Periudha e rëndë e dialogut

Periudha e rëndë e dialogut

Aktuale June 19, 2019 - 09:17
Lexoni detajet

Gjatë javës që vjen bëhet një vit i plotë prejse ka nisur zyrtarisht faza përmbyllëse e dialogut Kosovë - Serbi. Por pavarësisht kësaj pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë takuar në Bruksel qe 7 muaj. Takimi i fundit mes përfaqësuesve të dy shteteve është mbajtur më 9 nëntor të vitit të kaluar. Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të deklarojë se marrëveshja finale do të arrihet brenda këtij viti, përfaqësuesit e opozitës mbeten të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë gjatë 2019-s, shkruan Gazeta "Zëri".

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se periudha në të cilën është zhvilluar dialogu në kuadër të fazës finale ka qenë ndër më të rëndat e këtij procesi.

“Definitivisht ky vit i bisedimeve ka qenë ndër vitet më të rënda që ka pasur raporti negociues mes Kosovës e Serbisë. Kjo ka ardhur për një arsye, që presidenti i vendit është futur në agjendën e Serbisë për ta copëtuar Kosovën, territorin e Kosovës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Arsyeja reale për ndërprerjen e bisedimeve sipas Selmanajt nuk ka qenë taksa ndaj produkteve serbe, por pikërisht ideja e presidentit për t’i ndryshuar kufijtë aktualë.

Sipas deputetit të LDK-së, takimi që do të mbahet në Paris mund të konsiderohet si një tentativë për ta kthyer në rrugën e duhur dialogun, por megjithëkëtë ai ka vlerësuar se nuk do të ketë marrëveshje edhe për një kohë.

“Por a pritet që të lëvizë diçka? Mendoj që jo. Nuk mendoj se do të ketë përfundim ose arritje të marrëveshjes, sepse dallimet për çështje substanciale janë aq të mëdha, saqë duhet një proces pak më i gjatë”, ka theksuar Selmanaj. /ZERI