Radiologjia në Spitalin e Gjilanit është me mungesë të aparaturave
Në repartet e Radiologjisë në spitalet regjionale në Kosovë mungojnë disa aparatura të rëndësishme, të cilat shërbejnë për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme. Ndërsa disa nga aparaturat të cilat janë në funksion në këto spitale janë edhe të amortizuara, shkruan Gazeta "Zëri".
Në Repartin e Radiologjisë në Spitalin e Gjilanit momentalisht mungon CT-ja 64-shtresore, e cila shërben për diagnostikimin dhe më pas për ndjekjen e sëmundjeve të ndryshme.
Drejtori i këtij spitali, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se janë duke pritur që CT-ja 64-shtresore t’u vijë si donacion nga një projekt i qeverisë së Luksemburgut. Ndërsa sa i përket mamografit digjital, ai ka thënë se e kanë një të tillë, porse është i demoduar, andaj edhe kanë bërë kërkesë për një mamografi të re.
"Në Shërbimin e Radiologjisë e kemi rëntgenin digjital dhe CT-në, e cila është në funksion. Mamografi nuk kemi, por ne kemi bërë kërkesë dhe po presim nëse munden të na sigurojnë përmes buxhetit të Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), pasi mamografia aktuale është blerë para 6-7 vjetëve dhe është e demoduar e nuk u përgjigjet nevojave të kohës. Ne tani po presim donacion prej projektit të qeverisë së Luksemburgut, që është në zhvillim e sipër për një CT 64-shtresore moderne”, ka thënë ai.
Hajrullahu ka thënë më tej se me buxhetin që e kanë planifikojnë për këtë vit të blejnë aparaturë për Repartin e Fiziatrisë, si dhe të blejnë një rëntgen digjital.
“Për këtë vit janë të planifikuara të blihen aparatura në vlerë deri 100 mijë euro. Ne kemi filluar procedurat e tenderimit të blerjes së aparaturës për Repartin e Fiziatrisë dhe për një rëntgen digjital. Aq na mjaftojnë paratë për aparaturë që ne vetë mund ta blejmë”, ka shtuar ai. /ZERI