Pritjet nga Takimi i Parisit sipas Belul Beqajt

Pritjet nga Takimi i Parisit sipas Belul Beqajt

Aktuale May 25, 2019 - 11:40
Lexo tjera detaje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar gjatë ditës së djeshme ambasadorin francez në Prishtinë Didier Chabert dhe ambasadorin gjerman Christian Heldt, me ç’rast kanë biseduar rreth takimit të Parisit, që pritet të mbahet më 1 korrik të këtij viti, raporton zeri.info.

Në këtë takim, nikoqirë të së cilit do të jenë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shtetit serb, pasi që temë kyçe do të jetë procesi i negociatave mes dy vendeve.

Takimin e djeshëm të kryeministrit me ambasadorët, politologu Belul Beqaj e ka cilësuar si përgatitje për Samitin e Parisit. Megjithëkëtë një gjë e tillë sipas tij nuk do të thotë që kryeministri s’do të takohet edhe me ambasadorë të tjerë, veçmas me ambasadorin amerikan. Beqaj tutje ka konsideruar se pos Kosovës, edhe vetë ndërkëmbëtarët janë në udhëkryq për shkak të raporteve Kosovë-Serbi, shkruan "Zëri.Info".

Në takimin e thirrur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas profesorit universitar mund të pritet që të largohen pengesat për vazhdimin e procesit të negociatave.

“Pritja reale është të eliminohet pengesa për vazhdimin e dialogut që do të nënkuptonte moratoriumin e tarifës dhe idesë për ndarje të Kosovës, rrjedhimisht krijimin e një platforme të re që do të kërkojë zgjidhje të problemeve brenda kufijve ekzistues”, ka potencuar ai.

Spektri politik sipas Beqajt nuk është unik për faktin se vetë spektri ndërkombëtar sipas tij deri vonë ka qenë në lajthitje, duke menduar se negociuesit kanë pas vetes gjithë faktorët e tjerë dhe popullin rreth idesë së korigjimit. Por edhe ndërkombëtarët sipas tij tashmë e kanë kuptuar një gjë të tillë.

“Edhe spektri ndërkombëtar e ka kuptuar se dy kryetarët kanë mbetur të vetmuar në këtë aventurë. Prandaj edhe spektri ndërkombëtar do të arrijë unitet i cili do të përcillet brenda spektrit negociues të Kosovës por edhe të Serbisë, në të kundërtën do të akuzohet për shmangie nga ky proces që është edhe interes regjional”, ka theksuar ai.

Ndërkohë nga Kosova, pos presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, pritet që në Paris të shkojnë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili njëherësh është ministër i Punëve të Jashtme, si dhe dy bashkudhëheqësit e ekipit negociator për dialogun, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti./ZËRI