Zmbrapset Qeveria, bie poshtë Ligji për Financimin e Partive Politike
Foto: Laura Hasani

Zmbrapset Qeveria, bie poshtë Ligji për Financimin e Partive Politike

Aktuale June 22, 2019 - 08:03
Lexo tjera detaje
Image

Qeveria e Kosovës pas presionit nga shoqëria civile dhe të një pjese të opozitës është zmbrapsur nga Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, i cili ua mundëson partive në Kosovë t’i fshehin financuesit e tyre, shkruan gazeta "Zëri".

Pas kërkesave të shoqërisë civile, të cilët përmes protestave paqësore kanë kërkuar që në Kuvend të mos kalojë Projektligji për Financimin e Partive Politike, si dhe kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc për Përmirësimin dhe për Forcimin e Procesit Zgjedhor, Qeveria e Kosovës e ka tërhequr këtë projektligj. Këtë gjë e bëri të ditur të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se tërheqja e Projektligjit është vendim i duhur pas kundërshtimeve që pati shoqëria civile për të. “Pas shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile, sa u përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në komisionet parlamentare kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij Projektligji nga Kuvendi i Kosovës. Duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, të nevojës së transparencës në funksion të politikëbërjes dhe të përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij tërheqja e Projektligjit dhe ridërgimi i tij me bazë të mirë ligjore e demokratike, është veprim i duhur”, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Derisa partitë në pushtet, PDK-ja, AAK-ja e Nisma, në parim e mbështetën këtë Projektligj, ishin partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat e kundërshtuan atë. Kundërshtime dhe kritika për Projektligjin patën edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët vlerësuan se ky Projektligj bie në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare për financimin e subjekteve politike dhe zvogëlon mbikëqyrjen e kontrollin mbi financat e subjekteve politike.

PDK: Të plotësohen mangësitë e Projektligjit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, për “Zërin” ka thënë se duhet të merren seriozisht kërkesat e shoqërisë civile në raport me Ligjin për Financimin e Partive Politike. “Projektligji i ka kaluar të gjitha procedurat, ka kaluar në komisionin funksional që ka qenë Komisioni për Buxhet dhe për Financa, ka kaluar edhe në leximin e dytë, ka pasur edhe grup punues, megjithatë ne i kemi parë vërejtjet e shoqërisë civile. Unë konsideroj se duhet t’i marrim seriozisht dhe si deputetë duhet ta japim kontributin tonë”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së po ashtu ka thënë që ndonëse partia e tij do të japë qëndrimin e tyre në seancën për votim të këtij Projektligji, sipas tij është i drejtë vendimi për tërheqjen e ligjit për një kohë të caktuar. “Ne si PDK do ta japim qëndrimin tonë përmes seancës. Mendoj se është më e rrugës që nëse me të vërtetë vlerësohet se janë bërë të gjithë ato lëshime, atëherë duhet që edhe Qeveria ta tërheqë Projektligjin për një kohë derisa të bëhen plotësim-ndryshimet”, ka thënë ndër të tjera ai.

LDK: Projektligji është kundër Kushtetutës


Kryetari i Komisionit Parlamentar Ad-Hoc për Përmirësimin dhe për Forcimin e Procesit Zgjedhor, Avdullah Hoti, ka thënë se i përkrah kërkesat e shoqërisë civile sa i përket Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike. “Pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile nuk besoj se mund të bëhet përmirësim substancial i procesit zgjedhor në Kosovë. Projektligji, për të cilin organizatat e shoqërisë civile me të drejtë po kundërshtojnë, tani për tani nuk bie në kompetencën e këtij Komisioni Parlamentar. Në cilësinë e kryetarit të këtij Komisioni Parlamentar i ftoj këto organizata të vazhdojnë të japin kontributin në Grupin Këshillëdhënës që t’i adresojmë në mënyrë cilësore rekomandimet e vëzhguesve të BE-së, ashtu siç e kemi paraparë me planin e punës së Komisionit”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, prandaj edhe LDK-ja nuk do ta përkrahë atë. “Asnjë projektligj e aq më pak ky për Financimin e Partive Politike, i cili bie ndesh me frymën kushtetuese dhe me parimet zgjedhore sipas standardeve të BE-së, nuk do të përkrahet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Besoj se në Kuvendin e Kosovës do të arrijmë të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm për një ligj për financimin e partive politike që është në përputhje me standardet e BE-së dhe që siguron financim dhe raportim transparent të partive politike, i cili siguron llogaridhënie të partive politike ndaj qytetarëve dhe ndaj votuesve”, ka theksuar shefi i deputetëve të LDK-së.
Ndërkohë partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, doli haptazi kundër Projektligjit pasi e vlerësoi atë si antikushtetues dhe jo në favor të demokracisë brenda subjekteve politike në vend.

Cakolli: Projektligji ua mundëson partive të bëjnë pazare me paratë publike

Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike ka nxitur reagime të ashpra të shoqërisë civile, e cila ka vlerësuar se në këtë Projektligj ka pasur degradime. Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se janë 27 amendamente problematike të cilat do t’ua mundësojnë partive politike që paratë publike t’i përdorin për çështje të pazareve mes tyre. “Gjatë punimeve të amendamenteve ka pasur degradim të këtij Projektligji deri në shkallën kur tashmë rregullimi i tij është pothuajse i pamundur. Për këtë arsye shoqëria civile ka kërkuar që ky Projektligj të tërhiqet nga ana e kryeministrit duke qenë sponsorizues i tij. Në përgjithësi janë 27 amendamente që janë propozuar nga ana e komisioneve në Kuvend, të cilat janë tejet problematike, duke qenë se ata mundësojnë që paratë publike të përdoren për çështje të pazareve nga ana e partive politike dhe kjo bëhet kryesisht në çështjen e fondit për mbështetjen e partive politike”, ka thënë ai, shkruan tutje "Zëri".

Cakolli ka treguar edhe disa nga dëmet, të cilat vijnë nga ky Projektligj. “Me anë të këtij Projektligji është lejuar që të ketë edhe dyfishim të donacioneve për partitë politike në kohë fushate. Në parim nga ky nen mund të themi se bizneset e ndryshme rrisin ndikimin e tyre te subjektet e caktuara politike. Problem tjetër mbetet edhe çështja e fshehjes së emrave të donatorëve. Ky ligj ka paraparë mundësinë që donatorët të mos i paraqesin emrat e tyre. Po ashtu ka pasur zvogëlim të sanksioneve për shkeljet që partitë mund të bëjnë gjatë fushatës”, ka thënë ai.

Sipas tij, problem kryesor mbetet edhe rritja e limitit për marrjen e parave të gatshme nga ana e partive politike. “Problemi tjetër është rritja e limitit për paratë e gatshme nga 50 në 500 euro. Ky nen ua mundëson partive politike që financat e tyre të shërbejnë si vend për spastrimin e parave të pista të bizneseve të caktuara. Dhjetëfishimi i limit nënkupton që partitë politike do të pranojnë shumë më shumë mjete të gatshme, të cilat jodomosdoshmërish do të arsyetohen nga ana e financuesve të tyre”, ka shtuar ai./ZËRI