Një vit nga nisja e fazës finale, shtatë muaj ngecje në dialog

Një vit nga nisja e fazës finale, shtatë muaj ngecje në dialog

Aktuale June 19, 2019 - 07:56
Lexoni detajet
Image

Javën tjetër bëhet një vit prejse ka nisur zyrtarisht faza përmbyllëse e dialogut Kosovë - Serbi, porse palët nuk janë takuar qe 7 muaj, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjatë javës që vjen bëhet një vit i plotë prejse ka nisur zyrtarisht faza përmbyllëse e dialogut Kosovë - Serbi. Por pavarësisht kësaj pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë takuar në Bruksel qe 7 muaj.

Takimi i fundit mes përfaqësuesve të dy shteteve është mbajtur më 9 nëntor të vitit të kaluar. Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të deklarojë se marrëveshja finale do të arrihet brenda këtij viti, përfaqësuesit e opozitës mbeten të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë gjatë 2019-s, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Meqë më shumë se gjysma e një viti prejse ka nisur etapa përmbyllëse është përshkuar me bllokim të dialogut, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se procesi i negociatave ka shënuar ngecje, duke mos qenë fare produktiv.

Në shenjë tentative për ta riaktivizuar këtë proces më 1 korrik të këtij viti Franca e Gjermania pritet t’i bëjnë bashkë të dyja palët negociuese, atë kosovare dhe atë serbe.

Në takimin e Parisit, të thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron, ku do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të diskutohet pikërisht për fatin e dialogut Kosovë - Serbi.

Optimizmi i Thaçit për arritjen e marrëveshjes gjatë 2019-s

Në fillim të këtij muaji për të disatën herë me radhë kreu i shtetit Hashim Thaçi u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë - Serbi gjatë këtij viti.

“Unë besoj që kjo marrëveshje mund të arrihet këtë vit. Nuk mund të ketë dialog nëse i vendosim kushte ashtu siç po bën Serbia dhe nuk mund të ketë marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë. Unë mendoj që në javët e ardhshme do të arrihet një ambient më konstruktiv që të fillojë dialogu”, ka deklaruar Thaçi.

Por para katër muajsh i pari i shtetit kishte pohuar se procesi i dialogut ka shënuar regres muajt e fundit.

“Në dymbëdhjetë muajt e fundit ka përkeqësim dhe regres në raportet e Kosovës dhe të Serbisë. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojnë gjithë rajonin”, ishte shprehur Thaçi.

Periudha e rëndë e dialogut

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se periudha në të cilën është zhvilluar dialogu në kuadër të fazës finale ka qenë ndër më të rëndat e këtij procesi.

“Definitivisht ky vit i bisedimeve ka qenë ndër vitet më të rënda që ka pasur raporti negociues mes Kosovës e Serbisë. Kjo ka ardhur për një arsye, që presidenti i vendit është futur në agjendën e Serbisë për ta copëtuar Kosovën, territorin e Kosovës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Arsyeja reale për ndërprerjen e bisedimeve sipas Selmanajt nuk ka qenë taksa ndaj produkteve serbe, por pikërisht ideja e presidentit për t’i ndryshuar kufijtë aktualë.

Sipas deputetit të LDK-së, takimi që do të mbahet në Paris mund të konsiderohet si një tentativë për ta kthyer në rrugën e duhur dialogun, por megjithëkëtë ai ka vlerësuar se nuk do të ketë marrëveshje edhe për një kohë.

“Por a pritet që të lëvizë diçka? Mendoj që jo. Nuk mendoj se do të ketë përfundim ose arritje të marrëveshjes, sepse dallimet për çështje substanciale janë aq të mëdha, saqë duhet një proces pak më i gjatë”, ka theksuar Selmanaj.

LVV-ja e cilëson pozitive ndërprerjen e dialogut

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar pozitiv faktin që dialogu me Serbinë është ndërprerë për disa muaj.

“Ne i kemi pasur qëndrimet e qarta në vazhdimësi sa i përket procesit të dialogut me Serbinë dhe për neve është shumë mirë që nuk ka arritur të finalizohet diçka për të cilën krerët e shtetit në Kosovë janë angazhuar. Siç e dini, ka pasur projekte jashtëzakonisht të dëmshme, si ‘Zajednica’ ose edhe shkëmbimi territorial që vinte nga Hashim Thaçi dhe është shumë më mirë që situata është kësisoj sesa të jetësoheshin ato projekte të dëmshme”, ka theksuar ajo.

Faza finale e dialogut me Serbinë sipas Haxhiut është dashur të shfrytëzohet për dy çështje.

“E para: ne duhet ta vlerësojmë se çka ka ndodhur në procesin disavjeçar të dialogut me Serbinë, është dashur të diskutohet mbi balancën e atyre marrëveshjeve se çka ka përfituar e çka ka humbur Kosova, pastaj si shtet ta kemi një listë kërkesash për Serbinë, duke filluar nga njohja, kthimi i të pagjeturve etj.”, ka shtuar deputetja e LVV-së.

Sa i përket idesë së presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, Haxhiu ka thënë se kreu i shtetit tashmë është zmbrapsur nga kjo ide.

Procesi joproduktiv i negociatave

Sipas publicistit Shkelzen Maliqi, faza finale e dialogut ka filluar formalisht para një viti, por në vend që dialogu të përshpejtohet, siç ai është shprehur, ky proces ka ngecur dhe ka vendnumëruar deri më sot.

“Procesi nuk ka qenë aspak produktiv, përkundrazi ka krijuar bllokadë. Megjithatë në qarqet diplomatike edhe më tej flitet për fazën finale dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse që duhet të arrihet nëse jo deri në fund të këtij viti, atëherë gjatë vitit 2020. Ky optimizëm bazohet në spekulimin se një draftmarrëveshje tashmë është arritur ose është në fazat e fundit të shqyrtimit të detajeve. Prandaj edhe mund të jepen prognozat optimiste”, ka potencuar ai.

Ndaj sipas Maliqit çështja e kohës se kur mund të arrihet marrëveshja ende mbetet e hapur.

“Siç qëndrojnë punët sot, duket sikur kemi arritur në një bllokadë afatgjate dhe të pazgjidhshme. Por kjo mund të jetë përshtypje e jashtme. Këto ditë në shtypin e Kosovës është publikuar një informatë se dialogu në të vërtetë nuk është ndërprerë, por ai po vazhdon me një format dhe me një dinamikë tjetër, si negociatë sekrete, ku po dakordohen modalitetet e kompromiseve për një marrëveshje që parimisht është draftuar”, është shprehur ai, ndonëse ka shtuar se kjo nuk mund të pohohet nëse është e vërtetë pa pasur fillimisht një konfirmim.

Megjithëkëtë Maliqi ka thënë se nuk mund të përjashtohet opsioni që marrëveshja të arrihet brenda një viti.

“Duke e njohur praktikën ndërkombëtare të negociatave dhe të arritjes së marrëveshjeve, dihet se depërtimet dhe zgjidhjet janë arritur në bisedat sekrtete, të ndërmjetësuara nga një palë e tretë neutrale. Pra nuk e përjashtoj mundësinë që marrëveshja të arrihet në afatet e shkurtra, brenda një viti, ndoshta edhe si pjesë e një pakete më të gjerë të akordeve strategjike mes SHBA-së, Rusisë dhe BE-së”, ka theksuar ai.