Hilet e Lidhjes
FOTO: Laura Hasani

Hilet e Lidhjes

Aktuale June 19, 2019 - 08:00
Lexoni detajet
Image

Pakënaqësitë me zgjedhjet në degët dhe në nëndegët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë. Dy deputetë nuk janë propozuar nga Dega e Katërt për Këshill Drejtues, përderisa në nëndegën “Qendra” kërkohet anulimi i zgjedhjeve, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Pos Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë, e cila gjatë kuvendit zgjedhor është ballafaquar me probleme e përplasje mes anëtarëve, edhe Dega e Katërt nuk ka shpëtuar pa mospajtime, akuza e kundërakuza.

LEXO EDHE: Një vit nga nisja e fazës finale, shtatë muaj ngecje në dialog

Ndonëse tashmë është zgjedhur kryetari i kësaj Dege, anëtarë të nëndegës “Qendra”, që është pjesë e Degës në fjalë, kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve në këtë nëndegë, pasi zgjedhja e kryetarit është bërë pa pasur kuorum dhe kundër Rregullores e Statutit të LDK-së, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Por pavarësisht kësaj nënkryetari i Nëndegës në fjalë Sheqir Zeneli dhe kryetari tashmë i zgjedhur i Degës së Katërt, Besian Mustafa, kanë thënë se i gjithë procesi ka shkuar në rregull dhe në përputhje me Rregulloren e Statutin e LDK-së.

Por kundërkandidati i Zenelit, Ramush Thaçi, ka thënë se në votimin e nëndegës në fjalë kanë votuar më pak se 30 persona, fakt ky që sipas tij, bie ndesh me Rregulloren dhe me Statutin.

Në disa dokumente të siguruara nga gazeta “Zëri” bëhet e ditur se Thaçi dhe anëtarë të tjerë kanë dërguar ankesa në drejtim të Komisionit Punues për Përcjellje të Zgjedhjeve dhe Vlerësim të Rregullsisë së Procesit Zgjedhor, ku kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

Në anën tjetër, Dega e Katërt ka vendosur që të mos i propozojë për Këshill Drejtues disa emra të njohur të LDK-së, të cilët janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, si deputetët Hykmete Bajramin dhe Arben Gashin.

Ndonëse gazeta “Zëri” ka mësuar se ata kanë qenë të revoltuar pas këtij vendimi, deputetët i kanë thënë gazetës se në demokraci duhet të pranohen situatat e tilla edhe nëse nuk shkojnë në favor të secilit.

Gashi e Bajrami nuk propozohen për Këshill Drejtues

Gjatë muajit qershor kanë përfunduar zgjedhjet në Degën e Katërt të LDK-së në Prishtinë, me ç’rast Besian Mustafa është zgjedhur në krye të kësaj dege. Kundërkandidat i tij ka qenë deputeti Arben Gashi, por ai ka marrë gjashtë vota më pak sesa Mustafa.

Ndërkohë gazeta merr vesh se Dega nuk e ka propozuar Gashin për Këshill Drejtues. Pos tij, për Këshill nuk është propozuar as deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, ndonëse për një kohë të gjatë është pjesë e këtij subjekti, qoftë në pozitën e deputetes ose të ministres.

I kontaktuar nga gazeta Arben Gashi ka thënë se nuk ka koment për këtë çështje, pasi kjo tashmë është një temë e mbyllur. “S’kam koment për këtë punë, është çështje e mbyllur për mua”, ka deklaruar shkurt Gashi.

Kurse Hykmete Bajrami ka thënë se nuk ka ndonjë ankesë për procesin zgjedhor në këtë Degë. Sipas saj, duhet pranuar edhe vendimet të cilat nuk shkojnë në favor të secilit.

“Unë personalisht nuk kam asnjë ankesë sa i përket procesit zgjedhor në Degën e Katërt. Kur zgjidhet kryetari është kompetencë e tij të zgjedhë se me kë dëshiron të punojë ngushtë gjatë mandatit dhe kështu ka ndodhur. Kjo është demokraci dhe këtë sistem kemi zgjedhur, duhet të pajtohemi edhe në rast se në momente të caktuara gjërat nuk shkojnë në favor të secilit”, ka theksuar Bajrami gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Thaçi: Zgjedhjet në nëndegën “Qendra” janë kundër Statutit dhe Rregullores

Para Degës së Katërt nëndega “Qendra” në Prishtinë ka përfunduar zgjedhjet. Kryetar i saj është zgjedhur Sheqir Zeneli. Mirëpo zgjedhja e tij po kontestohet nga kundërkandidati i tij Ramush Thaçi dhe nga disa anëtarë të tjerë të kësaj nëndege.

Sipas Thaçit, procesi zgjedhor në këtë nëndegë është manipuluar nga niveli qendror për interesa të caktuara. Ai me këtë rast ka konfirmuar se gjatë muajit të kaluar ka bërë disa ankesa, ndër të tjera edhe ankesë në Komisionin Punues për Përcjellje të Zgjedhjeve dhe Vlerësim të Rregullsisë së Procesit Zgjedhor lidhur me këtë çështje, ku ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

“Ne prapë më 28 maj pas përfundimit të këtij kuvendi kemi deponuar ankesën në Komisionin Punues për Përcjelljen e Zgjedhjeve dhe Vlerësim të Rregullores dhe kemi njoftuar për mbarëvajtjen e këtij kuvendi dhe prapë nuk kemi marrë përgjigje. Kanë vazhduar dhe kanë mbajtur edhe kuvendin e degës, që kryetar i degës është zgjedhur Besian Mustafa. Ne kemi kërkuar të anulohen zgjedhjet, sepse nuk ka pasur kuorum, nuk është zbatuar Rregullorja dhe Statuti i Partisë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Në letrën dërguar komisionit përkatës, ku kërkohet anulimi i zgjedhjeve, bëhet thirrje që votimi të bëhet me lista të hapura.

“Kërkojmë nga titulli i lartpërmendur që të anulohen zgjedhjet, ripërsëritje dhe me lista të hapura, demokratike. Kjo le të bëhet për hir të numrit të madh të anëtarëve votues të LDK-së”, thuhet në këtë shkresë drejtuar komisionit përkatës.

Sipas Ramush Thaçit, në procesin zgjedhor është përdorur lista e vjetër, me 45 persona, e jo lista e përditësuar me 217 anëtarë, që kanë qenë të gatshëm për të marrë pjesë në zgjedhjet e nëndegës.

Sipas tij, në kuvendin zgjedhor kanë marrë pjesë 38 persona, 12 prej të cilëve kanë lëshuar mbledhjen.

Por meqë është thënë se dy persona të tjerë janë kthyer më pas Thaçi ka thënë se mund të konkludohet se 28 persona kanë marrë pjesë, që sipas tij nuk e kanë plotësuar kuorumin për votim. “Do të thotë Statuti dhe Rregullorja e Partisë e lejon që më së paku 31 delegatë të votojnë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq Avdi Ferri, anëtar i kësaj Nëndege, ka thënë se nuk është aspak në rregull që ka ndodhur një gjë e tillë dhe që pjesëtarët e komisionit përkatës, Ismet Beqiri e Agim Veliu, nuk kanë kthyer përgjigje rreth ankesave të paraqitura.

Gazeta ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga Beqiri e nga Veliu, mirëpo ata nuk janë përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Zeneli e Mustafa: Procesi ka shkuar në rregull

I pyetur nga “Zëri” nëse deklarimet lidhur me mbarëvajtjen e procesit kundër Statutit e Rregullores janë të vërteta, Sheqir Zeneli, kryetar tashmë i zgjedhur i nëndegës “Qendra” ka hedhur poshtë deklarimet e kundërkadidatit të tij. Me këtë rast Zeneli ka thënë se nuk është aspak e vërtetë se është votuar pa kuorum.

“Është një hierarki komplet, komisionet në Degë, komisionet e Kryesisë Qendrore, ata vetëm kanë pasur një falënderim të veçantë për punën e nëndegës ‘Qendra’, jo vetëm ata, por nëndega ‘Qendra’ njihet në nivel të Kosovës për punën dhe aktivitetin e vet”, ka deklaruar ai, teksa ka shtuar se procesi është mbyllur në mënyrën më të rregullt të mundshme.

Teksa ka folur për akuzat e kundërkadidatit të tij, Zeneli ka thënë se Thaçi ka marrë shumë pak vota gjatë këtij procesi. “Ai është votuar, i ka marrë katër vota, s’kam çfarë i bëj tash, ai duhet të punojë që të japë një rezultat pozitiv, jo negativ, për ta bindur dikë që ta votojë”, ka shtuar ai.

Gjithashtu i kontaktuar nga “Zëri” lidhur me procesin zgjedhor në Degën e Katërt, kryetari i sapozgjedhur, Besian Mustafa, ka thënë se i tërë procesi është kryer duke u bazuar në Statutin dhe në Rregulloren e LDK-së. “Natyrisht që i tërë procesi ka shkuar në bazë të Statutit dhe të Rregullores së LDK-së.

Nëse ata kanë ankesa ekziston komisioni për ankesa, nëse nuk i kanë paraqitur le t’i paraqesin. Mirëpo Kryesia Qendrore e Partisë e ka pranuar rezultatin si të rregullt. Po të kishte qenë i parregullt, nuk do ta kishin pranuar, kështu që nuk po e di as për çfarë ankesash është fjala”, është shprehur Mustafa.

Por Avdi Ferri, i cili ka qenë kryetar, ka thënë se procesi nuk ka shkuar aspak në mënyrë të rregullt.

Ndërkohë sipas Thaçit përplasjet me karrige të shënuara para pak ditësh në lagjen “Mat”, që është pjesë e Degës së Tretë dhe në nëndegët e tjera, kanë ardhur si rrjedhojë e mbarëvajtjes jo të duhur të procesit në Degën e Katërt.