5 ministra të rinj në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

5 ministra të rinj në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Aktuale June 23, 2019 - 21:31
Lexo Detajet

Kryeministri Zoran Zaev do të bëhet vetë ministër i financave, derisa të gjejë një kuadër tjetër i cili do të zëvendësojë ministrin Dragan Tevdovski të cilin Zaev ka vendosur ta largojë nga posti i të parit të financave. Teksa njoftoi për ndryshimet që ka vendosur ti bëjë në Qeveri, Zaev tha se përkohësisht do të ushtrojë edhe detyrën e kryeministrit edhe ministrit, derisa të gjejë kuadër adekuat që do të udhëheqë ekonominë e shtetit.

Zoran Zaev, kryeministër

“Funksionin e ministrit të financave do ta ushtroj paralelisht me postin e kryeministrit për një kohë të caktuar. Këtë vendim e solla pasi që ky do të jetë vit i ekonomisë. Tevdovski do të punojë afër meje, si këshilltar. Do të vijojnë vendime të guximshme prej të cilave do të kenë përfitim të gjithë qytetarët”

Përveç Tevdovskit, nga posti i ministrit do të largohet edhe ministri i bujqësisë Lupço Nikollovski. Atë do ta zëvendësojë Trajan Dimkovski.

Ndryshime ka edhe në ministrinë e ekologjisë. Do të largohet Sadulla Duraku, ndërsa atë do ta zëvendësojë bashkëpartiaku Naser Nuredini.

Por, për dallim prej ministrave të tjerë të LSDM-së të cilët Zoran Zaev tani për tani nuk i ka emëruar në ministri të tjera, ministri i BDI-së Sadulla Duraku i cili për vite me radhë vetëm ndryshon resoret, nuk do të shkarkohet, por do të transferohet në Ministrinë për sistem politik.

Pas largimit të Asaf Ademit nga Ministria e Kulturës për shkaqe shëndetësore,  ky post megjithatë i mbeti partisë Alternativa të Afrim Gashit. Vendin e Asaf Ademit do ta zëjë profesofi universitar Hysni Ismaili.

Nga ky rikonstruim RDK-ja e Vesel Memedit mbeti pa ministrinë e vetme që e kishte, atë të Pushtetit lokal. Në vendin e Suhejl Fazliut do të emërohet kryetari i Partisë Liberal Demokrate  Goran Milevski, i cili është deputet. Në vendin e tij do të duhet të vijë tani një deputet tjetër i LSDM-së.

Propozimi i Zaevit duhet të miratohet seancën e ardhshme kuvendore javën që vjen.

Pas rikonstruktimit të Qeverisë, kryeministri Zaev, ka paralajmëruar se do të nisë edhe rikonstruimi në eshalonet e dyta dhe të treta, nëpër drejtori dhe ndërmarrje publike.

Në lidhje me ndryshimet që do të bëhen brenda në LSDM, Zaev tha se kanë ngelur për tu caktuar edhe nënkryetarët e partisë dhe 20 kryetarët e degëve. Ai paralajmëroi që deri në fund të muajit LSDM do t’i marrë gjithë vendimet për emërime./SHENJA/