Korrupsioni nxin raportin e KE-së për Kosovën
FOTO: Laura Hasani

Korrupsioni nxin raportin e KE-së për Kosovën

Aktuale May 31, 2019 - 08:57
Lexoni detajet
Image

Komisioni Evropian në raportin e fundit i ka dhënë goditje të forta Kosovës për mosluftimin e korrupsionit, fenomen ky shqetësues për vendin dhe për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Raporti i Komisionit Evropian (KE) edhe këtë vit ka goditur Kosovën me një varg kritikash sikurse gjatë viteve të kaluara. Derisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur ta marrin rekomandimin pozitiv për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, Kosova po vazhdon të mbetet e fundit sa i përket procesit të integrimit në BE.

Pakoja e Zgjerimit, si një prej dokumenteve më të rëndësishme për shtetet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, që u publikua gjatë së martës, kritikoi ashpër Kosovën rreth sistemit gjyqësor, shkruan më tutje "Zëri". 

Ndonëse u tha se është bërë një progres i lehtë, raporti theksoi se korrupsioni vazhdon të mbetet një prej çështjeve shqetësuese në Kosovë. Kritika u adresuan edhe në fushën e ekonomisë, me ç’rast u tha se situata tejet e vështirë e tregut të punës mbetet akoma brengosëse.

Gjithashtu dokumenti i publikuar nga KE-ja kritikoi Kuvendin për vonim të përmbushjes së agjendës legjislative, si dhe Qeverinë për emërimin e një numri të madh të ministrave e të zëvendësministrave.

Nga ekzekutivi po ashtu u kërkua heqja e taksës 100 për qind, e cila në nëntor të vitit të kaluar u vendos ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina.

Korrupsioni në Kosovë, çështje shqetësuese

Sistemi gjyqësor sipas raportit të KE-së ka bërë disa përparime të vogla, por sërish mbetet në fazën fillestare. Sipas këtij dokumenti gjyqësori vazhdon të jetë i ndikuar nga politika.

“Gjyqësori është akoma i ndjeshëm ndaj ndikimit të panevojshëm politik. Administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe institucionet joefikase e sundimi i ligjit kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërtuar kapacitetet e tyre. Kosova është në një fazë të hershme dhe ka një nivel të ulët të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në raport.

Ndonëse është bërë një progres i lehtë, sipas raportit në fjalë korrupsioni vazhdon të mbetet një fakt shqetësues.

“Kosova ka bërë disa përparime përmes reformave të rëndësishme legjislative në fushën e sundimit të ligjit dhe në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë. Progres është bërë gjithashtu në konfiskimin paraprak të mjeteve edhe pse konfiskimet finale mbeten të ulëta. Korrupsioni është i përhapur dhe kjo mbetet një çështje shqetësuese”, potencohet tutje.

Në raportin e KE-së përmendet edhe fusha e ekonomisë, me ç’rast thuhet se pavarësisht përparimeve që janë bërë, situata jo e mirë e tregut të punës mbetet për t’u brengosur.

“Sa u përket kritereve ekonomike, Kosova është në një fazë të hershme dhe ka bërë disa përparime në zhvillimin e tregut funksional. Rritja ekonomike ishte e fuqishme, por situata shumë e vështirë e tregut të punës mbetet shqetësuese”, thuhet tutje.

Kritika për numrin e madh të ministrave e të zëvendësministrave

Nga kritikat nuk është kursyer as Kuvendi i Kosovës, për të cilin është thënë se ka vazhduar së vepruari në kontekst tejet të polarizuar politik, si dhe është vonuar në përmbushjen e agjendës legjislative. Dokumenti për zgjerim ka adresuar kritika edhe në drejtim të Qeverisë së Kosovës si për numrin e madh të pjesëtarëve të ekzekutivit, ashtu edhe për vënien e taksës ndaj produkteve serbe.

“Numri i ministrave, duke përfshirë edhe zëvendësministrat, mbetet i tepruar. Arritjet e përgjithshme të Qeverisë u zbehën nga vendosja e tarifës 100% ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, nënvizohet më tej.

Vendimi për tarifën sipas raportit ka dëmtuar përpjekjet për një bashkëpunim të mirëfilltë rajonal, ndaj është kërkuar largimi i kësaj mase. “Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka mbetur e angazhuar për dialog.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës duhet t’i revokojë tarifat për importet nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina”, thuhet në raportin e progresit.

Kërkohet plan konkret për përmbushjen e rekomandimeve të KE-së

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar të bëhet një plan konkret për përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i KE-së, pasi sipas saj viteve të fundit është vërejtur një mungesë e vullnetit politik për t’i përmbushur rekomandimet.

“Këto 110 faqe janë një analizë e jashtëzakonshme e detajuar nga ekspertët më të mirë, andaj duam që edhe ju të ecni përpara dhe që sa më shpejt të keni një plan veprimi për këto rekomandime. Raporti është vetëm një pasqyrim se çka po ndodh në Kosovë, qoftë për të mirë ose për të keq”, ka theksuar Apostolova.

Ajo tutje ka deklaruar se vendet e tjera si Maqedonia e Veriut kanë shënuar progres më të dukshëm krahasuar me Kosovën.

Ndërkaq ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Kosovës i duhet një dinamikë më e shpejtë sa i takon procesit të integrimit. Në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për të diskutuar rreth raportit të progresit, Hoxha ka vlerësuar se ky raport nuk është plotësisht negativ, përkundrazi ka pasur edhe ca progres.

“Nuk them se është raport plotësisht negativ. Pajtohem se jemi në fillim të procesit, në fakt nuk jemi as në fillim të procesit, sepse nuk jemi vend kandidat, kemi shumë punë për të bërë”, ka deklaruar Hoxha.

Ndërkaq drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha, ka vlerësuar se Kosova ka humbur momentumin sa i përket integrimit. “GLPS-ja vlerëson që integrimi evropian në Kosovë ka humbur momentumin, pasi elita kosovare nuk ka arritur ta mbajë agjendën evropiane”, ka theksuar Loxha.

Kurse drejtori ekzekutiv i “Çohu” Arton Demhasaj ka konsideruar se në Kosovë nuk ka luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe kjo lidhet direkt me ndikimin që politika ka mbi organet e drejtësisë.