Dembelët e Gjilanit, reparti me tri operacione në muaj

Dembelët e Gjilanit, reparti me tri operacione në muaj

Aktuale June 18, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Vetëm dy ose tri operacione në muaj i bëjnë katër mjekët specialistë të oftalmologjisë në Spitalin e Gjilanit. Duke u bazuar në numrin e operacioneve del se gjysma e specialistëve e kalojnë muajin pa e bërë asnjë operacion. Drejtori i Spitalit ankohet se e ka stafin të papërvojë dhe për këtë shkak pacientët referohen në Prishtinë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Vetëm dy deri në tri operacione në muaj i kryejnë katër specialistët e oftalmologjisë në Spitalin e Gjilanit, ndonëse reparti ballafaqohet me kërkesa të shumta të pacientëve.

LEXO EDHE: 'Autogolat' e LDK-së

Se kryhet një numër i vogël i ndërhyrjeve në muaj e pranojnë edhe drejtuesit e Spitalit të Gjilanit, ndonëse burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se shpeshherë ka ndodhur që asnjë ndërhyrje nuk është realizuar gjatë muajit në Repartin e Oftalmologjisë në Gjilan.

Qytetarët e Gjilanit, që kanë nevojë për shërbime të tilla mjekësore, duhet të drejtohen në Klinikën e Oftalmologjisë në Prishtinë, pasi që në komunën e tyre s’mund t’i marrin shërbimet e nevojshme.

“Derisa në Repartin e Oftalmologjisë në Gjilan nuk realizohen as 30 operacione në vit, në Prishtinë realizohen mbi 2000 sosh”, bën të ditur ky burim.

Në anën tjetër, drejtori i Repartit të Syve në Spitalin e Gjilanit, Maliq Bajrami, ka thënë për “Zërin” se në këtë repart janë punësuar mjekë të cilët, siç thotë ai, nuk kanë përvojë për të punuar në salla të operacionit, andaj edhe sipas tij më shumë kryejnë kontrolle e intervenime diagnostike, por jo edhe operacione.

Ai ka thënë se për shkak se mjekët nuk janë të trajnuar dhe për shkak të mungesës së aparaturave të reja ata nuk mund të kryejnë më shumë se 2 deri në 5 operacione në muaj.

Drejtori i Repartit: Stafi është i papërvojë

“Stafi është pak i vjetër. Duhen trajnime shtesë. Në vend se të pranohen mjekë në Gjilan ata kanë shkuar në Prishtinë. Nuk po kemi ne çfarë të bëjmë. Mjekët kanë shkuar në Prishtinë, pra ata janë mjekë që munden të bëjnë operacione, por nuk kemi munduar të ndikojmë as ne e as drejtori. Neve na kanë sjellë disa mjekë që nuk kanë punuar në sallë të operacionit, edhe pse neve po na duhen të punojnë në sallë e jo për kontrolle rutinë. Ne më shumë bëjmë kontrolle e intervenime për diagnostikë”, ka thënë ai.

Bajrami ka treguar se momentalisht në Repartin e Syve janë vetëm 4 specialistë, të cilët ndërhyjnë vetëm në operacionet që janë të lehta.

Ai po ashtu ka thënë se pasi që nuk punojnë me aparatura moderne edhe pacientët nuk pranojnë të bëjnë intervenime me metoda të vjetra.

“Kemi pacientë që vinë, por ne i referojmë për në Prishtinë. Të gjithë po kërkojnë metodën e re, nuk duan të prehen me metodën e vjetër. Deshëm, s’deshëm ne po duhet t’i referojmë pacientët për në Prishtinë. Ato do të mundë të kryheshin edhe këtu, por për shkak të mungesës së aparatit nuk mundemi t’i kryejmë”, ka thënë ai, duke shtuar se tashmë disa herë kanë bërë kërkesa për shtim të stafit dhe për blerjen e aparaturave të reja.

Hajrullahu: Pak intervenime operative, më shumë kontrolle

Edhe drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se intervenimet operative në Repartin e Syve në këtë spital janë më të rralla.

Ai ka thënë se sipas mundësive të mjekëve edhe kryhen intervenime.

“Ne e kemi Repartin dhe bëjmë edhe operacione. Momentalisht janë 4 specialistë për sëmundjet e syve. Kemi edhe infermierë, është motra kryesore e Repartit dhe infermieret e Shërbimit të Otorinolaringologjisë që e ndihmojnë Repartin. Aty mund të bëhen 2 ose 3 operacione në muaj. E di që janë pak më të rralla intervenimet operative. Unë nuk mundem ta imponoj mjekun të bëj operacion ose jo”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka thënë se edhe vetë qytetarët zgjedhin QKUK-në dhe spitalet private për t’u operuar në sy.

“Mjekët nuk mund të operojnë çdo ditë. Nuk e di pse kaq pak operacione bëhen. Tani edhe njerëzit po shkojnë në klinika të syve në Prishtinë ose edhe në klinika private. Është çështje e tyre se ku duan të operohen”, ka thënë ai.

SHSKUK: Kemi kërkuar ngritje të performancës së punës në Gjilan

Në anën tjetër, nga Zyra për Informim në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për gazetën “Zëri” se drejtori i përgjithshëm Basri Sejdiu ka kërkuar disa herë ngritje të performancës edhe në Repartin e Oftalmologjisë, edhe në repartet tjera.

“Zyra për Informim në SHSKUK ju shpjegon se në takimet e vazhdueshme që ka pasur dhe ka me drejtorët e spitaleve të përgjithshme drejtori i SHSKUK-së në vazhdimësi ka kërkuar ngritje të performancës së punës në të gjitha repartet e spitaleve, jo vetëm në Oftalmologji”, ka thënë ajo.

Derisa edhe mungesa e stafit mjekësor po ndikon në kryerjen e disa shërbimeve në spitalet rajonale, Zyra për Informim e SHSKUK-së ka thënë se tashmë janë orientuar që specialistët e rinj të punësohen në spitalet e përgjithshme e jo në QKUK.

“Menaxhmenti i SHSKUK-së e ka orientuar punësimin e specialistëve të rinj kryesisht te spitalet e përgjithshme me të vetmin qëllim, ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Përforcimi me kuadro i spitaleve do ta lehtësonte në masë të madhe punën e klinikave të QKUK-së”, ka theksuar ajo.