Ushtria e Kosovës dhe Shqipërisë në stërvitje ushtarake me NATO-n në Kroaci
Ushtria e Kosovës, përkrah ushtarakëve të NATO-s, po zhvillon stërvitjen ndërkombëtare “Përgjigje e menjëhershme - 19” në Kroaci.
Përpos Kroacisë, kjo stërvitje ushtarake e NATO-s do të zhvillohet edhe në Slloveni e Hungari, ndërsa do të përfundojë më 6 qershor.
Rreth 1,600 ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, SHBA, Mali i Zi, Kosova, Polonia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Italia dhe Gjermania janë pjesë e kësaj stërvitje.
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka shprehu krenarinë për Forcat e Armatosura Shqiptare të cilat po stërviten përkrah vëllezërve kosovarë dhe ushtarakëve të NATO-s.
“Batalioni i II i këmbësorisë dhe Policia Ushtarake në stërvitjen ndërkombëtare ‘Immediate Response 19’ në Kroaci vijojnë të tregojnë aftësitë dhe nivelin e lartë të përgatitjes përkrah ushtarakëve të NATO-s dhe vëllezërve nga Kosova. Krenari për FA”, thekson Xhaçka.