
Kosova feston bashkë me Amerikën

Shteti më i fortë në botë sot feston 243-vjetorin e pavarësisë, ndërsa Kosova bashkë me të sot do ta festojë edhe një herë tjetër miqësinë e përjetshme. Flamuj të mëdhenj të Amerikës që nga e marta po vazhdojnë ta mbizotërojnë sheshin kryesor të kryeqytetit për ta shprehur falënderimin dhe respektin për popullin amerikan në Ditën e Pavarësisë së tyre, shkruan gazeta "Zëri".
Qytetarët e Kosovës pohojnë se nuk do të ndalen asnjëherë së avancuari partneritetin me Amerikën. “Duhet ta ruajmë miqësinë me Amerikën dhe do ta ruajmë atë përjetësisht”, porosisin disa persona të moshuar teksa sodisnin pamjen e flamurit të Amerikës, të Kosovës e të Shqipërisë, të cilët valëviteshin bashkërisht në erë.
“Falë Amerikës sot i kemi dy shtete shqiptare, ne e kemi besën e fortë dhe të mirën e mikut nuk ia harrojmë kurrë”, vazhdonin ata duke uruar miqësi jetëgjatë me shtetin e Amerikës. Por miqtë e saj nga Kosova çështjes për miqësi të përjetshme i kanë bërë vend në një objekt në qendër të Prishtinës, ku për 15 vjet rresht shoqata “Miqtë e Amerikës” mbledh bashkë popullin më pro amerikan në botë. Duke e vlerësuar lart rolin e këtij shteti kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, thotë se misioni i kësaj shoqate do të vazhdojë të jetë ruajtja e partneritetit me SHBA-në. “Amerika na ka vlerësuar më shumë sesa ne e vlerësojmë atë. Vetë fakti që e ka filluar një bombardim dhe ka thyer një rregull ndërkombëtar për të na ndihmuar ne tregon se na ka vlerësuar tej mase. Prandaj misioni i shoqatës sonë do të jetë përherë falënderimi, respekti maksimal dhe ruajtja e raporteve të mira me këtë shtet mik”, deklaroi Rexhepi.
Pesha e pavarësisë së Amerikës
Peshën e pavarësisë së Amerikës Rexhepi e mat edhe me pavarësinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke shtuar se kosovarët nuk hezitojnë të kërkojnë që të bëhen pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Pavarësia e Kosovës tregon që amerikanët nuk punojnë vetëm për interesa të tyre, por luftojnë dhe veprojnë edhe për interesa të popujve të vegjël. Për mua dhe për shumë shqiptarë të tjerë pavarësia e Amerikës është e barabartë me pavarësinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Shumë qytetarë kosovarë kërkojnë që të jemi shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këto janë ato elemente që çojnë shumë peshë”, ka potencuar ai.
Ai thotë se Kosova asnjëherë nuk i ka zbehur marrëdhëniet me Amerikën, e cila në asnjë mënyrë nuk e ka për qëllim të tërhiqet nga objektivat për ta zhvilluar, për ta avancuar dhe për ta krijuar Kosovën si shtet shumë më të fuqishëm në mes të Ballkanit, shkruan tutje "Zëri".
Ngritja e flamurit amerikan në Prishtinë
Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë si Ushtri e Kosovës do ta ngrejë flamurin amerikan në prani të statujës së ish-presidentit amerikan Bill Clinton. Një gjë të tillë Garda Ceremoniale e FSK-së në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Amerikës” e bën për të tetën herë radhazi. “Ne kemi një aktivitet të përbashkët me FSK-në në shenjë respekti për institucionet amerikane. Garda Ceremoniale e Ushtrisë së Kosovës do ta ngrejë flamurin amerikan te sheshi ‘Bill Clinton’ në Prishtinë. Kjo nuk është hera e parë, është hera e tetë që Forca e Sigurisë së Kosovës bën një veprim të tillë për nder të Pavarësisë”, thotë kryetari Rexhepi.
Ai shprehet se veprimet e tilla përçojnë mesazhe tek Amerika se populli i Kosovës do të jetë bashkë me ta në festë e në luftë.
Në 20-vjetorin e Çlirimit nga Serbia me nderime të larta Kosova priti ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretaren e shtetit Madeleine Abright. Në festën e Çlirimit i ftuar ka qenë edhe ish-presidenti George W. Bush, i cili për shkak të agjendës nuk kishte arritur të vinte në Kosovë. Mirëpo në shenjë mirënjohjeje për ftesën Bush falënderoi shoqatën “Miqtë e Amerikës”, së cilës i kishte kërkuar edhe falje për mungesën e tij në një prej ditëve më të rëndësishme për Kosovën në të cilën hisen më të madhe e pati Amerika.
“Pesë ditë para se të festohej 20-vjetori i Çlirimit të Kosovës ne kemi marrë një letër nga stafi i presidentit Bush, përmes së cilës na njoftoi se fatkeqësisht për shkak të agjendës nuk mund të na vizitojë. Kjo nuk është letra e parë, sepse edhe për 5-vjetorin e Pavarësisë e kemi ftuar presidentin Bush dhe kemi marrë letër nga ai, në njëfarë forme kërkim falje pse nuk mund të marrë pjesë në aktivitetet që zhvilloheshin për përvjetorin e Pavarësisë”, shtoi tutje Rexhepi./ZËRI
