Kosova, kampione në përdorimin e antibiotikëve

Kosova, kampione në përdorimin e antibiotikëve

Aktuale June 26, 2019 - 08:03
Lexoni detajet
Image

Kosova zë vendin e parë në Evropë për përdorimin e antibiotikut “Ceftriaksion” (përdoret për infeksione bakteriale). Edhe pse vazhdimisht flitet për rrezikun nga antibiotikët, kosovarët vazhdojnë t’i përdorin në mënyrë të pakontrolluar. Gjithë kjo për faj të përshkrimeve të këtyre antibiotikëve që ua bëjnë mjekët pacientëve, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Nga 47 shtete të ndryshme Kosova ka zënë vendin e 19-të sa i përket konsumimit të përgjithshëm të antibiotikëve.

LEXO EDHE: Nis zbatimi i planit serb në veri: 40 veta shtyhen për një bukë

Mikrobiologu Lul Raka ka thënë për “Zërin” se Kosova ka qenë edhe në vendin e 11-të sa i përket konsumimit të antibiotikëve.

“Kosova që nga viti 2011 ka mbledhur të dhëna deri më sot. Në vitin 2011 në Evropë kemi qenë në vendin e 11-të me konsumin e përgjithshëm të antibiotikëve me 26.2 DID (vlerë e standardit sipas konsumit për kokë banori). Kosova nga vendi i 11-të ka kaluar në vendin e 19-të. Në anën tjetër, fatkeqësisht për një lloj të veçantë antibiotiku në formë injeksionesh – “Ceftriaksion”, kemi qenë kampionë në Evropë dhe vazhdojmë ende të jemi në krye”, ka thënë ai.

Raka ka thënë për gazetën “Zëri” se përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve është i dëmshëm për qytetarët.

Sipas tij, fëmijët janë ata që përdorin më së shumti antibiotikë.

“Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve dhe marrja e tyre pa recetë të mjekut është shumë i dëmshëm për të gjithë e sidomos për fëmijët, sepse kjo është kategoria që më së shumti përdor antibiotikë. Kërcënimi kryesor është shfaqja dhe përhapja e rezistencës ndaj antibiotikëve, d.m.th. nuk kemi me çka t’i mjekojmë infeksionet”, ka thënë ai.

Derisa ka pasur disa herë rekomandime për mospërdorim të antibiotikëve, mjekët në Kosovë vazhdojnë të përshkruajnë receta me antibiotikë edhe në rastet kur pacientët janë të prekur me gripa. Nga ana tjetër, pacientët edhe pa recetën e mjekut u drejtohen barnatoreve për të marrë antibiotikë, kjo pasi që barnatoret private i japin ato edhe pa recetë.

Përdorimi i panevojshëm dhe i pakontrolluar i antibiotikëve vlerësohet të jetë i rrezikshëm për pacientët, pasi që në disa raste mikrobet shfaqin rezistencë ndaj antibiotikëve, kështu duke shkaktuar problem në trajtimin e pacientëve.

Sadiku: Të mos shkruhen antibiotikë për infeksione

Rezistenca ndaj antibiotikëve vlerësohet të jetë problem global.

Infektologu Izet Sadiku ka thënë për “Zërin” se duhet që qytetarët të kenë shumë kujdes në përdorimin e antibiotikëve.

Sipas tij, nuk është e nevojshme që gjatë ftohjeve e gripave të përdoren antibiotikë.

“Rezistenca ndaj antibiotikëve është problem global për arsye se kanë filluar të paraqiten bakteret të cilat janë rezistuese ndaj antibiotikëve. Fatbardhësisht ne në Kosovë ende nuk kemi raste të tilla, por në vendet perëndimore ka baktere që janë rezistuese ndaj antibiotikëve. Është vendosur drita e kuqe dhe duhet të kemi kujdes shumë në përdorimin e antibiotikëve, sidomos në përdorimin e tyre të pavend. Nevoja për përdorimin e antibiotikëve është vetëm kur kemi komplikime bakteriale”, ka thënë ai.

Sadiku ka vlerësuar se rezistenca ndaj antibiotikëve do të jetë njëra prej sfidave kryesore në shëndetësi gjatë viteve të ardhshme.

Sipas tij, nëse antibiotikët shkruhen kur sëmundjet janë virale, atëherë ato nuk do të kenë efekte dhe do të jenë të panevojshme. “Duhet që të mos shkruhen antibiotikët, sidomos gjatë periudhave kur kemi infeksione të ndryshme, sikur që e kemi gripin, sepse te infeksionet virale ndihma e antibiotikëve është zero. Ne duhet të fokusohemi te përdorimi i shkrimit të antibiotikëve vend e pa vend”, ka theksuar ai.

Sadiku ka shprehur shqetësimin e tij edhe për dhënien e antibiotikëve pa recetë të mjekut.

Sipas tij, ka shumë raste në Kosovë kur antibiotikët jepen në barnatore edhe pa përshkrim të mjekut.

“Sipas ligjeve në Kosovë, barnatoret nuk do të duhej të japin antibiotikë pa përshkrim të mjekut, ndonëse te ne në shumë raste e bëjnë këtë. Pacienti shkon vetë blen antibiotikë dhe i përdor ato, pastaj vjen te mjeku pasi të përdorë antibiotikë vetë dhe pyet se çfarë të përdorë”, ka shtuar ai.

Fëmijët, përdoruesit më të mëdhenj të antibiotikëve

Gjatë stinës së dimrit, kur rritet numri i pacientëve të prekur me grip sezonal, rritet edhe përdorimi i antibiotikëve. E ata që përdorin më shumë antibiotikë janë fëmijët.

Fatos Aliu, farmacist në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se janë të furnizuar vetëm me antibiotikë për fëmijë.

Sipas tij, kërkesa për antibiotikë ka më shumë gjatë periudhës së gripave.

“Ne jemi të furnizuar vetëm me antibiotikë për fëmijë. Kërkesa ka më shumë kur është koha e gripave, zakonisht dimrit. Tani bie kërkesa e tyre. Në barnatore kemi tri lloje, ndoshta edhe më shumë, me të cilat jemi të furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Aliu ka thënë se kur fëmijët janë të prekur me viruse duhet të mos përdorin antibiotikë, pasi që sipas tij ata nuk janë të preferueshëm.

“Ata nuk janë të preferueshëm. Vazhdimisht po kemi informata se sa kanë veprime negative dhe sa e dobësojnë edhe imunitetin e pacientit. Zakonisht fëmijët kur janë viruset të trajtohen në një formë tjetër, pa përdorur antibiotikë. Ata munden të hyjnë në përdorim kur virusi të kalojë në një fazë më të rëndë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se pacientëve u japin antibiotikë vetëm atëherë kur kanë recetë të mjekut.