Bajram Kosumi rizgjidhet Rektor i Universitetit “Kadri Zeka”

Bajram Kosumi rizgjidhet Rektor i Universitetit “Kadri Zeka”

Aktuale June 27, 2019 - 13:53
Lexo Detajet

Bajram Kosumi është rizgjedhur rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. Këshilli Drejtues, prej shtatë anëtarësh, ka votuar në mënyrë unanime për Kosumin.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Emrush Thaçi, vlerësoi se procesi për zgjedhjen e rektorit të UKZ-së ka shkuar mirë dhe pa asnjë problem. “I gjithë procesi ka rrjedhur mirë dhe konform rregulloreve pa asnjë problem”, tha ai.

Ndërsa, rektori i porsazgjedhur, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, falënderoi anëtarët e KD-së për besimin e dhënë për ta udhëhequr Universitetin “Kadri Zeka” në mandatin e ardhshëm.

“Besimi që më kanë dhënë është një përgjegjësi shtesë që të gjithë së bashku të punojmë për zhvillimin e Universitetit tonë”, ka thënë Kosumi.

Me zgjedhjen e rektorit është përmbyllur gjithë procesi zgjedhor në UKZ. Fillimisht studentët kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre, mandej janë mbajtur zgjedhjet për këshillat e fakulteteve dhe së fundi është konstituuar edhe përbërja e re e senatit të cilët do të marrin mandatin me 1 tetor 2019.