut
Ndërsa Taulant Kryeziu, nga instituti “Epik”, vlerëson se roli i përfaqësueses së lartë të BE-së, Fredrica Mogherini, në këto pesë vjet nuk ka sjellë rezultate pozitive për Kosovën. Madje sipas tij përkrahja e idesë për ndryshim të kufijve nga Mogherini ka zbehur rolin e saj në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mogherini prejse ka marrë mandatin në nëntor të vitit 2014, me një përkrahje të shumicës së deputetëve, ka luajtur një rol pozitiv deri në një masë. Mirëpo më vonë me përkrahjen e idesë së ndryshimit të territoreve ajo e ka humbur mandatin mbi të cilin është ngarkuar nga vendet kryesore të BE-së. Që nga ai moment ajo nuk i ka shërbyer më pozitivisht ndërtimit të konsensusit të nevojshëm, që po kërkohet nga Kosova për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, ka thënë Kryeziu për “Zërin”.
Sipas tij, pikërisht për këtë fakt Gjermania dhe Franca kanë marrë së fundmi timonin e udhëheqjes së dialogut.
“Duke e parë se kjo ide është ide që ka polarizuar skenën politike, mirëpo nuk ka gjetur mbështetje as te vendi kryesor brenda BE-së, Gjermanisë, dhe mendoj se në momentin që ky shtet e ka parë që Mogherini ka dalë jashtë mandatit të saj, ne kemi parë se është rimarrë procesi i dialogut në duar të Gjermanisë dhe të Francës”, ka thënë ai, duke shtuar se emërimi i spanjollit Josep Borrell si pasardhës i Mogherinit mund të sjellë rezultate pozitive për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.