Gjithçka e mbyllur në veri
FOTO: Laura Hasani

Gjithçka e mbyllur në veri

Aktuale July 01, 2019 - 09:50
Lexoni detajet

Nga dita e sotme (e hënë) komunat veriore të Kosovës do të jenë në bllokadë të plotë si rezultat i planit të Serbisë për “katastrofën humanitare”. Burime nga pjesa veriore thonë se qytetarët serbë kanë krijuar rezerva të paktën për tri ditët e ardhshme. Ata vlerësojnë se në veri bëhet fjalë për grevë të përgjithshme për shkak se asnjë dyqan i çfarëdo lloji, marketet, barnatoret, dyqanet hoteliere, duke përfshirë edhe pompat e benzinës, furrat, qebaptoret, ëmbëltoret, lokalet e berberëve e sallonet e ondulimit, nuk do të punojë, shkruan gazeta "Zëri"

Të gjitha do të mbahen të mbyllura, sipas një urdhërese të afaristëve të veriut të Kosovës. Afaristët e veriut të Kosovës parashikojnë edhe që t’i mbyllin pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë, por ky vendim ende nuk është marrë dhe pritet të diskutohet më 3 korrik.

“Serbëve në veri të Kosovës nuk u paraqitet rreziku për uri, po sigurisht janë të kërcënuar me rrahje ose edhe me dëmtim të pasurisë dhe me metoda tjera të frikësimit nëse shkojnë dhe blejmë në dyqanet ‘përtej rrugës’, në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ ose edhe në hipermarkete në pjesën jugore të qytetit, ku pothuajse rregullisht shkojnë dhe furnizohen me mallra, atëherë kur nuk i spiunojnë. E ndërkaq spiunimi dhe informimi këto ditë, nga paralajmërimi i ‘katastrofës humanitare’, është aktivitet i rregull patriotik.

Ndoshta ndonjë individ i etshëm për një jogurt edhe ka marrë guximin që për shkak të fëmijës të kalojë deri te fqinjët, por që pronares së ‘bakalnices’ nuk guxon t’i kalojë pa e parë. Në vepër është, siç thonë, marrëveshja e solidaritetit”, përcjell portali “Kossev”, prononcime të qytetarëve për situatën. “Rezerva do të kemi ndoshta edhe tri ditë, sepse depot në të cilat jemi furnizuar me mallra janë mbyllur para dy ditëve, ndërsa mallra që kanë ardhur nga Serbia nëpërmes rrugëve alternative nuk ka qe 20 ditë.

Por gjendja aktualisht është e tillë që dyqanet nuk janë të boshatisura, përveçse mungon qumështi dhe prodhimet e qumështit, por ato mallra kanë kohë vetëm edhe sot që të shiten, respektivisht që qytetarët t’i marrin nëse u mungojnë, sepse plani i afaristëve të veriut është që deri më 1 korrik të shiten të gjitha rezervat që janë marrë nga ndërmarrjet me shumicë dhe që më 1 korrik të fillojë e ashtuquajtura “grevë e përgjithshme”. Plani është që më 1 dhe 2 korrik gjithçka të jetë mbyllur në veri, jo vetëm dyqanet tregtare dhe marketet.

Sipas portalit serb, në takimin e afaristëve, në të cilën është marrë vendimi, një frizereje, e cila ka pyetur nëse edhe ajo duhet ta mbyllë lokalin, i është thënë se të gjitha duhet të mbyllen.

“Do të jetë një grevë e përgjithshme në veri të Mitrovicës. Dëgjohen edhe propozime që më 1 dhe 2 korrik të bllokohen pikat kufitare, i gjithë sistemi që shkon nëpërmes Jarinjës dhe që kjo të zgjasë derisa të hiqet taksa ndaj importimit të mallrave nga Serbia. Psikoza se do të ketë uri është përforcuar pasi që doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës u kanë dalë në pritë nëpër rrugë alternative mitrovicasve që furnizoheshin me mallra. Nga atëherë qytetarët e veriut kanë filluar të krijojnë rezerva të miellit, sheqerit, vajit dhe të ‘Bensedin’-it”, thotë “Kossev”, përcjell gazeta "Zëri".

Në anën tjetër Ksenija Bozhoviq, nga SDP-ja e Oliver Ivanoviqit, thotë se nuk e ka fare të qartë se çfarë është duke ndodhur dhe cili është qëllimi.

“Nuk e kam fare të qartë se cili është qëllimi i krejt kësaj. Njerëzit janë hutuar, më dhimbsën ata gratë e vjetra, të cilat i shoh duke bartur thasët me miell nga shitoret. Më thërrasin miqtë që jetojnë në Serbi, janë të brengosur për shkak të mungesës së qumështit, më ofrojnë që të ma sjellin nga Serbia./ZERI